“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Gashi: Autorët që pas luftës së fundit kanë dalë në skenë, nuk kanë bërë ndonjë shpërthim të madh në gjuhë

11 Shkurt, 2022 - 7:31 pm

Era Berisha

“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti më i ri i cili tanimë është bërë i njohur për artdashësit e sidomos për letrarët e rinj dhe që vjen nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës, tashmë ka shënuar natën e gjashtë me radhë, me ç’rast sonte u zhvillua edhe një bisedë e diskutim tjetër i rëndësishëm kulturor në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky projekt origjinal gjithmonë sjell afër vetes një numër të pranishmëve të cilët çdo herë janë të interesuar rreth temave diversive që i përkasin fushës së letërsisë. Kësaj here ishte debati rreth temës “Gjuha e shkrimit letrar sot”, që zuri vend nën diskutimin e panelistëve dhe të pranishmëve. 

Kur ora shënoi 17:00, për të diskutuar më gjerë rreth temës “Gjuha e shkrimit letrar sot”, në panel të ftuar ishin: profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Anton Berishaj dhe shkrimtari Agron Gashi, të cilët nën moderimin e Avni Spahiut, në tavolinë shtruan analiza e shembuj mjaft të rëndësishëm në kuadër të kësaj mbrëmje letrare.

“Gjuha e shkrimit letrar sot”, është tema e radhës që vjen jo vetëm në interes të publikut por edhe të shkrimtarëve të rinj dhe jo vetëm. Të pasionuarit pas letërsisë patën rastin që të dëgjojnë nga afër rëndësinë e gjuhës letrare që shpeshherë vjen në forma të ndryshme dhe realisht mban një rëndësi kyçe në vetë ekzistencën e letërsisë, kjo për arsye se gjuha është vetë elementi që shërben për një komunikim të nevojshëm me lexuesin. Andaj, edhe sonte, roli i gjuhës në shkrimet letrare u shqyrtua tutje nga të ftuarit në panel.

Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.

Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre dhe duke folur pak për temën që ai e cilëson si një nga më aktualet.

“Ju përshëndes të gjithëve në këtë ligjëratë të fundit të këtij cikli të ligjëratave në kuadër të temës bazë, që është Kultura dhe Letërsia në kohë pandemie. Ndërsa, sot kemi për temë çështjen e gjuhës së shkrimit letrar. Për mua është një temë mjaft aktuale jo vetëm në aspektin e përshkrimit të rëndësisë së gjuhës që një autor përdor për të krijuar veprën e tij letrare, por dhe në rastin konkret, edhe me çështje të tjera siç është kontestimi i standardeve dhe vlerësimet e tjera të përgjithshme”, thotë Spahiu.

Fillimisht në këtë mbrëmje për të treguar një anë më studimore për sa i përket gjuhës dhe shkrimit të letërsisë, definicioneve të saj dhe eksperimenteve të ndryshme, foli profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Anton Berishaj.

“Korrelacioni i gjuhës dhe i letërsisë është i një rëndësie tepër të veçantë dhe fundamentale për vetë ekzistencën e letërsisë. Është qëndrim pothuaj konsensual në komunitetin e teoricienëve të letërsisë se nuk ka letërsi pa gjuhë, që këndej edhe definicionet: 1. Letërsia si art gjuhësor, respektivisht art i realizuar me gjuhë, por edhe 2. Letërsia si art i fjalës, respektivisht art që e formëson/modelon gjuhën, ku fjala nuk është vetëm një mjet i shprehjes dhe i komunikimit (të ideve, ndjenjave, botëkuptimeve etj.), por edhe mjet i formësimit/modelimit të gjuhës, kulturës dhe të botës”, thotë Berisha.

Sipas tij, me shfaqjen e poetikave moderniste dhe posaçërisht me shfaqjen e paradigmave teorike moderniste (formalizmi rus, kritika e re anglo-amerikane, fenomenologjia letrare dhe hermeneutika fenomenologjike), të cilat gjuhën – eksperimentin me gjuhën – e vendosin në qendër të vëmendjes, si në aspektin praktik, kreativ letrar, ashtu edhe në planin e spekulimit teorik dhe qasjes metodologjike në studimin e letërsisë, funksioni i gjuhës dhe relacioni i saj me letërsinë është trajtuar në dimensione shumë më komplekse, përtej funksionit të saj instrumental ose thjesht komunikues.

“Në paradigmën semiotike letërsia konsiderohet si një sistem modelues i shkallës së dytë, ku gjuha natyrore (me strukturën e saj komplekse) luan rolin e sistemit modelues të shkallës së pare, i cili strukturohet në dimensione shtesë nëpërmjet kodesh, procedimesh dhe konvencash (stilistike, zhanrore, metrike etj.) Prandaj, te ky tip i modelimit gjuhësor redundanca reduktohet në minimum, por po ashtu edhe entropia (zhurma në procesin e komunikimit). Letërsia e kuptuar kështu hyn në relacione dinamike me semiosferën, kulturën, të kuptuar si një shumësi tekstesh në relacione dinamike të ndërsjella”, përfundon Berisha.

Ndërsa, shkrimtari Agron Gashi foli rreth identifikimit të gjuhës së shkrimit letrar, nënkuptimit të gjuhës së letërsisë, teorisë së gjuhësisë si dhe koherencës e kohezionit, të cilat ai i konsideron si karakteristika të gramatikës së tekstit e që janë të kushtëzuara.

“Gjuha e shkrimit letrar është gjuha letërsisë, sintagmë që jo rrallë identifikohet me togfjalëshin gjuhë letrare. E para, gjuha e letërsisë është gjuhë e fiksionit, gjuhë e rrëfimit. E dyta, gjuha e letërsisë mund të jetë gjuhë standarde, por edhe dialektore. E treta, gjuha e letërsisë, në kuptimin klasik, nënkupton gjuhën e poezisë (Poetika e vjetër), të trillimit, dhe kjo e fundit zhvillohet duke i thyer rregullat drejtshkrimore. Ndërsa, gjuha letrare është kanon, rregull, është normë: qëndron mbi lirinë poetike e prozaike. Sidoqoftë, togfjalëshi gjuhë e letërsisë më së miri sqarohet përmes teorisë së gjuhësisë”, thotë Gashi.

Sipas tij, te format letrare të përbëra, gjuha narrative është më e ndërlikuar dhe më shpërndarë, sepse ka fraza më deduktive, strukturë më të zgjeruar të fjalive, por më pak koherencë dhe kohezion. Pra, përderisa, gjuha e formave të thjeshta letrare është më koherente dhe më kohezive, sidomos kur flitet për forma letrare më të shkurtra.

Ai tutje konsideroi se koherencën dhe kohezionin, karakteristika këto të gramatikës së tekstit, i kushtëzon zgjedhja e fragmenteve, prandaj shpesh ato e humbin karakterin e lidhjes së fortë të njësive tekstore. Pra, aty ku teksti narrativ ka koherencë dhe kohezion tematik e motivor, edhe gjuha është më konsistente, më e larmishme, njësitë gjuhësore janë më konstante. Gjithashtu, ai tregon se në tekstet e tilla narrative më lehtë identifikohet edhe gjuha e autorit, prej gjuhës së narratorit dhe asaj të personazhit.

“Shkrimi letrar sot, parë si vazhdimësi e shekullit të kaluar, pra nga vitet ’70-të, ’80-të dhe në shekullin e ri, nuk ka ndryshuar shumë në gjuhën e shkrimit letrar, sa në frymë dhe teknika narrative. Mirëpo, fryma dhe teknika narrative definitivisht ndikon në përthyerjen e gjuhës, ndërsa autorët që pas luftës së fundit kanë dalë në skenë, nuk kanë bërë ndonjë shpërthim të madh në gjuhë, por më shumë lojë frazash e figurash, por që përmes tyre i kanë dërguar shumë më lart idetë universale, temat e vogla dhe kultivuar teknikat narrative. Pa u ndalur në problemin e standardizimit, ajo që vërehet është prirja për të shkruar në variant dhe nënvariant, sidomos variantet dhe nënvariantet veriore, dhe kjo më shumë theksohet në poezi e më pak në prozë”, thotë Gashi.

Për të, nëse analizohet gjuha e shkrimit letrar sot, evidentohet dhe ilustrohet si në vijim: 1. Shkrimi letrar me gjuhë metonimike e diskurs anekdotik. Ky është modeli i Pashkut, model i ndjekur sidomos nga dy tre autorë vitet ’90-të (Kujtim Rrahmani “Taksa e Gjumi”). 2. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs historik, të cilën e vazhdon edhe sot (Ibrahim Kadriu, Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi etj.) 3. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs eseistik me (Rexhep Qosja, Mehmet Kraja etj.) 4. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs filozofik (Zejnullah Rrahmani, Gëzim Aliu, Eqrem Basha) 5. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs simbolik (Sali Bashota me prozat poetike, Zejnullah Rrahmani me fragmente të shkurtra prozaike, Ibrahim Berisha me tregime) 6. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs imazhist, një realizëm i ri metamodernist (Binak Kelmendi, Ardian Haxhaj, Adil Olluri, po edhe Mehmet Kraja, Rexhep Qosja) 7. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs me gjuhë e diskurs sintetizues, herë në dialekt, e herë në idiolekt (Ag Apolloni, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi) 8. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs dokumentues (Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Ag Apolloni) 9. Shkrimi letrar me gjuhë e diskurs politik (Rexhep Qosja, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja).

“Gjuha e poezisë kushtëzohet nga liria poetike. Mirëpo, këtë e përcakton edhe koha e shkrimit. Pra, e përgjithshmja është gjuha figurative. E veçanta është dialekti e sidomos idiolekti. Megjithatë, përfaqësimi i varianteve gjuhësore zakonisht bëhet me autorë të periudhave më të hershme letrare. Gjuha e poezisë sot, është më deklarative, është edhe metonimike. Evokon, por ajo edhe rrëfen, jo si te poemat e mëdha romantike. Poezia e viteve të fundit është stisur edhe me një narracion diku më shumë e diku më pak, për të mos thënë kah një tis të lehtë fabulativ. Dikur në poezi ka qenë gjuha dhe diskursi mitik, po aq edhe nacional. Sot kjo gjuhë a diskurs është më i vogël, por më i madh narracioni”, përfundon Gashi.

Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit, përderisa shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu, zgjeruan bisedën tutje me mendime individuale të tyre të shprehura lehtësisht nën atmosferën e ngrohtë të krijuar mes publikut dhe panelistëve.

Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.

Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, Leximi dhe Biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor dhe Gjuha e shkrimit letrar sot.

Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës.  / KultPlus.com

Të ngjajshme