Dileri i parë shqiptar në Amerikë bëhët subjekt romani

11 Maj, 2019 - 5:00 pm

Një trafikant droge shqiptar, i mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arrestohet në Francën e vitit 1940. Shkrimtari i madh belg, Zhorzh Simenon (Georges Simenon), njohur më së shumti si babai i “Komisarit Megre”, një pjesë së jetës së tij ja ka kushtuar shkrimit të një novele që ka në qendër shqiptarët.

Shkrimtari që njihet për subjektet policeske, vendos në qytetin bregdetar francez Sherburg (Cherbourg) para gati 80 vjetësh, një histori të habitshme; dy pleq të vetmuar shqiptarë, që presin në port shfaqjen e djalit të vetëm, që jetonte në Shtetet e Bashkuara. Por kur djali mbërrin, policia e arreston si trafikant heroine…

Dy pleqtë, ai si skërfyell dhe ajo, e shkurtër dhe e shëndoshë, mbërritën në Sherburg me tren, sigurisht me bileta të klasit të tretë, shkruan abcnews.al. U vendosën në hotelin “Dy kontinentet”. Kishin më shumë bagazhe, sesa dhjetë udhëtarë të marrë së bashku. Bagazhe të varfra, trasta, valixhe të vjetra me lëkurë cjapi, pa harruar edhe një copë të madhe proshutë derri, që e varën menjëherë diku në dhomë.

Të gjitha përpjekjet për të kuptuar gjuhën e tyre rezultuan boshe. Madje, edhe pasaportat e tyre të lerosura lexoheshin me mjaft vështirësi. Më në fund, u arrit të zbulohej se ata ishin shqiptarë. Jarko, një jugosllav i punësuar si zhytës, bisedoi gjatë me ta. Por, a mori vesh ndonjë fjalë që dilte nga goja e tyre? E gjitha që mund të thoshte ai dhe kuptohej lehtësisht se ia mbyste kot, ishte fakti se ata prisnin dikë. Djalin e tyre? Do të mbërrinte nga Nju Jorku me tragetin “Ile-de-France”.

Për momentin, ata ishin të vetmuar dhe nuk kishin ndonjë njeri që të përkujdesej për ta. Dhe kështu, për tri javë rresht, sapo zbardhte drita, ata shkonin në port për të pritur një traget, herë gjerman, herë italian. Më pas ktheheshin në hotel duke njoftuar, sigurisht me shenja të dëshpëruara mohuese, se personi që prisnin, edhe atë radhë nuk mbërriti. Pjesën tjetër të ditës, gruaja e kalonte e zhytur në kolltukun e hollit të hotelit, ndërsa burri digjte një duhan me aromë të çuditshme në llullën e tij të gjatë e të skalitur.

Meqë çifti i pleqve nuk kishte paguar ende asnjë nga faturat e fjetjes dhe të ushqimit, pronarët e hotelit i kërkuan ndihmë policisë. Komisarit iu desh t’i shfletonte pasaportat kushedi sesa herë, por në fund nuk kuptoi asgjë. Dhe meqë në Sherburg nuk ka konsullatë të Shqipërisë, të gjithëve u vajti mendja t’i kërkonin ndihmë kapitenit Rej, një marinari tashmë në pension, por që e hiqte veten se merrte vesh nga të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Kur erdhi ky, plaku hapi një portofol të lashtë me kënde prej bakri dhe nxori një copë letër. Ishte një çek dhjetë mijë dollarësh, shoqëruar edhe me një letër të djalit të tyre, Gjon Fulki. U kishte shkruar prindërve të tij që nga Nju Jorku, ku jetonte dhe ku kishte bërë para të madhe. Çekun ua kishte dërguar prindërve të tij, për t’u mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin në Sherburg. Aty, ai do të vinte për t’i takuar dhe për t’i marrë në Amerikë, ku u kishte blerë një shtëpi në mal, që ata të kalonin pensionin si zotërinj.

Por në bankë, drejtori i tha troç shqiptarit plak, se nuk mund ta pranonte çekun e Nju Jorkut. Djali i tij kishte harruar të kryente një formalitet të vogël. Mungonte një hollësi. Jarko i shoqëroi dy pleqtë në hotel.Për të mos rrezikuar humbjen e gjithçkaje, pronarët pranuan që t’i mbanin edhe një natë tjetër. Fundja, nesër do të mbërrinte trageti “Paris”. Dhe nëse djali i tyre nuk do të ishte edhe aty, çiftit plak do t’u jepnin duart.

Të nesërmen, të dy pleqtë vrapuan për në mol. Në bordin e “Paris-it”, personeli i shërbimit ndodhej në lëvizje të pandërprerë dhe disa zotërinj vendosnin vula, që u jepnin udhëtarëve të drejtën për të zbritur në tokë. Papritmas u dëgjuan britma gëzimi nga të dy palët. Hamalli i hotelit “Dy kontinentet” fërkoi sytë nga habia. Të dy pleqtë, fare pranë urëzës së tragetit, kërcenin pupthi në një delir të vërtetë.

Makthi mori fund! Gjoni mbërriti! Një Gjon me pamje të jashtëzakonshme: fytyrëzbehtë, qimezi dhe i veshur “shik”.Ua la në dorë pasaportën dy burrave që shkëmbyen aty për aty shikimet dhe i kërkuan që të priste një çast. Më pas, e ftuan që të shkonte në barin e tragetit, ku e prisnin dy burra të tjerë, të cilët i bënë të ditur se ishte i arrestuar.

Tek zbriste nga trageti, Gjoni ishte me pranga në duar. Të shoqëruar nga dy burrat e drejtuan te një veturë. U dëgjua zhurma e derës që mbyllej dhe vetura u nis. Të dy pleqtë u kthyen në hotel, ku pak më vonë mbërriti numri i ri i “Farit të Sherburit”. Në faqe të parë, fotografia e Gjonit dhe një titull i madh anonçues: “Një gjah i bollshëm”.

Në artikull saktësohej se policia kishte mundur të arrestonte një ndër trafikantët kryesorë të heroinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pronarja e “Dy kontinenteve” urdhëroi hamallin që t’i nxirrte në rrugë bagazhet e dy pleqve. Por burrit të saj filloi t’i punojë mendja.

“Një trafikant heroine… Këta tipa kanë mbrojtje dhe mbështetje lart… Edhe çeku dhjetë mijë dollarë ishte sigurisht i saktë… Xhanëm shpenzimet e këtyre dy pleqve nuk janë dhe aq të mëdha…”. Një buzëqeshje u përvijua në buzët e tij.

Ndërkohë dy pleqtë ndodheshin tashmë në trotuar dhe nuk po e kuptonin se ç’lajm tjetër të hidhur po vinte t’u kumtonte pronari. Ky i fundit u kërkoi ndjesë dhe i luti që të riktheheshin në hotel. “Ishte thjesht një keqkuptim”. E shoqëroi çiftin e pleqve në sallën e ngrënies, e cila po bëhej gati të mbyllej. Që nga aty i briti gruas së tij:

-Zhermenë! Shtro tryezën për Zotin dhe Zonjën Fulki!…

Botuar më 16 maj 1940, në faqen 8, të numrit 601 të së përjavshmes pariziene “Gringoire”.

Të ngjajshme