Ditën kur vdiq, Fan Noli nënvizoi disa vargje në një libër

24 Janar, 2018 - 10:05 pm

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij.

Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën.

Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli.

Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme