6 Maj, 2025 - 12:33 pm
Procesverbalet e dikurshme të Kinostudios “Shqipëria e re”, tashmë janë transformuar në një libër, shkruar nga arkivistja e AQSHF-së, Eriona Vyshka.
Libri titullohet “Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit 1954-1994; Procesverbale të mbledhjeve në Kinostudion “Shqipëria e re”.
Procesverbalet e mbledhjeve në Kinostudio përfshijnë periudhën 1973 – 1994, ndërsa dokumentacioni tjetër, përfshirë këtu edhe skenarët e parealizuar, shtyhen më herët në kohë, deri në vitin 1954.
Ky libër synon të organizojë të dhënat që gjenden në këto dokumente të shkruara, që përfshijnë periudhën 40-vjeçare, 1954 – 1994, të dhëna që në fakt janë tepër të shpërndara dhe të pamundura për t’u qasur lehtësisht nga studiuesit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që për një kohë shumë të gjatë këto dokumente, edhe pse kanë qenë gjithnjë në dispozicion, janë shfrytëzuar shumë pak nga studiuesit e kinematografisë shqiptare.
Procesverbalet janë mbajtur gjatë mbledhjeve të redaksive për shqyrtimin e skenarëve të paraqitur për t’u bërë film, dhe jo vetëm mbledhje për shqyrtim skenarësh por edhe për çështje nga më të ndryshme të ndërmarrjes Kinostudio “Shqipëria e re”: që nga çështjet e organizimit të punës, ndjekje të detyrave, takime politike, analiza pune, projekt – plane, realizime apo mos realizime planesh, madje edhe “gjyqe kolektive” për veprime të ndonjë punonjësi.
Libri i botuar nga AQSHF jep një tablo të qartë të punës në Kinostudio, në të gjitha nivelet, dhe sidomos të frymës që mbizotëronte aty, nën mbikëqyrjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që përveçse ishte një organizatë arti e kulture, ishte edhe thellësisht politike, si dhe të Ministrisë së Arsimit e Kulturës dhe Drejtorisë së saj të Arteve./atsh/KultPlus.com