Dashuria midis vuajtjes dhe besnikërisë

28 Korrik, 2022 - 2:26 pm

Besnik Mustafaj: “Vera pa kthim”, roman. Botoi “Ora”, Tiranë 2002.

Nga Jusuf Buxhovi

Nëse “alibia” e ngjashmërive “të rastësishme” letërsinë e mbronë nga anatema e identifikimit të personazheve me realitet që atë mund ta kthejnë në një akuzë publike, megjithatë paradigma e “përsëritjes së ngjarjeve”, në romanin e Besnik Mustafajt “Vera pa kthim”, koherencën e kthen në një realitet jetësor thuajse të gjithëkohshëm që përthekon dramat e brendshme të ndikuara nga faktorët e shoqërorë-politik (në rastin konkret diktatura naziste, por që më tepër mund të jetë edhe ajo komuniste) ku dashuria kthehet në një stigmë “të pamundur” një në si ndëshkim makabër, ndërsa besnikëria “e panevojshme”, meqë “vetëm shkatërron njeriun”.

Romani, ndonëse duket se krijon stigmën e dashurisë dhe të besnikërisë në një raport “shkatërrues për njeriun” në rrethanat e pamundësimit të saj nga ndërhyrjet nga jashtë (përfundmi i Gorit në kampin nazist, që përkon fund e krye me kampin e diktaturës komuniste në Shqipëri), siç shfaqet ajo e rikthyer në një kujtesë e Sanës ndaj Gorit, që lehtë mund të cilësohen edhe për të kundërtën (varësisht nga këndvështrimi i leximit të tyre), megjithatë tragjicitetin e saj si reminishencë shpirtërore mbi të cilin mbështetet i gjithë prosedeu i rrëfimit romanesk, e ndërton mbi paralelizmat midis të shkuarës, që thuajse e përjashton të sotmen, ku edhe përjashtohet fare e nesërmja, paralelizëm ky i një obsesioni apoliptik të jetës pa dashuri ose me dashuri të mbikëqyrur? Në këtë trekëndësh kohor: të së djeshmes ( gjuhë e Gorit), të sotmes së Sanës (kujtesës), dhe të nesërmes, që përjashtohet fare nga ballafaqimi i të parës me të dytën, ku e djeshmja, thuajse në tërësi e mbizotëron të sotmen dhe e heq fare të nesërmen, pra ardhmërinë, mbindërtohet aspekti i përsëritjes së të njëjtës, si një filozofi, që sikur krijimtaria (në rastin tonë letërsia) i jep legjitimitet të plotë dhe të përhershëm vetëm aspektit të mbizotërimit të së keqes mbi të mirën, të urrejtjes mbi dashurinë si çështje që kanë preokupuar krijimtarinë nga antikiteti e deri te koha jonë . Në këtë aspekt, dy personazhet e këtij romani të Mustafajt, Sana, që nëpërmes kujtesës dhe “rikthimit të saj” imagjinar pas dekadash i referohet një dashurie “si mburojë shpirti” kur asaj “do t’i kalojë edhe koha”, gjëqë flet për një tragjicitet të skajshëm dhe, Gori, i cili “flet në të kaluarën”, jo vetëm që e demitizojnë besnikërinë, (ngaqë ajo kthehet në një kujtesë që venitet nga koha), por nxjerrin në pah faktorët real që atë e rrënojnë në tërësi (diktaturën fashiste) dhe e kthejnë në një viktimë të realitetit të trishtë jetësor, siç ishte edhe ai i jetës së Gulagut në diktaturën evneriste-staliniste në Shqipëri. Madje, për lexuesin që sado pak është i ngarkuar me këtë realitet të përjetuar apo të dëgjuar, epilogu (përfundimi i Gorit në kampin gjerman) disa ditë para se ai të çlirohej nga antifashistët, përjetohet si një realitet i komunizmit shqiptar dhe i kampeve të tij famkeqe ku kanë përfunduar tragjikisht ëndrrat, dija si dhe dashuria njerëzore, për t’ia lëshuar vendin dehumanizimit si një sindrom rrënues që edhe sot e gjithëditën me të madhe po e përcjell botën shqiptare në planin socio-kulturor dhe politik madje. Ndaj, vlerësimet, që romanit mund t’i vinë nga jashtë, ku nuk mungojnë edhe ato “te një Penelope shqiptare”, që pret dashurinë e të ngjashme, tretën kundruall realitetit shqiptar, ku edhe dashuria si çdo gjë tjetër e vlershme vritet nga diktatura dhe përmasat e saj çnjerëzore, pa gjasa që ajo të rikuperohet në rrethanat e ndryshimeve të mundshme…

Megjithqë, ky “epilog” që edhe është i pritshëm aty ku fatet e dashurisë dhe ato të përgjithshme njerëzore deri te përmasat e tragjikes më absurde përcaktohen nga faktorët politikë dhe ata të vetëdijes totalitare që ngritën në piramidat e pushtetit, është pasqyrimi brilant i kësaj ndjenjeje, që te Sana fiton një dimension ndër më të fuqishmit në letërsinë tonë të kësaj natyre. Autori, me filigranizëm, nxjerr në pah atë tragjikë që dashurinë e kthen në vuajtje të thellë gjithëkohore dhe gjithnënjerëzore, ndërsa dashurisë, tragjikja i atribuohet si një fatum i madhështisë së saj, si një zhdëmtim për besnikërinë ndaj saj?… / KultPlus.com

Të ngjajshme