Dije Demiri Frangu shpërblehet me çmimin “Agim Ramadani” për poezinë ‘Njerëzit edhe janë të çmendur’

24 Shtator, 2023 - 12:30 pm

Poetja Dije Demiri Frangu së fundmi është shpërblyer me çmimin “Agim Ramadani” për poezinë ‘Njerëzit edhe janë të çmendur’, në “Takimet e Dom Mikel Tarabuluzit” në Stubëll, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni poezinë fituese:

Njerëzit lexojnë Spinozën shetisin parqeve me Enkidun
Tallen me vdekjen e Sokratit mureve antike ngulin sytë
Si të dashurave mërzinë amforave të lashta ju fshijnë pluhurin
Dashurohen në kokën e trupin e Afërditës të Herës i bëjnë dashnore
Në muskujt e hedhësve të shtizave dashurohen
E në ëndërr shohin statujen e Zeusit
Të gjithë e mendojnë veten aktorë të Bylisit
Leni krejt më mirë besoni se
Janë të krisur në zemër i duan mëkatet i hymnizojnë
Shumë vdesin të marrë e të evidentuar si të padijshëm
Anipse i dinë gurutë i këndojnë lirikat popullore të dashnisë
Provojnë ta shtrydhin frikën ta ndrydhin ankthin
Tërë jetën me gurin e shpresës nën gjuhë jetojnë
Këndojnë urata udhëtimeve të gjata e vdesin të padijshëm
Të mashtruar si fëmijët e kopshteve të cemtë mbesin
S’ i përcjellin fluturimet e zogjve vdesin pa u bërë valë deti
besoni janë edhe budallenj, vrasin mushkonja minj fëmijë
vrasin gra me gjoksa t ‘bukur si koka e Lybotenit, këmbëdrejta si lisat e Sharrit
Njerëzit janë të çuditshëm askush s’ ju bie n ‘fije janë edhe budallenj
O sa budallenj të dashur janë disa nga ta / KultPlus.com

Të ngjajshme