Dhembje mesjetare arbërore

19 Janar, 2019 - 9:40 pm

Përqasje për romanin e Vath KORESHIT, Ulku dhe Uilli, Prishtinë 2005.

Nga Don Fatmir Koliqi

Romani i mirënjohur i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli“, në shikimin e parë lë përshtypjen e një romani me pak faqe e i parëndësishëm, me një titull paksa të çuditshëm, me një gjuhë të “harruar“ tanimë. Disa thonë se lexohet me vështirësi, se ka fjalë të panjohura, primitive, gegërishten – fjalë të nëndialekteve gege, dhe se ajo belbëzon përballë epokës së njësimit dhe shqipes standarde. Por, ai që ka durim për të lexuar letrat e bukura estetike të shqipes, ai do të kap mjeshtërinë e fjalës shqipe, madje më të bukurën, që Koreshi vë si porosi universale në roman. Ky roman do të konsiderohet njëra ndër veprat më të arrira të autorit. S’duhet ta harrojmë se letërsia ka artin e vetë të të lexuarit; ajo nuk lexohet si lajm ditor, nekrologji a propagandë gazetareske. Kjo e vërtetë do të duhej të kihet parasysh posaçërisht në leximin e romanit “Ulku dhe Uilli“.

Shtegtim në mesjetën e përhimtë shqiptare

Mesjeta shqiptare, kjo dhembje që lëngon me shekuj, kjo mugëtirë që e ka bërë të vrugtë qenien e shqiptarit, duke e tëhuajsuar shpirtin/identitetin dhe kulturën e tij; zierje e (nën)ndërgjegjes dhe (mos)shpërthim i saj permanent në njëmendësinë kolektive shqiptare.

Kjo periudhë historike që jemi mësuar ta lexojmë në librat e historisë, herë-herë e shtrembëruar dhe e ngarkuar nga komunizmi e islamizmi shqiptar, Vath Koreshi, me një mjeshtëri të rrallë prej romansieri, e shpalos të përbrendshmen/spiritualen e thyer shqiptare përballë të jashtmes ogurzezë dhe të errëtën e njeriut otoman.

Ngjarja e romanit është formësuar në mesjetën shqiptare, në malet e thepisura të veriut shqiptar, në shekullin XV.

Autori e fillon kallëzimin e vet për dy meshtarë vëllezër që përngjajnë mes veti si dy pika uji, munshinjur Agushtini dhe munshinjur Bdeku, të dytë famullitarë që shërbenin në dy kishat, Shndue dhe Shndre, afër njëra-tjetrës në veriun e Shqipërisë. Dy vëllezërit në dukje janë të ngjashëm si binjak, por për nga karakteri e shpirti janë tepër të kundërt. Njëri me qëndrueshmërinë e fesë dhe moralit të krishterë triumfon ndeshtrashat dhe vrugësimin mesjetar shqiptar, kurse tjetri i luhatshëm për nga karakteri dhe i shthurur kah morali, bie pre e botëkuptimit të ri religjioz, që tundon e përpin fe e komb; atë që sjelli Perandoria Osmane. Agushtini është personazh që e përjeton shumë rëndë shthurjen e vëllait me të bukurën tundimtare, Luçijen. Për të, vëllai bëhet Satana – Judë e Luçiferr, diabolik, shthurës i traditës, fesë, moralit dhe kombit shqiptar. Prandaj, ai ik, ik nga dhembja! Shkon në Kuvend, drejt folesë së fesë për të gjetur përdëllim (f. 57), për ta lutur Zotin; vuan nga rënia e vëllait – popullit të vet (simbol – Bdeku).

Përmes këtyre dy personazheve, V. Koreshi ka krijuar dy kategori njerëzish – grupesh të popullit tonë gjatë përleshjeve mesjetare me pushtuesin osman, që donte ta shkrijë në gjirin e vet popullin shqiptar. Kategoria e parë: ata që deri në frymën e fundit duan ta ruajnë traditën dhe fenë e të parëve – krishterimin apostolik tek shqiptarët, e, bashkë me të, moralin e pastër të tij – dhe të tjerët (kategoria e dytë) që mpaken moralisht, etnikisht, tëhuajësohen dhe humbin identitetin nacional dhe fetarë. Apo, siç shprehet Adem Abazi, nëpërmjet të disa shpërfaqjeve të vogla, krijohet ideja e përgjithshme e gjendjes së popullit shqiptar. (Koha ditore, e mërkurë, 16 shkurt 2005, f. 20).

