Doli nga shtypi revista “PEN KOSOVA”

22 Tetor, 2020 - 7:18 pm

Këto ditë doli nga shtypi numri i parë i revistës letrare e asociacionit të shkrimtarëve PEN Qendra e Kosovës.

Revista, kryeredaktor i të cilës është Osman Gashi, mban titullin “PEN KOSOVA”.

Në numrin e parë të kësaj reviste që mendohet të dalë dy herë në vit, janë botuar shkrime në poezi e në prozë të autorëve vendas e ndërkombëtarë.

Në revistën me 270 faqe, lexuesit kësaj radhe i ofrohen krijimet poetike të Martin Camajt, Ali Podrimjes, Teki Dervishit, Musa Ramadanit, Basri Çapriqit, Kujtim Paçakut, Sali Bashotës, Qibrije Demiri- Frangut, Engjëll I. Berishës, Blerina Rogova- Gaxhës dhe Xhemaludin Latiqit si dhe krijimet në prozë të Ernest Heminguejt, Ray Naylerit, Ibrahim Kadriut, Binak Kelmendit dhe Ibrahim Berishës.

Në revistë janë botuar edhe hulumtimet e Avni Spahiut nëpër arkivat evropiane për zhvillimet shoqërore në hapësirat shqiptare dhe teksti i Milazim Kransiqit për gjenocidin dhe ndjekjen e hebrenjve nga Spanja gjatë Mesjetës.

Revista përfshin edhe kumtesat e studiuesve Sali Bashota, Ibrahim Berisha, Osman Gashi, Blerina Rogova- Gaxha, Dije Demiri- Frangu dhe Haqif Mulliqi mbi veprimtaritë letrare të Basri Çapriqit, Ali Podrimjes, Martin Camajt dhe Teki Dervishit.

Në fund të revistës janë publikuar edhe dokumente lidhur me historikun dhe zhvillimet në PEN Qendrën ndërkombëtare anëtare e të cilës është edhe PEN Qendra e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme