15 Korrik, 2025 - 3:45 pm
Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë, ku përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.
Me shkrime Podrimja filloi të merret qysh si gjimnazist. Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e Re”, nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi edhe librin e tij të parë “Thirrje”. Krijimtaria e tij përfaqëson një kontribut të thellë në zhvillimin e poezisë shqipe, si në aspektin tematik, ashtu edhe në atë stilistik e gjuhësor, një kulm të poezisë shqipe moderne dhe është e njohur për fuqinë shprehëse, përthyerjet stilistike dhe thellësinë emocionale.
Veprat kryesore të Ali Podrimjes janë:
“Thirrje” (1961);
“Dhimbë e bukur” (1967);
“Sampo” (1969);
“Credo” (1976);
“Lum Lumi” (2003).
Përmbledhja më prekëse kushtuar humbjes së djalit të tij, që mbetet një nga veprat më kulmore, emocionale dhe letrare të tij është “Lum Lumi”.
Humbja tragjike e djalit, Lumit, për Podrimjen shndërrohet në një shtysë për të krijuar ‘elegjinë’ për të birin, si krijimi i tij më i thellë, më i ndjeshëm e më filozofik i gjithë krijimtarisë.
Kryesisht “Lum Lumi” si tërësi poetike shpërfaq tri periudha:
-para vdekjes së Lumit;
-në vdekjen e Lumit;
-pas vdekjes së Lumit.
Në të tri periudhat para del një Ali i dërrmuar dhe skajshëm i pashpresë. Përpos një lidhjeje prind fëmijë dhe një dashurie prindërore, vepra përçon kryesisht një vuajtje, e cila herë-herë edhe e plotëson idenë e fundit shpirtëror të poetit. Në heshtjen e vargut, poeti mban dritën e tij të thyer, Lumin. Jo vetëm si emër, por si plagë e hapur, jo si fëmijë por si dhembje që flet.
Në një gjendje të tillë deliriumi, mërzie e krijimi njëherësh, dhembja e Podrimjes kthehet në një dhembje të “lumshme”.
Poeti e lumnon qysh në titull të veprës Lumin, por Lumi për të është humbja e rrëzimi, dhembja e silueta e një distopie. E ardhmja ideale e Podrimjes rrënohet, por e rrënuar lumnohet.
Në një rrënim të tillë ekzistencial qenia poetike është përherë në një kërkim, kërkim ky që çon drejt një instance më të madhe e më të fuqishme se vetë njeriu. Podrimja nuk kërkon shkas për vdekjen e Lumit, por vdekjen e kthen në një paradoks, aty ku jeta mbaron, poezia rilind, vdekja lumnohet, vepra kthehet në një tempull për të birin.
Në thelb të “Lum Lumit” pra, shohim se si mungesa bëhet lëndë ndërtuese dhe dhembja bëhet formë e përjetësisë. Ai nuk shkruan poezi për të vajtuar, por për të gdhendur në gjuhë një përballje ekzistenciale, gjë që e pohon edhe vetë ai në parathënien e veprës:
“Nuk i kam respektuar disa trajta të gjuhës standarde. Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin.”
Poezia e këtij vëllimi poetik, si akt krijimi, është një manifest poetik mbi qenien, humbjen.
Podrimja nuk i gjen e as nuk arrin t’i jap përgjigje pyetjes përse vdes Lumi por ia mvesh një domethënie poetike vdekjes së tij. Ai e lumnon Lumin jo përmes iluzioneve, por përmes artit dhe e bën atë të mbetet i gjallë në një mënyrë më të thellë se sa do ta lejonte vetë jeta. Në këtë përballje, poezia fiton ku jeta dorëzohet./ KultPlus.com