Denis Hyseni u shpërblye me vendin e parë në konkursin për ese “Për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”

17 Shkurt, 2018 - 9:00 pm

Vendi i dytë në garën për ese i takoi Gentiana Azemi kurse Erzë Koca, zuri vendin e tretë.

Alberina Haxhijaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës solli organizimin “Kosova – nga historia në shtetësi”, shkruan KultPlus.
Në kuadër të këtij organizmi u shfaqën tituj të zgjedhur të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Libri për historinë e Kosovës 1912 – 2018”. Përmes saj u dha historia e zhvillimit të institucioneve publike, kulturore e shkencore dhe ndikimi i tyre.

Ndërsa muret e katit të dytë të Bibliotekës Kombëtare ishin të mbuluara përreth me lajme dhe ngjarje të prezantuara në gazetat e Kosovës, të cilat tregonin ngjarjet që kanë lënë gjurmë në Kosovë gjatë këtyre 10-të viteve. Ky publikim i artikujve i cili u bë nën moton “Kosova e 10-të Vjet Pavarësi”,
Gjithashtu u shfaq edhe një ekspozitë e artikujve të gazetave të koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nën sloganin “Eksodi 1999”. Në tersi artikujt japin dramën njerëzore të shqiptarëve të përndjekur të Kosovës në vitin 1999 dhe mikpritja dhe përkrahja që marrin në Shqipëri.
Drejtori i bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, u shpreh se pesë komponentët të cilat po shfaqen mund të konsiderohen si të ndara por së bashku tregojnë udhëtimin prapa në kohë të Kosovës nga viti 1912 e deri sot.

“Për një shtet si Kosova që dëshiron me jetu dhe me u zhvillu, kujtesa dhe ruajtja e saj kanë një rëndësi të madhe në vetvete dhe për këtë duhet punuar pa u ndal. Gjithashtu më kërku skutave e hullive për të identifikuar të dhënat e fshehura për Kosovën. Më i zbulu të shkuarat e të harruarat pasi që shumë shpejtë po lëvizim në domenin e asaj që historikisht quhet një Bibliotekë Nacionale e shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas tij kulturën e Kosovës që po e grumbullojnë e po e ruajnë, por edhe atë që e ekspozuan sot është një përpjekje e Bibliotekës Kombëtare që të bëhet një depo e madhe e kujtesës dhe përmbajtjes kombëtare të shtetit të Kosovës.
Pjesë e këtij aktivitet ishte edhe ekspozita “Shkruajmë e vizatojmë për Pavarësinë e Kosovës” e nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Pavarësia”. Nxënësit e kësaj shkollë sollën përmes shkrimeve e vizatimeve të tyre elemente të cilat kanë rëndësi për Kosovës si: NEWBORN, hartën e Kosovës, flamurin, e madje edhe heronjtë si Adem Jasharin. Sigurisht, disa prej tyre të ndërthurura edhe me elemente që ishin ndërthurur bukur nga imagjinata e tyre, si pëllumbat, lulet e që bartin mesazhe të caktuar.

Po ashtu u bë edhe ndarja e shpërblimeve për fituesit e Konkursit për Esenë për 10-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Vendi i dytë në garën për ese i takoi Gentiana Azemi kurse Erzë Koca, zuri vendin e tretë. Denis Hyseni, student për Shkenca Kompjuterike në UBT, i cili fitoi vendin e parë, sqaroi për KultPlus se esenë e tij e ka filluar me emocionet e përziera të cilat i ka ndjerë më 17 shkurt 2008, ditën kur edhe u shpall Pavarësisë e Kosovës. Duke vazhduar tutje me atë se si e sheh tani Kosovën.

“Për konkursin e kam marrë vesh shumë rastësisht. Kam qenë duke hulumtuar krejtësisht diçka tjetër në faqe të Bibliotekës dhe kur e kam parë konkursin vendosa që të garojë, duke mos e menduar se edhe do të zgjidhem fitues. Fillimisht e kuptova se isha përzgjedhur në top 75, nëse nuk gaboj, kurse tani sigurisht që ndjehem shumë mirë”, u shpreh ai për KultPlus duke treguar se do të dëshironte që gjërat të mos ishin aq shumë të ndërthurura më politikën, dhe të rinjtë ti dedikohen më shumë edukimit dhe të mos e shohin politikën rrugën e vetme për të arritur deri të një qëllim i caktuar./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme