Botohet ‘Peja gjatë antikitetit – Peja during Antiquity’ nga Naser Ferri

29 Dhjetor, 2020 - 1:56 pm

Para pak kohe Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën monografike të Prof.Dr. Naser Ferrit: “Peja gjatë antikitetit-Peja during Antiquity” e cila në mënyrë shkencore ndriçon periudhën antike në rajonin e Pejës.

Vepra e autorit Prof. Dr. Naser Ferrit me titull : “Peja gjatë antikitetit-Peja during Antiquty” përbëhet nga pjesa hyrëse (Hyrje-Introduction, Parathënie-Foreword) dhe katër kapituj tematikë, të cilët janë të ndarë në disa nënkapituj. Teksti prej 396 faqesh është i pajisur me 232 fotografi, ilustrime dhe harta gjeografike përcjellëse dhe është i shoqëruar me aparaturë përkatëse shkencore.

“Monografia në fjalë është fryt i punës sime shumëvjeçare hulumtuese shkencore në terren dhe nëpër biblioteka e institucione relevante të thesarit arkeologjik të rajonit të Pejës.Monografia i është dedikuar prindërve të mi të dashur por i kushtohet Pejës, qytetit ku jam lindur dhe i kam kaluar ditët e rinisë.Me këtë libër Peja është bërë qytet me monografi unike të kompletuar të trashëgimisë arkeologjike, ndërsa unë konsideroj që e kam kryer obligimin tim moral ndaj prindërve dhe ndaj vendlindjes, nga e cila jam shpërngulur tash e shumë vite por të cilën gjithmonë e mbaj në zemër” tregon për KultPlus profesori Naser Ferri.

Libri mund të blehet në librarinë “Toena-Artini” në Prishtinë.

Vlerësimin për monografi e kanë dhënë recenzentët e librit, ekspertët e fushës: arkeologët Akademik Nenad Cambi nga Spliti dhe profesoresha Kristina Xhin nga Zagrebi.

“Vlen të përmendet se autori i kësaj vepre ka arritur që në bazë të gjetjeve arkeologjike, epigrafike, numizmatike dhe arkitektonike ti shtjerrë të gjitha të dhënat relevante dhe ti bashkon në një tërësi logjike me qëllim të krijimit të imazhit historik, gjeografik, ekonomik, shoqëror, politik, demografik dhe etno-kulturor të parafytyrimit dhe të përjetimit sa më real të jetës së përditshme në rajonin e gjerë të Pejës së sotme  gjatë shekujve të fundit para Krishtit  e po ashtu edhe gjatë disa shekujve vijuese të sundimit romak.Në këtë mënyrë këtë vepër e cilësoj si vepër të parë e kompletuar  dhe unikale mbi të kaluarën e lashtë të rajonit të Pejës me kualitete të larta shkencore, e cila do të jetë e dobishme për qarqet shkencore por edhe për studentët e arkeologjisë, të historisë dhe etnologjisë” thuhet mes tjerash në recensionin nga Nenad Cambi, arkeolog, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë (HAZU) dhe Profesor emeritus në Universitetin e Zarës.

Meqë dorëshkrimi është përkthyer në gjuhën kroate për shkak të recenzentëve, ka gjasa reale që mund të botohet në Kroaci në gjuhën kroate ashtu siç është botuar libri “Živa mitologija-Living Mythology” në gjuhën kroate në Zagreb në vitin 2015, botimi i të cilit u financua nga Qeveria e Republikës së Kroacisë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme