Botohet monografia për dramat e Rexhep Qosjes

27 Qershor, 2019 - 6:00 pm

Studiuesi i dramës, Berat Dakaj (alias Armagedoni), ka botuar sot librin studimor “Dramat e Qosjes (monografi)”, të cilin para disa vjetësh e ka pasur punim të diplomës së masterit, paraqitur dhe mbrojtur në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nën udhëheqjen e mentorit, profesorit Haqif Mulliqi.

Në këtë monografi janë analizuar, interpretuar dhe studiuar dramat e Rexhep Qosjes me titull “Mite të zhveshura”, në të cilën përmbledhje të dramave, në botimin e parë dhe të dytë të tyre janë përfshirë dy drama dhe një monodramë, kurse në botimin e tretë dhe të katërt edhe një monodramë tjetër, e cila nuk është marrë për studim në këtë monografi pasi, sipas Armagedonit, është dramë shumë e thjeshtë artistike dhe është dramë me motive krejtësisht politike.

Monografia s’është ndarë në kapituj, por emërtimi i njësive dhe ndarja e tyre u ngjajnë kapitujve. Në fillim të librit është dhënë shpjegimi për dramën, për origjinën e dramës, për nocionet e dramës, për poetikën dhe evolucionin e saj ndër shekuj. Po në këtë kontekst teorik dhe historik, për poetikën e dramës janë dhënë mendimet e Aristotelit, të Baluhatit, të Platonit, të Hegelit e disa shpjegime të tjera të shkëputura nga fjalorët shqip dhe anglisht për mimesisin dhe katarsisin, pastaj disa shpjegime të librave teorikë për dramën në përgjithësi.

Së këndejmi, duke marrë njohuri teorike nga këta teoricienë të teatrit e të dramaturgjisë, janë analizuar praktikisht dhe veç e veç dramat e Qosjes, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, jo edhe “Bardha” e tij, të cilat janë përfshirë në “Mite të zhveshura”.

Ndër të tjera, meqë dramave të tij u paraprijnë peritekstet, janë analizuar edhe ata, pasi nëpërmjet tyre është parë ajo çfarë shprehin dramat e tij dhe ato çfarë kanë dashur të shprehin ose mund të kenë shprehur gjatë shfaqjes së tyre në teatër, regjisorët. Dhe, meqë këto drama kanë motive intertekstuale dhe janë të motivueshme politikisht, janë vënë në raport krahasimi me ato që u shëmbëllejnë: me arketipat të cilët kanë pësuar transformim zhanror.

Përpos kërkimit të gjenezës së intertektstit e arketipave e shfaqjes së tyre në dramat e Qosjes, është bërë edhe një kërkim gjenetik i botimit të tyre, duke i parë variantet e tyre botim pas botimi.

Të ngjajshme