S’është e rastit gojëdhëna e të rrëfyemit e një plaku, i Apripës së Epërme, prej ku autori nxjerr shkakun e të kallxuemit. Për të treguar rënien e dinjitetit dhe identitetit kulturor dhe fetarë të shqiptarëve, autori krijon mjeshtërisht personazhe nga rrethi më i ngritur, më i qëndrueshëm në traditën e shqiptarëve – institucionin e Kishës, shërbëtorët e saj – meshtarët, që pa dyshim konsideroheshin qëndresë permanente e ruajtjes së fesë, mbrojtës të kulturës së stërlashtë iliro-shqiptare. Ky institucion ia mundëson prozatorit hapësirën për të shpalosur tërë forcën e dhunën psikike dhe imponimin e pandashëm fetarë e kulturor të pushtuesve mesjetarë, përkatësisht dhunën e pandashme të osmanëve në trojet e Arbërisë. Koreshit nuk i intereson personi, në këtë rast një prift katolik i veriut, por ai tronditet e do me na kallxue trishtimin e popullit tonë gjatë një kohe tejet të vështirë, tejet të dhunshme e tejet konfuze. Është e çuditshme, se deri më tani, ndoshta, askush si Koreshi s’e ka paraqitur, përmes zhanrit të prozës, shpirtëroren e njeriut shqiptar dhe martirizimin shpirtëror të tij gjatë kësaj periudhe kohore shumë të mjegullt e të pagjurmuar krejtësisht. Dhe besoj se ia ka dal të tregojë një pjesë të saj?! Po, a mund të tregohet krejt ajo që i ka ndodhur shpirtit të shqiptarit gjatë asaj kohe?!

Jehu i shpirtit të krishterë përballë çnjerëzisë/barbarisë osmane

Krejt kompozimi narrativ i Koreshit, i paraqitur përmes një gjuhe artistike, pa abstraksione, por me figuracione dhe metafora letrare, të shpie në thellësitë e shpirtit të të krishterëve shqiptarë, që vuanin shtatëdhjetë vjet që krahina qe ndryrë në një vetmi rrënuese. (f. 19); ndrysja do të shkaktojë shthurje shpirtërore tu e plogështu kombin e fenë. Shthurja do pjellë dëshpërimin. Dëshpërimi do të sjellë degradim e dorëzim përballë tundimeve të pushtuesve. Në sferën e moralit është një e vërtetë: s’mjafton të mos e pranosh të huajën apo të mos ndërrosh parimet e sjelljes dhe jetës – kulturën, por po të doje të qëndroje aty ku je, nevojitet qëndrueshmëria permanente në traditën/ethosin tënd. Agushtini është figura e atij që bën përpjekje për ta mbajtur e për ta ruajtur të mbijetueshme traditën e trashëguar, figurë kjo e pjesës shqiptare të stërvuajtur shpirtërisht, ngase me sytë e vet e shihnin zhveshjen e petkut fetar e kombëtar (“e linte zhgunin e famullitarit dhe shkonte në vendin e armiqve të tyre.“ f. 57).

Ai (Agushtini) ishte mbyllur e nuk dilte me javë të tëra – shënjon izolimin e të krishterëve që nuk u mposhtën para osmanëve; rrinin edhe të ngujuar, por nuk donin ta shitnin të veten, më të çmuarën, identitetin e vet (fetar e kombëtar). Kurse vëllai i tij shkonte në Urbs, në qytet te Bojrogu, në pjesën e armiqve, pushtuesve dhe kushedi me çfarë merrej andej (f. 56). Pjesa tjetër, s’mundi t’i përballojë imponimit osman; ai tanimë ishte në anën e tyre – ishte bërë krah i tij. Ia kishte magjepsur sytë qyteti me zbukurimet e veta; dëfrimet dhe hamullit që i binte Urbsi, njerëzit e harronin vetveten e tjetërsoheshin në të huajën. Atje shitej e blihej gjithçka, madje edhe trupi; fëlligështia ishte bërë profesion dhe Luçija jetonte nga kjo e ndyrë që e sollën të huajt. Ajo nuk kishte më atë bukuri të një gruaje të përpa(r)shme, ishte tharë e vyshkur në shpirt. Një hije e rëndë ia kishte vjedhur tërë atë bukuri prej gruaje:  “…një fytyrë e bukur shpesh nuk është pasqyrë e një shpirti të mirë“. Shumë kishin lëshuar rrugën e Zotit për bukuritë/kënaqësitë e çastit; ata i gëlltite Urbsi. Autori, si metaforë të çnderimit, shthurjes, përçudnimit, tëhuajësimit, shndërrimit dhe shkrirjes së traditës, këtu e merr Urbsin, qytetin ku ishin shtrirë turqit. Atje jetohej jeta e haremit, e çoroditjes morale. Aty ndodhin degradimet e qenies njerëzore, shpirtit të njeriut; aty humbej të qenurit shqiptar i krishterë, të qenurit në traditën e kulturën shqiptare; atje humbej dinjiteti i burrërisë dhe i femrës së dëlirë shqiptare.

