BKK dhe EUPL promovojnë veprën ‘Kësulkuqja-përrallë për të rritur’ të Ag Apollonit

10 Dhjetor, 2023 - 3:29 pm

Nesër do të promovohet vepra e Ag Apollonit “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, nën patronatin Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL).

Promovimi i veprës së Ag Apollonit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë, që do të organizohet nën patronatin Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë, përbëhet nga një lexim, diskutim dhe një bisedë me autorin fitues të këtij çmimi.

Ag Apolloni me romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, në muajin prill të këtij vitit, në një ceremoni solemne të organizuar në Panairin e Librit në Leipzig, nga Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), është nderuar me çmimin – “Special Mention”.

Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), është i mbështetur nga programi Evropa Kreative i Bashkimit Evropian dhe është një iniciativë vjetore për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë.

Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare të kësaj letërsie.

Fituesit e përzgjedhur promovohen me synimin për të arritur një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare dhe për të prekur lexuesit përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë.

Ngjarjet e tilla nga Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), organizohen, gjithashtu, në vendet e origjinës së autorëve, me qëllim që të rrisin lexueshmerinë e autorëve në vendet e tyre të lindjes.

Konsorciumi i Çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), përveç mbështetjes financiare dhe organizative për promovimin e veprës së Ag Apolloni, këtë ngjarje do ta publikojë në faqen e internetit të EUPL (http://www.euprizeliterature.eu/) si dhe në kanalet e mediave sociale të EUPL: Twitter (@EUPLPrize), Facebook (https://www.facebook.com/EUPLPrize/) dhe Instagram. / KultPlus.com

Të ngjajshme