Buxhovi promovon librin “Kosova: Histori e Shkurtër”, Rrahmani: Ky libër është botim historik

12 Mars, 2021 - 11:59 am

Si sintezë e tetë vëllimeve të “Kosovës” të botuara brenda tetë viteve të fundit, libri më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, “Kosova – histori e shkurtër” u promovua mbrëmë duke e përmbyllur kështu një kapitull të një pune të madhe historiografike të autorit, që paraqet historinë e parë të shtetit të Kosovës në përgjithësi të shkruar nga një autor shqiptar, shkruan KultPlus.

Përmbledhja e vëllimeve të mëhershme të historisë së Kosovës, u promovua mbrëmë në Librarinë Dukagjini, me një numër të limituar të audiencës, si pasojë e COVID 19.

Gjatë këtij promovimi, së bashku me autorin, të pranishëm ishin edhe dy bashkëpunëtorët kryesorë të tij, botuesi nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë, Nazmi Rrahmani si dhe Ramiz Tafilaj nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing” në Houston, bashkudhëtarë të përhershëm të shkrimtarit, edhe në sukseset ndërkombëtare të tij, kujtojmë atë të suksesit në ShBA.

Historiani i njohur tashmë për serinë e veprave historike, vendosi të sjell një vepër të re ku në formë përmbledhëse hasim materiale, studime e analiza të botuara, tashmë të njohura për publikun, porsi një grumbull kompleksitetesh, me përmbajtje kulturore diversive si ajo e Antikës, Mesjetës, periudhën Bizantine, periudhën e Perandorisë Osmane, periudha e viteve 1912-1294 dhe 1945-1999, duke veçuar ngjarjet në Preshevë dhe Maqedoni si dhe në Kosovë. Ndërsa si një fund final për shqiptarët qenë vendimet e Shën Stefanit, protokollet e Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Buxhovi në këtë vëllim të veçantë të historisë së shkurtër, merret edhe me periudha më të reja historike, duke analizuar që nga pushtimet sllave, luftërat e mëvonshme serbe, pushtimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, për të vazhduar me luftën e UÇK-së dhe ato të fundit për çlirim kombëtar shqiptar.

“Jusufi mbështetet në përvojë dhe në dokumente të cilat i ka ruajtur ai vetë”, thekson gjatë promovimit të librit botuesi Nazmi Rrahmani.

 Duke pasur parasysh të gjitha fenomenet e përjetuara e të zhvilluara, në këtë periudhë, Buxhovi shkruan një analizë të zhvillimeve të cilat vazhdojnë pothuajse edhe sot, duke përfunduar librin me një gjallërim rrëqethës, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto analiza historike, lexuesi i gjen në formë të ngjeshur, të trajtuara hollësisht por të shkruara shkurtimisht, posaçërisht, duke i dhënë rëndësi unike atyre. Prandaj, kurioziteti i lexuesit mbetet gjithmonë gjurmë e interesit të historisë shqiptare.

“Botimi i një vepre të tillë është jo vetëm histori, por është edhe botim historik, i cili shënon një periudhë të studimeve të rëndësishme, jo vetëm të autorit, por edhe shkencës së historisë në përgjithësi”, thotë Rrahmani.

Jetesa me sfidat globale shëndetësore janë transferuar në një rutinë pothuajse për secilin nga ne, përfshirë këtu edhe autorin Jusuf Buxhovi, i cili përkujton vitin 1982, në atë kohë i thelluar në imagjinatën e tij të uzurpuar nga pandemia e mortajës, e vitit 1747-1777. Kurse sot atij i përmbushet fantazia e përjetimit të një lloj lufte të padukshme, që ka përplot mundësi ndryshimi rrënjësor.

Autori i njohur, veçoi dy momente përgjatë rreshtave të botuara në veprën e tij. Momenti i parë i veçantë në veprën e botuar, flet për Kosovën me një histori shumëshekullore, ku lidhet me Dardaninë si qendër e antikitetit, dhe pavarësisht shuarjes së saj nën pushtimin romak, vazhdoi t’i bartë impulset e saj kulturore, shoqërore e politike. Dardania, emër politik i shek.XIX, me dërgimin e impulseve ekzistenciale etnike e gjuhësore, ku nga ngjarjet e pësuara, formohet shteti i Kosovës, dhe njëkohësisht edhe vepra. Ndërsa, momenti i dytë lidhet me dy personalitete që Kosovës i dhanë shpirt, ide e jetë. Miq të rrugëtimit të shtet ndërtimit, të cilët nuk frymojnë më, Xhemail Mustafa, figurë e njohur e idealeve rugoviane, i vrarë në fazat e para të shtet ndërtimit dhe Ramadan Musliu, i njohur si poet, gazetar dhe studiues i cili nuk pati fatin të përjetojë formimin e shtetit, përkundër përkushtimit, mendimit kritik dhe idealit të tij.

Me këtë rast, autori me pikëllim të ndjerë, shfrytëzon rastin për të dhuruar librin e sapo botuar, bashkëshortes së Ramadan Musliu, si falënderim dhe mirënjohje për punën e palodhshme të Musliut, meqë pa të nuk do të mund të kompletohej cikli i serive, si dhe ikonës tjetër, të cilit iu dhurua vepra ishte i biri i Xhemail Mustafës, gjithmonë duke qëndruar ballë e kundërshtuar vrasjet e pamëshirshme.

“Shteti i Kosovës ende nuk përmbush kërkesat e ikonave që dhanë jetën për këtë kauzë, një proces historik i cili duhet të vazhdojë tutje si një kauzë afatgjate” përfundon Buxhovi. / KultPlus.com   

Të ngjajshme