Pjella e të pagdhendurës

Vrana, personazh i Koreshit, i përngjan një të çmenduri të fuqishëm, shtatlartë e muskulor, që shpeshherë i ikte mendja e kresë e për pushtet e flirt në dashuri, ishte i gatshëm ta bënte më të keqën – edhe të vrasë. Person, ky, i bërë dysh; dëshira për ta mbajtur kishën çelë – për të mbetur pushteti dhe sundimi i epshit të papërmbajtur ndaj gruas (Domenikës) së martuar – prija për flirt.

Koreshi, përmes personazhit të Vranës, paraqet atë epshin e shfrenuar të njeriut të padijshëm, të pagdhendur e shtazarak të maleve. Person ky që krejtësisht është i prirë nga instinktet. Madje, Koreshi përmes Vranës, do ta pasqyrojë gjendjen e rëndë të thyerjeve shpirtërore, kohën  pa vlera e pa kulturë të mirëfilltë. Nëse gjithçka kishte shkuar aq larg, përkatësisht kishte filluar, madje tanimë po sundonte kultura e jo-vlerës, kur gjithçka ishte kthyer me kokë për dhé, atëherë vijnë në pushtet njerëz injorantë, mullinxhinjë e njerëz të malit. Koreshi na kujton se shumë vese të rrënjosura tek ne, na i kanë mbjellë ata. Nëse do ta shkatërrosh një popull, atëherë përpiqu që në udhëheqjen e tyre të vijnë njerëz të pagdhendur, injorantë. Ata do ta shkatërrojnë vetë popullin dhe kulturën e vet. Vrana do ta djegë Frederikun, sepse ishte pengesë për ta pasur pronë të epsheve të veta Domenikën. Ai do të sajojë në trurin e tij komplote kundër Injacit, priftit të shkolluar që kishte ardhur për të ri-jetësuar pastoralin e famullisë së Shndus. Injacin e sheh si kundërshtar që do t’ia marrë pushtetin. Kur Vrana s’mund t’ia dalë me sajimet e veta, vendos për më të keqen – ai do t’i djegë dy kishat, Shndun dhe Shndren. Ky shpirt i njeriut që shtrihet gjithandej, e bërtet nga gjenerata në gjeneratë nëpër popull: kur s’mund ta mbaj unë s’do ta kesh as ti. Koreshi këtu ka formësuar mjeshtërisht përleshjen e përhershme të injorancës dhe kulturës, jo-vlerës dhe vlerës, të mirës dhe të keqes, që në vazhdimësi rishfaqet në nënqiellin Tonë e që sjellin në katedra prijës të padenjë. Të padijshmen, injorancën, është vështirë për ta luftuar; e padijshmja bëhet si kodër e pamposhtur, kur ajo merr përmasa të zgjeruara e futet në shpirtin e njeriut dhe në institucionet udhëheqëse, në njëmendësinë dhe kulturën e të jetuarit. Por, përkundër kësaj fuqie, njeriu me vlerat e veta fisnike duhet t’i dalë përballë e ta ndalë atë, sepse është e vetmja rrugë që shpie ka liria, drejtësia dhe rritja e shpirtit të shqiptarit, kah kulmet e kulturës së mirëfilltë njerëzore.

