‘Ditët e Albanologjisë’, edicioni i katërt vjen në dhjetor

29 Nëntor, 2018 - 9:47 pm

Akademia e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e IX të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë”. Këto veprimtari do të zhvillohen në datat 3, 4 dhe 5 dhjetor 2018, duke filluar nga ora 10.00.

Në datën 3 dhjetor në ambientet e sallës “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të zhvillojë punimet konferenca shkencore me temë: “Skënderbeu dhe epoka e tij”. Me datë 4 dhjetor, në sallën “Kostandin Shpataraku”, të Muzeut Historik Kombëtar do të zhvillojë punimet konferenca me temë: “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri”. Gjithashtu, po në datë 4 dhjetor, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të bëhet prezantimi i botimeve të reja, të realizuara gjatë vitit 2018, nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Në datë 5 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00 në mjediset e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit do të mbahet ekspozita “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”, me kuratore prof. dr. Afërdita Onuzi dhe dr. Ermela Broci.

Po këto ditë në një tjetër aktivitet, në ligjëratën e radhës, prof. dr. Afërdita Onuzi foli për punimin e drurit dhe gdhendjen e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ajo bëri një paraqitje të hollësishme të tipologjisë së punimit të drurit, duke filluar nga zbukurimet e tavaneve, deri tek objektet e përdorimit të përditshëm, si: vegla pune, enë kuzhine etj. Po ashtu, një hapësirë e veçantë iu kushtua aplikimit të motiveve të ndryshme në gdhendjet më dru, ku spikasin motivet gjeometrike, motivet floreale, zoomorfe etj. Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike) u krijua në kuadër të ristrukturimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish- Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Krahas kërkimit në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj., rëndësi të posaçme në punën e ASA marrin hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar.

Të ngjajshme