Buxhovi në KultPlus Caffe Gallery: Shteti i Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarizmit

31 Tetor, 2019 - 9:04 pm

Arbër Selmani

Historiani Jusuf Buxhovi sonte ka promovuar në kryeqytet trilogjinë gjermane e cila përfshinë romanet “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”.

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, Buxhovi ka folur për librat por duke mos harruar lidhjen e tij të fuqishme me Gjermaninë, kryefjalën e këtyre librave dhe pikën kryesore të bashkimit.

“Mua më ka ndodhur të jem në Gjermani që nga vitet 70-të. Emancipimi im intelektual, profesional por edhe politik lidhet me Gjermaninë dhe pa Gjermaninë edhe qasja ime ndaj problemeve letrare e politike nuk do të ishte kjo që është. Kultura dhe filozofia gjermane është një kapitull i veçantë i kulturës botërore. Për më tepër, ka qenë politika gjermane, një akter në të cilin është luajtur drama, tragjedia e fatkeqësia e asaj që më vonë është histori e Ballkanit” ka nisur kësisoj rrëfimin e tij Buxhovi, para të pranishmëve.

Në një bashkëbisedim që zgjati rreth 90 minuta, historiani e intelektuali Buxhovi, shpesh edhe thumbues e kontravers me hulumtimet dhe gjetjet e tij, ka përmendur Kongresin e Berlinit, Berlinin e Vjenën si referenca mbi të cilat është ndërtuar një trekëndësh i historisë shqiptare.

“Shteti shqiptar do të thotë i ka dy faza me gjermanët. E para konsiderohet të jetë me Kryqëzatën e Barbarosës ndërsa më vonë vjen edhe ajo e Arbërve dardanë me gjermanët. Mos ta harrojmë këtu edhe fjalorin e Arnold Von Harfit, i cili udhëtoi edhe nëpër Gjermani e deri në Palestinë, për të formuluar më pas fjalorin me 52 fjalë dhe me një tekst të vogël, përmbledhje kjo që unë e mendoj si themelin e filologjisë shqiptare” tregoi gjatë promovimit të librave të trilogjisë gjermane, historiani Buxhovi.

“Këtë përmbledhje unë e quaj “Shekulli i mbrapshtë” sepse prej romanit të parë deri tek i fundit kalohet në 100 vite. Për dallim nga Kadare, unë kam përdorur një dimension tjetër të kalimit të shekullit, dhe jo vitit. Gjermaninë e kemi pasur obligim ta lidhim me një qasje edhe letrare dhe rolin e saj ta fusim në letërsi. Kuptohet për mua kjo nuk ka qenë e lehtë sepse letërsia i ka ligjet e veta. Gjermania e Austria, të dyja, i kanë pasur interesat e tyre në Ballkan” ka treguar gjatë promovimit Buxhovi.

Buxhovi, jo i shpeshtë në paraqitjet e tij para publikut, e shfrytëzoi këtë promovim edhe të fliste për aktualitetin kosovar e atë në Shqipëri dhe për limitet ideologjike e klishetë që ndër vite e kanë munduar historiografinë shqiptare. Ai ka përmendur imponimin e Serbisë dhe historiografisë serbomadhe, si pengesë të fortë kurdoherë.

“Unë në libra merrem edhe me dimensionin e vrasjes së intelektualëve dhe atyre që kanë ideal shtetin e Kosovës dhe frymën perëndimore, duke u marrë me luftën e fundit. Një pjesë e intelektualëve e kanë tradhëtuar intelektualizmin, ndërsa klasa kriminale që sot ka ardhur në pushtet fuqinë e saj e ka në saje të intelektualëve” ka vazhduar Buxhovi.

Gjatë natës, pos pyetjeve të të pranishmëve dhe përgjigjeve nga historiani dhe autori, ka folur edhe Mensur Bytyqi nga Shtëpia Botuese ‘Pena’, duke treguar për privilegjin që kjo shtëpi botuese ka me botimin e këtij vëllimi të rëndësishëm për historinë e historiografinë. Qëndrim Badalli e ka moderuar këtë promovim.

Buxhovi krejt në fund është përkujdesur të flasë edhe për konceptin e bashkimit kombëtar dhe për shtetin shqiptar.

“Në Ballkan do të duheshin të ekzistonin dy shtete të fuqishme shqiptare, stabile, dhe me një politikë serioze e cila do ti ndalë pazaret. Shteti i Kosovës është arritja ma e madhe e shqiptarizmit. Shqipëria do të duhej që 17 shkurtin ta shpallte festë zyrtare, dhe flamuri i Kosovës të ishte barabar me flamurin e Shqipërisë, që të mos heqim flamunjtë e të luajmë hajgare” ka përmendur Buxhovi.

Jusuf Buxhovi ka nënshkruar libra për të pranishmit.

Jusuf Buxhovi lindi në Pejë më 4 gusht të vitit 1946. 

Pas punës së gjatë hulumtuese në arkivat gjermane publikon monografitë “Kongresi i Berlinit 1878” (2008) dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare” (2012), si dhe “Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Europiane” (2010). Suksesin më të madh si historian Buxhovi e shënon me veprën pesë-vëllimëshe “Kosova” (2012-2015), e cila pati shtatë botime. / KultPlus.com

Të ngjajshme