Vendi kish mbetë shkret

Gjendja e krijuar, i ngjante një skëterre; kisha të mbyllura, “Kish mbimun bari e ish rritë shkorreti e i kish zaptue tërshana e egër oborret e dyert e mbylluna si të kishës Shndout ashtu edhe të kishës së Shndreut. …po bahen mote që s’janë! (f. 29). Ç’trishtim, o Zot, që ta trondit zemrën! (Po aty). Autori na e paraqet krejt atë tmerr që kanë lënë ata të Bojrogut. Gjithçka kishte marrë ngjyrë tjetër, gjithçka po gjëmonte në afshin e saj të përdheshëm. Vendi zbardhte nga foltoret e Bojrogut. Ato sa vinin e u afroheshin maleve. Të gëlqerta dhe me një hovje të vrullshme të qiellit, ato i shfaqeshin herë në udhëkryqe e herë në rrahe të thata kodrash. Disa kishin qenë kisha dikur, por ishin bërë tjetërsoj tani dhe nuk njiheshin më. Nëpër sy i ngatërroheshin pamjet e katundeve të vjetra plot rrënoja e ngrehina të hershme. Si nëpër një farefisni të lashtë i bëhej sikur ecte, si përmes njerëzve që kishin qenë të një gjaku dikur, por tani që qenë ndarë e qenë bërë të panjohur tani. Jo vetëm të panjohur … por qenë bërë edhe armiq.(f. 108). Armiq që duan t’i shkulin nga dheu. Ata që dikur kishin qenë të krishterë (të ashtuquajtur kastigatorët e Bojrogut), por tani u kishte hyrë djalli dhe vijnë e trazojnë njerëzit. (f. 114-115).

Njerëzit i ngjanin skëterrës gri, barit të vyshkur të shkarravitur mbi kalbësirat e gjerdhaneve të vjetër. As qielli nuk ishte si më parë. Mbi të ngriheshin e fluturonin tufa sorrash të zeza. Edhe ai ishte ngrysur. Mbretëronte gjendje e shastisur vetmie. Dukej se të gjithat i kishte marrë pusi.

Këtë gjendje autori e shpreh edhe me disa metafora si këto: „Gjaja, hirësi, ma parë luadhin e ha ndër anë“, „një Zonë e hijedritës“, „Jemi në skaj dhe skajet janë të shkelme dhe barin s’e kanë fortë të rritë“. (f. 57). Gjendje kjo e ekzistencës, e pyetjeve të skajshme ekzistenciale (Kierkegaard). Skaji përherë është i ligsht. Populli po ndeshej me shfarosjen e tërësishme të vetvetes, atë që kishte para syve dhe s’kishte fuqi as fizike as morale ta përballonte. Skaji ishte luhatur dhe kishte shthurur qenien arbërore. Ai nuk mundte më vetëm, pa ndihmë, t’i dalë përballë një fuqie që s’i përligj mjetet për të arritur qëllimin. Për një kohë ishin të harruar në atë skaj të mallkuar, të lënë pas dore dhe të dënuar që të shfytyrohen krejtësisht. Kjo ishte vuajtje e madhe. Elementi njerëzor nuk kishte më asnjë shpresë – gjithçka ishte shuar. S’kishte mbetur tjetër, përveç të ngritën duart dhe zemrat kah Perëndia, „Zoti i faltë se nuk dinë se ç’bëjnë“(f. 115), për t’i shpëtuar nga kjo katastrofë.

Shkret s’kishe mbetur vetëm vendi, shkret kishin mbetur edhe njerëzit. S’kishte bari për t’i udhëhequr. Një realitet i lënë pas dore, sikur thotë Jezusi: „Ishin të nëpërkëmbur dhe të lënë pasdore si delet pa bari“ (Mt 9, 36). Grigja kishte mbetur pa Yllin (Uilli) prijës, kurse Ujku (Ulku) ishte afër dhe priste si t’i grinte me dhëmbët e vet të mprehtë si thika; krahina kufizohej me Bojragun – osmanlinjtë. Asgjë nuk ishte e sigurt, krejt vendi lëngonte nga hija e vdekjes, shuarjes së shpirtit njerëzor e hyjnor. Kishin mbetur vetëm pak njerëz, që dalëngadalë i grimconte për së gjalli krimbi i kohës.

Uilli i shpresës – Zoti s’çon dorë prej njeriut shqiptar

Gjatë të lexuarit të romanit „Ulku dhe Uilli“ të V. Koreshit, ta merr mendja se mbarimi nuk do të ketë një happy end, ke ndjenjën se gjithçka do të mbetet me ngjyrë të përhimët zie dhe çdo shteg do jetë i mbyllur, çdo vrimë do jetë e murosur e nuk do të mund të përvijohet as edhe një fije drite. Ah Drita! A ka terr pa Dritë?!

