Blushi për ‘Komplotin’: Qytetet shqiptare mund të drejtohen nga të huajt

17 Nëntor, 2023 - 5:14 pm

Shkrimtari i njohur Ben Blushi ka rrëfyer disa nga të pathënat mbi romanin e tij të fundit, “Komploti”. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Ben Blushi shpjegoi edhe “parashikimin” në romanin e tij mbi mbërritjen e emigrantëve në Shëngjin, që pritet të konkretizohet nga marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe italiane.

Blushi theksoi se gjithë kjo ka qenë një koincidencë dhe se ai është nisur nga fakti i vendqëndrimit të afganëve në Shëngjin që erdhën pas pushtimit të Afganistanit dhe largimit të misionit amerikan nga ky vend.

“Ishte një koincidencë që në ditët që libri doli në qarkullim, qeveria e Shqipërisë bëri një marrëveshje me qeverinë italiane për pritjen e refugjatëve që nuk kalojnë dot Adriatikun, nuk kalojnë dot për në Itali. Në libër unë e kam këtë element që Shëngjini si qytet në të ardhmen kthehet në një bashki që e administrojnë të huajt. Sigurisht që kjo është koincidencë. Po nga se jam nisur unë. Unë jam nisur nga një fakt i thjeshtë, Shëngjini sot është një bashki multietnike, sepse aty jetojnë 3 mijë afganë kur qeveria amerikane i mori nga Afganistani kur Afganistani u pushtua para dy vitesh dhe u vendosën kryesisht në Shëngjin”, u shpreh Blushi.

Shkrimtari i disa romaneve që trajtojnë fenomenet e ndryshme shqiptare theksoi se para se të shkruante librin ai ka vizituar Shëngjinin duke u njohur me historitë e afganëve.

“Unë kam shkuar shpesh aty për t’i vizituar ata, duke bërë fotografi dhe duke takuar njerëz interesantë dhe duke kuptuar historitë e tyre. E kuptova që ky qytet nëse sot votohet, nuk e di kush fiton aty, një afgan apo një shqiptar. Mund të ketë pasur momente kur mund të ketë pasur më shumë votues afganë ndoshta, tani janë më pak”, tha Blushi.

Në këtë mënyrë, sipas Blushi lindi edhe ideja se “që çfarë mund të ndodhë se një qytet si Shëngjini që mund të jetë Laçi, mund të jetë Mallakastra, Saranda, nuk e di, dhe vijnë shumë të huaj”

Duke folur për fenomenin e shpopullimit të Shqipërisë, Blushi vuri në dukje se fakti që shumë të huaj po vijnë në Shqipëri ndodh se shumë shqiptarë po largohen. 

“Pse vijnë shumë të huaj në Shqipëri, sepse ne po ikim. Pra, shumë shqiptarë largohen, natyrisht që shumë të tjerë do të vijnë. Mund të jenë afrikanë, mund të jenë egjiptianë mund të jenë sirianë. Kryesisht mund të jetë njerëz nga vende më të pazhvilluara se ne ”, nënvizoi Blushi. 

Blushi shtoi se Shqipëria është vend transit për emigrantët dhe natyrisht një pjesë e tyre që duan të shkojnë në Evropë do të mbeten këtu.

“Ne gjithmonë mendojmë se jemi vend i varfër dhe i pazhvilluar, por bota ka më shumë se 2/3 të vendeve që janë më keq se ne në kuptimin politik dhe ekonomik.

Ata jetojnë në luftë, në epidemi, në uri, në thatësirë dhe gjithë këta popuj që vijnë nga jugu i planetit duan të vijnë në Evropë dhe rruga për të shkuar në Evropë është edhe Shqipëria.

Kështu që një pjesë e madhe që do të shkojë në Evropë, do të mbeten këtu dhe ky mund të jetë fati i disa qyteteve tona, përfshirë Shëngjinin si në librin tim, kur një komunitet i huaj qeveris atë bashki sepse është shumicë”, shpjegoi Blushi, transmeton rtsh.al/KultPlus.com

Të ngjajshme