Çmimi letrar “Beqir Musliu” i dorëzohet laureatit të sivjetmë, Nasi Lera

24 Qershor, 2021 - 3:12 pm

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në një ceremoni të veçantë për arritje të larta letrare i ka dorëzuar shkrimtarit nga Shqipëria, Nasi Lera çmimin letrar “Beqir Musliu”.

Duke e uruar fituesin e sivjetmë, kryetari Haziri tha se ky çmim bashkon sot dy cepa të tokave tona, ku kufiri akoma i ndan shqiptarët mes vete, por duke ecur përpara drejt një bashkimi.

“Sabit Rrustemi, tash e tridhjetë vjet Gjilanit i ka dhëne epitetin e një qendre kulturore dhe emrat sikur i juaji kanë bërë që ne, përmes shkrimeve shqip dhe në rasti tuaj, edhe përmes përkthimit të autorëve të mëdhenj, ta kuptojmë më mirë veten tonë, gjë që dëshmon se libri dhe dija mbeten gjithmonë kërkesë e jetës”, tha ai.

Laureati Nasi Lera, duke falënderuar për këtë vlerësim, mes mallëngjimit dhe lotëve, tha se njoftimin e ka përjetuar me një emocion të veçantë, emocion që e kishte provuar vite më parë, kur në Prishtinë ishte botuar romani i tij i parë “Të jetosh kohën”.

‘Gjithmonë kam dashur të vija në Kosovë, por ko ishte e pamundur, sepse dëshira ime nuk varej nga unë, por varej nga dikush tjetër dhe i tillë ishte kufiri shtetëror që na ndante, pavarësisht se ky kufi nuk mundi të ndajë kurrë dhe as nuk do të mund ta ndajë ndonjëherë komunikimin shpirtëror mes nesh”, tha Lera.

Fitues të mëhershëm të këtij çmimi, i cili jepet në bashkëpunim me klubin letrar ‘Beqir Musliu’ janë: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu dhe Agim Gjakova./ rtv21/ KultPlus.com

Të ngjajshme