Diskutohet figura e Gjergj Kastriotit në Muzeun Historik Kombëtar

21 Maj, 2025 - 2:00 pm

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të misionit të tij për të sjellë më afër publikut figurat e rëndësishme të historisë sonë kombëtare, organizoi të martën një takim mbi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, si pjesë e një cikli bisedash që do të vijojnë dhe në të ardhmen.

Nëpërmjet të dhënave historike akademiku Pëllumb Xhufi parashtroi pse Skënderbeu nuk ishte thjesht një udhëheqës lokal, por një figurë me ndikim të gjerë në politikën europiane të shekullit XV. Ai vërejti se “strategjia diplomatike e Skënderbeut dhe lidhjet e tij me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit tregojnë një udhëheqës me vizion europian”.

Nga perspektiva kulturore dhe muzikore studiuesi Zhani Ciko theksoi ndikimin e figurës së Skënderbeut në krijimtarinë muzikore shqiptare.

“Himnet, operat dhe veprat muzikore të frymëzuara nga Skënderbeu janë dëshmi se figura e tij nuk ka frymëzuar vetëm historianët, por edhe artistët ndër shekuj”, u shpreh Zhani Ciko.

Ndërsa në aspektin ushtarak prof. as. dr. Bernard Zotaj në referimin e tij e përshkruan Skënderbeun si një gjeni të strategjisë së luftës, duke veçuar manovrat taktike të tij, përdorimin e terrenit malor dhe shpërndarjen e ushtrisë së vogël në mënyrë të zgjuar, të cilat janë shembuj që studiohen edhe sot në akademitë ushtarake./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme