Diart Salihu boton librin “Kur vetmia bëhet ngushëllim”, një pasqyrë mbi perspektivën e rinisë në Kosovë

26 Maj, 2023 - 11:04 am

Diart Salihu është nxënës në shkollën e mjekësisë “Rezonanca”, i cili duke qenë vetë një i ri dhe duke parë sfidat me të cilat përballen të rinjtë, ka vendosur që të shkruaj një libër si pasqyrë që flet mbi perspektivën e rinisë në Kosovë. Libri u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe mblodhi rreth vetës miq e dashamir të librit, shkruan KultPlus.

“Kur vetmia bëhet ngushëllim” titullohet libri i cili lidhet me perspektivat e një të riu mbi çështje që i preokupojnë aktualisht, siç janë: Cilësia e dobët e sistemit arsimor, çka ka qenë Kosova, çka është dhe çka do të bëhet, feminizmi-barazi apo seksizëm, gjithashtu në libër Diarti ka përfshirë edhe disa poezi.

“Isha jashtëzakonisht i nderuar që të promovoja librin tim të parë, “Kur vetmia bëhet ngushëllim”. Të gjithë kanë synimet e tyre, mirëpo ne duhet të punojmë që të konsiderojmë veten liderë në fushën në të cilën e konsiderojmë veten pjesë të saj. Ne nuk duhet të presim mundësi që të na ofrohen, sepse ne duhet t’i krijojmë ato dhe jo të varemi nga dikush tjetër.

Gjithashtu, konsistenca është çelësi i çdo arritjeje të çdo individit. Qëndrueshmëria përballë bullizmit, fyerjeve dhe sharjeve duhet të kthehet në punë, vullnet dhe rezultate të shkëlqyera”, shprehet Diarti i cili tutje thotë se është shumë e rëndësishme që të gjithë të rinjët të jenë optimistë dhe të mos heqin dorë nga qëllimet e tyre. Kosova i përket rinisë dhe vetëm ne mund të bëjmë revolucione, sepse bota është e jona.

“Një rini produktive krijon edhe një brez të ri produktiv, dhe këtë produktivitet e fitojmë vetëm me vetëdijesim kolektiv. Si ish-aktivist për çështje që ndërlidhen me rininë, besoj që sot në shkolla nuk krijohet kultura e punës, nuk ka hapësirë shumë për të zhvilluar mendimin kritik dhe nevojitet angazhim shtesë që të avokojmë për çështjet që dëmtojnë interesin tonë”, shprehet Diarti i cili krejt për fund falënderon edhe redaktorin e librit Prend Buzhala dhe gjithë ata që e mbështetën në këtë udhëtim. / KultPlus.com

Të ngjajshme