21 Korrik, 2025 - 8:45 pm
Regjistrimet e marra në vitet e fundit të jetës së Albert Einstein po botohen si libër, rreth 20 vjet pasi u zbuluan, si transkriptime të bisedave telefonike që fizikanti i zhvilloi midis viteve 1953 dhe 1955, njoftoi sot shtëpia botuese “Heyne Verlag”.
Regjistrimet janë bërë nga Johanna Fantova, e cila konsiderohet si mikesha e ngushtë e Einstein-it. Ato përshkruajnë ngjarjet nga një vit e gjysmë para vdekjes së shkencëtarit në moshën 76-vjeçare.
Einstein (1879-1955), i cili u arratis nga Gjermania naziste drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1933, thuhet se i ndante momentet e tij në mërgim me Fantovën përmes telefonit. Fantova, e cila e kishte takuar fillimisht në Gjermani dhe më pas ishte shpërngulur edhe ajo në SHBA, i ka transkriptuar bisedat me miratimin e tij, sipas botuesit.
Manuskripti 62-faqësh në gjuhën gjermane u zbulua rastësisht në vitin 2004 në bibliotekën “Firestone “të Universitetit Princeton, ku Fantova punonte si kuratore. Materialet kishin qëndruar të paarkivuara për një kohë të gjatë.
Tani, këto shënime ditari do të botohen për herë të parë në një edicion të komentuar me zbulime shtesë më 24 shtator. Titulli i librit nga Peter von Becker është: “Jam një magnet për të gjithë maniakët. transkriptet e Einsteinit, jeta e tij, dashuria e fundit, trashëgimia e tij”.
Në këtë ditar, Einsteini, I cili revolucionarizoi fizikën me “Teorinë e Relativitetit “ ndan mendimet e tij për politikën, shkencën, jetën e përditshme dhe dashurinë./KultPlus.com