4 Gusht, 2025 - 12:33 pm
Së fundmi ka dalë nga shtypi libri më i ri me poezi për fëmijë, “NË SYTË E ARDIT”, i autores Xhevrije Kurteshi-Nimani. Ky është një botim i veçantë, që përmbledh 120 poezi të ndara për dy grupmosha: për fëmijët dhe për të rriturit, me tematikë të gjerë që prek dashurinë për fëmijët, kujtimet nga vendlindja dhe jeta në mërgim.
Libri është titulluar dhe kushtuar syve të birit të saj, Ardianit, duke sjellë emocione të ndjera përmes vargut poetik. Sipas redaktorit të librit, Hysen Ibrahimi, autorja ka shënuar një rritje të dukshme në stilin dhe nivelin artistik të poezisë së saj, krahasuar me botimet e mëparshme.
Poetja përmes fjalës së saj sjell përjetime të thella shpirtërore që lidhen me vendlindjen, familjen, fëmijët dhe simbolet kombëtare. Poezitë për fëmijë, me ndjeshmëri dhe gjuhë të thjeshtë, kanë ngjashmëri me stilin e poetit të njohur Rifat Kukaj.
Ndër poezitë më të veçanta janë “Në sytë e Ardit” dhe “Abetarja jonë”, ku autorja shpreh dashurinë e pastër të nënës për fëmijën dhe krenarinë për gjuhën dhe shkronjat shqipe, sidomos në kontekstin e jetës në mërgim.
Ky libër është një dhuratë e çmuar për lexuesit e vegjël dhe për ata që ruajnë dashurinë për poezinë dhe gjuhën amtare, kudo që ndodhen në botë./KultPlus.com