Dashuri në kohën e koronës

31 Mars, 2020 - 2:44 pm

Nga Arlind Farizi

Hej njerëz,
Dhe ti djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni? Po bëhen dy javë që një virus piciruk kriminel, pos që në shpirt, po na futet dhe në ëndrra. Hap derën si një hajn me përvojë. I padukshëm dhe shumë i dëmshëm.
Të shoh dhe të vështroj kujdesshëm djali im, teksa luan nëpër dhomë dhe botën e mat me madhësinë e shtëpisë që rëndon djersë babe, tek ngjitesh me vrull shkallës që prek qiellzanën, të shoh tek i shkruan “imoj”-it në xhamin avulluar nga era e supës. Dera e dhomës gati në shkulje nga hyrjedaljet tua. Unë e di: ti s’do dyer dhe mure. Ta kam lexuar këtë dëshirë që herët, prej kur u ngrite nga përtokja, e bëre të ecësh me këmbët tua, dhe t’i thyesh majtas-djathtas të gjitha pengesat. Por, e di djali im se muret nuk janë krijuar për t’u rrezuar, ato thjesht duhen kapërcyer.
Po bëhen dy javë që jemi mbyllur në shtëpinë së cilës tash po ia njoh dhe skutat. Nuk e dija se një dritë qe djegur dhe duhej ndërruar, se çezma jashtë nuk po punonte. Larguar isha në punën e të tjerëve dhe harruar kisha ty dhe shtëpinë. Ra virusi dhe u pamë më gjatë. Unë dhe ti. Ti më sheh më gjatë dhe unë po aq. Listën e dëshirave të tua e di përmendësh, i do librat dhe fletoret, lapsat me ngjyrë, pastaj vjen niveli tjetër, ai i lodrave që fillova t’i urreja për shkak të Kinës. Racist i mallit kinez. Kina e virusit. Mall i dobët. Ti do lodra plastike dhe zemërohesh kur ato mbajnë aromë alkooli. Vetëm po mundohem të të hap rrugën e ngushtë që të gjesh vetveten dhe në kohë korone. E di që ty të duhen të gjitha, dhe dëshiron t’i njohësh të gjitha, por në kohë korone kjo është e gjitha. Në këto kushtet do ta gdhendim së bashku përsosmërinë; ti do të marrësh nga unë gjithë ato pjesë “pazëlli” që të duhen, e unë vetëm buzëqeshjet prej teje. Qeshu, djali im, edhe nën maskë qesh. Me zë a me sy. E bardhë dhe me shpresë do të jetë e nesërmja. Lajmet do të jenë ogurmira, me zbulime antivirusesh, vdekshmërish të vogla, tek-tuk dalje nëpër qytet dhe në fund një paqe për të gjithë.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Ti s’ke durim. As unë. Më ke ngjarë. Të durojmë bashkë! Do bëjmë plane. Do vizatojmë. Do lëmë gjurmë. Si zemrat që vizatove dje dhe më pyete nëse e kishe shkruar mirë dhe drejt emrin e mamit. Ji i drejtë si ajo shigjeta që e pret përmesi atë zemër të madhe sa ëndrra jote prej Ledri. Dhe unë për hir të orës së vizatimit, të vizatova me fjalë ty, sytë e tu, zërin dhe faqet e kuqe. Ji i qeshur! Përherë dhe duaji njerëzit. Afroja çibukun gjyshit, le ta ndezë edhe një në këtë ditë pa datë dhe tymnajë mërzie. Gjyshes jepja syzet, ta mbarojë jelekun që do veshësh ditën e daljes nga karantina, paçka se mund të jetë verë. Vetëm ti do ta veshësh për hatër të saj dhe vetes. Ngaqë do të dalim nga kjo kuti e betontë.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Ti s’guxon të sëmuresh. Assesi! Jap gjithçka në këmbim të shëndetit tënd! Flijoj të gjitha metaforat e botës në emër të shëndetit tënd. Ajri është i ndotur. Jashtë bën ftohtë. Rri në shtëpi, somnobuli im. Bjeri përçark shtëpisë deri në lodhje. Fli sa të duash. Ëndërro sa të duash.
Djali im, m’i miri, m’i bukuri, m’i dashtuni! Do rrimë në shtëpi. Të gjithë. Do bëjmë jetë në kuti shkrepësesh. Aty paluar e ngjitur, sepse jemi të frikësuar. Nga gjithë ai tur që ka marrë vranësia e një virusi piciruk. Po frikësohem edhe unë. Gjithë ai kolorit jete që kishim, na u bë sepie, edhe atë për dy javë! Lajmet çdoditshëm hedhin pikëpyetje të mëdha e të rënda plumb. Zgjidhja i ka hipur vonë një anijeje prej letre, e cila nuk dihet nëse vjen edhe te ne. Shpreso në anije, biri im. Në anije prej letre bojë shpëtimi. / KultPlus.com

Të ngjajshme