26 Qershor, 2025 - 10:25 pm
Në prag të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit tonë me famë botërore, Ismail Kadare, doli nga shtypi libri “Ditëikja e Kadaresë “ i Njazi Ejupit dhe Zyrafete Shalës.
Ky libër i Shtëpisë Botuese “Drini” përmbledh jehonën e gjallë që la pas ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, shkrimtarit që i dha zë të përbotshëm qytetërimit të lashtë shqiptar dhe i bëri vend gjuhës sonë në letërsinë universale.
“Humbja e Kadaresë nuk ishte nga ato që përmbyllen me një njoftim a një reagim zyrtar. Sepse as jeta e tij e as vepra, nuk ishin të zakonshme, ashtu siç nuk ishte as personaliteti i tij, që për dekada me radhë formësoi vetëdijen kombëtare dhe horizontin kulturor të shoqërisë shqiptare. Fjalët, kujtimet, vlerësimet dhe homazhet që mbushën faqet e shtypit shqiptar dhe ndërkombëtar në ditët që pasuan, meritonin një jetë më të gjatë se ajo që mund t’u japë qarkullimi i shpejtë në mediat elektronike”, tha drejtuesja e Shtëpisë Botuese “Drini”, Zyrafete Shala.
Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në orën 8:50, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Kumti për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë ishte çast i rëndë zie dhe një valë pikëllimi përshkoi gjithë botën shqiptare, por u shfaq edhe një krenari e ligjshme: Kadare bëri art të madh, duke u bërë edhe pjesë e letërsisë së përbotshme, sipërane.
Ky libër vjen si një përpjekje për të ruajtur dhe përmbledhur këtë ndjesi të përbashkët të 1 korrikut 2024. Është mbase edhe një si akt kulturor dhe moral mirënjohjeje dhe nderimi për Kadarenë dhe për veprën e tij.
“Sot, kur gjithçka rrëshqet me ritmin e lajmit të radhës dhe kujtesa zbehet shpesh përpara se të marrë formë, libri mbetet një nga mjetet më të qëndrueshme për t’i dhënë kujtimit thellësi, vazhdimësi dhe dinjitet. Në një mjedis ku reagimet, sado të vrullshme, mbeten të përkohshme, ky botim është një përpjekje e vetëdijshme për të ndalur kohën dhe për të ruajtur emocionet e asaj ndarjeje jo vetëm në mendjet tona, por edhe në raftet e bibliotekave, në fondin tonë kulturor të përbashkët”, tha botuesja Shala