Botimet e Akademisë së Shkencave në Panairin e Librit

16 Nëntor, 2022 - 3:53 pm

“Panairi i Librit është në të vërtetë një festë, një nga ato ngjarjet që është shkruar në kalendarin kulturor dhe shënjon një muaj të rëndësishëm si nëntori, që lidhet mbi të gjitha me Festat Kombëtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Ministria e Kulturës, pavarësisht emergjencave që ka pasur këto viteve të fundit, ka gjetur gjithnjë mundësinë për të mbështetur Panairin e Librit, duke e konsideruar si një vlerë, si një tryezë e madhe debati, por edhe promovimi, takimesh mes shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve me lexuesin.

Ndërkohë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë është pjesëmarrëse në Panairin e Librit Tirana 2022, me disa botime të sajat dhe për të cilët është organizuar edhe nga një aktivitet promovues.

Një prej botimeve të ASHSH është dhe libri i Dhimitër Anagnostit “Artisti, bota, imazhi”, me bashkëautor prof. dr. Josif Papagjonin, të cilit ju bë promovimi sot, në sallën Black Box tek Universiteti i Arteve.

Një tjetër botim i akademisë është “Portreti” i Abaz Hados. Libri trajton portretin në 120 vjet histori të pikturës shqiptare, nga 1880 deri në vitin 2000.  “Balada, nga oraliteti në letërsi” i Olimbi Velaj, trajton baladën si zhanër muzikor dhe letrar.

“Shqipëria përmes syve të shtegtarëve” me autore Lida Miraj dhe “Fjalor i Shqipes së Faik Konicës” me autore Kristina Jorgaqin, janë të tjerë tituj për të cilët është kujdesur ASHSH për botimin. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme