Botohet “Po shkruej per vedi e Shkodrën”, ditari i piktorit shqiptar Simon Rrota

28 Korrik, 2018 - 5:54 pm

Këto ditë doli nga shtypi libri “Po shkruej per vedi e Shkodrën”. Vepra si e tillë është ditari i mbajtur nga piktori i njohur shqiptar Simon Rrota, i cili fillon me shënime e ngjarje emocionuese që nga viti 1902, kur vendi ndodhej nën pushtimin osman, përcjellë KultPlus.

Studiuesi Pjetër Logoreci tregon se ky libër përmban momente interesante që autori ka përjetuar me kolosin At Gjergj Fishta, mjeshtrin Kolë Idromeno, veprat e tyre si dhe anektoda nga kontaktet me to. Ai shton se mjeshtri i penelit Simon Rrota, përshkruan me hollësi çdo cep të Pazarit të famshëm të Shkodrës si dhe personazhet e njohur e tregtarët e tij, me emra dhe aktivitetet që ushtronin.

“Me ngjyra të gjalla, ai, përshkruan tërmetin që tronditi Shkodrën në vitin 1905 si dhe pjesë nga sakrificat e shkodranëve gjatë rrethimit të qytetit nga malazezët. Përveç momenteve historike që ka kaluar qyteti, Rrota, tregon edhe jetën sociale apo arsimore të Shkodrës si dhe përshkruan bukuritë, artet, ndërtimin e shtëpive karakteristike, këngët popullore, zakonet dhe traditat, veshjet e kohës, si festoheshin festat kombëtare dhe fetare apo si zunë fillë ndërtimi i Katedrales së Shkodrës e objekteve të tjera të rëndësishme të qytetit”, tregon Logoreci.

Ai tutje shton se autori me anë të këtij libri tregon për viset e ndryshme shqiptare në jug dhe veri të vendit ku ai punoj si përkthyes i ushtarakëve italianë dhe austrohungarezë në luftën e parë botërore. Libri ka 209 faqe dhe përmban shumë fotografi familjare dhe personale të autori dhe është botuar nga shtëpia botuese Fishta./ KultPlus.com

Të ngjajshme