Çun Lajçi promovon romanin “Kur fryjnë ernat”, Behar Gjoka: Brenda tij është e gjithë Kosova

29 Tetor, 2019 - 2:00 pm

Bujar Meholli

Me një monolog të Çun Lajçit, para të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare u hap ngjarja e promovimit të librit më të ri të Lajçit, i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, shkruan KultPlus.

Abdullah Zeneli nga Shtëpia Botuese “Buzuku” e prezantoi librin derisa theksoi se do të bashkëpunojë me autorin edhe në të ardhmen.

Studiuesi Behar Gjoka tha se Lajçi përveçse aktor është edhe mjeshtër i fjalës. “Çun Lajçi është njeriu i artit dhe i botës shqiptare, ai është simbolika më e qartë e fjalës si aktor dhe si shkrimtar e veprimtar”.

Tutje Gjoka foli për romanin dhe theksoi se brenda tij është e gjithë Kosova.

“Brenda tekstit është Kosova, është ai gjak, i cili po të mos ishte ne s’do të mund të flitshim sot. Plisi është simbol, kryehero, është e sotmja dhe e nesërmja e Kosovës dhe e shqiptarësisë”, potencoi ai.

“Kur fryjnë ernat” është roman i përbërë nga 24 kapituj dhe konsiderohet si poemë epike në prozë.

Edhe shkrimtari Nazmi Rrahmani pati fjalë të mira për romanin e Lajçit. Ai foli më gjatë për përmbajtjen e tij.

“Autori i lidh gjitha ngjarjet me veprën e vet. Plisat janë simbol i rezistencës, me të cilët autori i lidh ngjarjet në veprën e vet. Pastaj kulla si simbolikë ndërlidhet vetvetiu me familjen Jashari. Gjithashtu tregohet vazhdimësia e jetës së atyre që mbetën nën rrënojat e kullës”. Në roman përcaktohen në mënyrë simbolike ngjarjet e kohës, u shpreh Rrahmani.

Aktori Xhevat Limani u paraqit me një recitim të vjershës së Fan Nolit “Jepni për nënën” derisa autori Çun Lajçi lexoi prapë pjesë nga libri para të pranishmëve.

Tashmë “Kur fryjnë ernat” gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit. /KultPlus.com

Të ngjajshme