Burrë, të duhet kaq shumë, për të merituar zemrën e një gruaje të hyjshme

8 Mars, 2024 - 2:25 pm

Albert Vataj

Të gjithë ju burra, ndoshta edhe unë bashkë me ju, pretendoni se kemi kuptuar zemrën e një gruaje, shpirtin dhe thirrjen e hyjshme të pasioneve dhe harlisjeve të saj, dhe… kujtojmë se e kemi bërë të lumtur gjysmëzemrën tonë, shpirtplotë atë që ka patur bujarinë qiellore të na bëhet prehje kënaqësie, duke i mundësuar asaj shpengim epshi, para, jetë përrallore, dhe gjithçka, me të cilat shumë gra sot, për hir të së vërtetës, mburren duke i prezantuar, si trofe të betejave të mundimshme të zotërimit, duke i valëvitur si flamuj ndeshjesh fitimtare.

Ajo grua, po, pikërisht ajo grua që e lartëson qenien e saj në qiejt e kthjellët të adhurimit dhe fisnikërohet në çdo përkulje dhe i blatohet shenjtërisht çdo oferte mirësie, nuk do asgjë nga këto, do të ngrohet nga fryma e shpirtshme të një burri, do të mbështetet e tëra në supin e tij besnik, të ndihet e sigurt në një botë që është gati t’i rrëmbejë gjithçka, madje edhe të drejtën të jetë vetja.

Kjo grua do nga ty të drejtë për të besuar, kurajë për të guxuar, zemër tënde për ta ndjerë të trokasë në kraharorin. Ajo kërkon me ngul thesarkërkuesi për të gjetur gjithçka që ajo ka thurur me kaq përkushtim dhe pasion në ëndrra dhe realitete imagjinare idilike. Jeta e saj, trupi dhe shpirti, gjithëçfarë në të është mbrujtur me zjarr pasioni dhe stolisur me hire të hyjshme, kërkon t’i ofrohet dikujt që është i denjë për këtë shpërblim, është meritues i kësaj dhurate të bekuar nga fryma e shenjtë dhe dritur nga dijet e gjithësisë.

Por bëni kujdes ju birbo, ju “ustallarë të poshtëfustaneve”, thoshte Cvajgu për Kazanovën, ju që mendoni se edhe me gratë qëndron postulati, sipas të cilit “Gjithçka shitet, gjithçka blihet”. Thuajani vetes, se; një grua e denjë për dëshirimet tuaja, një grua që ka “pikuar nga qielli”, si një shpërblim për fatin tuaj, një grua, grua që shëmbëllen te çdo ëndërr e juaja dhe shpërfaqet reale te të gjithë çmenduritë tuaja, ajo grua që do të jetë e juaja, në çdo frymëmarrje dhe dhimbje në çdo rënkim, mbi të gjitha do të dashurojë atë që meriton blatimin e zemrës së saj.

Ti grua e këtij përfytyrimi, e denjë për çdo altar ku jam gati të përulem, ekziston?!/ KultPlus.com

Të ngjajshme