Por qe shfaqur drita e Zojës së Lumnueme s’i shenjë që Zoti si kishte harruar“(f. 57). Ja Uilli – ylli i shpresës!? Këtu shpaloset një e vërtetë e madhe biblike, se Zoti nuk i harron bijtë e bijat e veta.Zoti është shpresë e pashuar e njeriut të vuajtur dhe të braktisur. Ai është Drita që kurrë nuk shuhet, përkundër të errtës njerëzore që mundohet të verbërojë e të zymtojë shpirtin e njeriut. Njeriu nuk është përherë i prirë të jetë vëlla dhe mik i tjetrit; ai di të jetë edhe Ulk, ujk. Pra, njeriu di të harrojë, di të shkatërrojë, di të jetë djalli vetë. Por Zoti nuk harron. Zoti kurrë nuk tëhuajësohet në natyrën e vet – Ai është përherë krejt Mirësia dhe Dashuria.

Koreshi nuk na le në gjendje zie, por na shpie kah ringjallja, kah liria, kah Drita.

Shpresa e ringjalljes paralajmërohet përmes një Zëri. Agushtini i mbyllur prej disa vitesh në manastirin e Shëndërtarit (S. Trinitatis) kishte dëgjuar një zë si në vegim, se kisha e Shndusë ishte djegur krejtësisht nga zjarri e s’kishte mbetur asgjë nga ajo, përveç grumbull gurësh, porse Ikona e T’Lumnumes kishte shpëtuar e tëra pa u djegur. Sikur Zoti ia tregon Agushtinit se nuk ka mbaruar gjithçka. Nuk ishte shuar krejtësisht ai shpirti që e kërkon të hyjnueshmen. Ikona e Zojës është simbolika e ringjalljes së asaj nahije, fillimi i rivlerësimit dhe i rimëkëmbjes nga zvetënimi. Tani kishte rilindur vetëdija se kishin humbur dinjitetin. „Me atë ikonë, njerëzit sikur po kujtoheshin për diçka që e kishin harruar. Sikur po dilnin në një dritë dhe atje po e shihnin se sa shumë gjëra qenë shkatërruar në shpirtin e tyre“ (f. 84). Sikur po dilnin nga terri i shekullor, nga ajo shpella platoniane injorancës për ta parë Diellin e Jetës e të Urtisë. Mallëngjimi për vlerat autoktone përmes Ikonës, rimbjell në vendin e shkretuar e të rraskapitur. Përsëri jetësohen ritet fetare, jetësohet pastorali – kujdesi shpirtëror kishtar, forcohet feja dhe gjithçka niset nga fillimi. „Turma besimtarësh shkonin në atë shpellë dhe luteshin para Zojës. Mbushej dheu me një mërmërimë që ngrihej drejt qiellit, me diçka që ta çlodhte dhe ta prehte shpirtin“(f. 116). Shpirti i stërlodhur i shqiptarit po e ri-gjen prehjen e vet. „Ejani te unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë  e unë do t’ju çlodh … Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj (Mt 11, 28 – 29), thotë Jezusi.

Tani Zoti krijon vetë në natyrë vendin e shenjtë dhe shfaq fuqinë dhe përkujdesjen hyjnore, duke i dalë në ndihmë qenies së stërvuajtur shqiptare. Zoti, në natyrën e vrazhdë të trojeve veriore, kishte formësuar një shpellë që i ngjante një kishëze (kapele) për ta ruajtur Ikonën e shenjtë, atje ku mblidheshin besimtarët e paktë që u kishin shpëtuar mrekullisht shfytyrimit dhe përçudnimit. Autori na përkujton një të harruar që konsiston në ribërjen e vendit, se edhe toka ofshan kur dhunohet e keqtrajtohet njeriu. Të kujtojmë, kastigartorët përdornin gurë për të bërë dëm – për të vrarë, i rrokullisnin drejt konaqeve të të krishterëve që donin t’i shfarosnin nga faqja e dheut. Kurse tani ajo Tokë është në anën e të shenjtës, e të hyjnueshmes dhe e mban në gjirin e vet Ikonën. Autori ndoshta edhe pavetëdijshëm tërheq vëmendjen: Toka jote është e shenjtë, mos e shkatërro atë, mos e shndërro atë kundër njeriut tënd; ajo është vendi, nëpërmjet së cilës ngritësh në lartësi: prek shijen e hyjnueshme dhe ndiejnë  aromën e vëllait tënd e motrës tënde.

Viti 1996

Është ky viti kur u shkrua ky rrëfim. A s’na përkujton autori se edhe në shekullin XX e rikaluam një përhimtësi të tmerrshme mesjetare? Cila është Drita e sotme që është shfaqur si shpresë se Zoti nuk e ka harruar qenien shqiptare? Ku është Ikona e t’Lumnumes për ne sot?/ KultPlus.com

Të ngjajshme