Dollia e fundit me Sadijen dhe një premtim i “pambajtur” te pragu i derës

27 Shkurt, 2019 - 11:00 am

Nga Andrea Danglli

Shikimi më ka ngrirë prej disa minutash tek një shkrim i gjatë mbi kompjuter që flet për ndarjen nga jeta të Sadijes, “burrneshës” shkodrane që fshihej pas madhështisë së Dritëroit.  Ekzaktësisht kam ngecur te disa rreshta informativë ku një koleg shpjegon me të drejtë rrethanat e vdekjes dhe nënvizon “hemoragji cerebrale në tru” si shkak kryesor. Është e vërtetë që trupi i saj lëngonte prej kohësh, por plaga e vërtetë kishte një emër tjetër përtej gjuhës mjekësore.

Mbase tingëllon mjaft poetike dhe e vështirë për t’u besuar në ditët që jetojmë sot, por zonja e urtë 76 vjeçare vuante nga dashuria. As vetë s’do ta kuptoja këtë “sindromë” nëse para 20 ditësh s’do ta kisha vizituar në shtëpi për të shkëmbyer një bisedë të gjatë mes gotave të rakisë, një kafeje të ëmbël dhe tymit të cigareve. Përfundimi ishte i thjeshtë: Trupi i saj i ishte dorëzuar qiellit që prej datës 3 shkurtit 2017 kur Dritëroi iku nga kjo botë. Qartazi mes nesh kishte ngelur veç trupi i Sadijes që kërkonte të bindte këmbët se duhet të jetonte edhe disa vite për të përmbushur amanetet e lëna pas nga gjeniu i letrave shqipe.

Të ulur krah njëri-tjetrit rreth tryezës së rrumbullakët atë pasdite, në asnjë moment nuk harroi të më përmendte burrin e saj të jetës, të tregonte kujtimet me të, të citonte vargjet që i kishte dedikuar, të risillte ngjarjet e veçanta dhe të premtonte se do të qëndronte e fortë për të jetuar edhe disa vite.

“E kam vuajtur aq shumë largimin e Dritëroit sa nuk di ta përshkruaj. Ikja e tij më rrëzoi mjaft. Unë e dija që një ditë do të vdiste, por kurrë s’e kisha menduar se do ta përjetoja kaq keq”, rrëfente me një ton të ëmbël Sadija pa ja ndarë vëmendjen mureve ku vareshin portretet e tij me sy nga ne.

Pasi Dritëroi i iku kësaj bote, ajo për dy vite u mbyll në shtëpi dhe jetonte veç me letrat, fotografitë, pikturat, skicat, video-kasetat, erën e bojës, tymin e duhanit apo edhe rakisë së zierë dy herë që s’ia la kurrë gotën bosh. Sado që apartamenti mbushej plot nga familjarë dhe dashamirës, në qoshen kryesore të shtëpisë mungonte ai, burri i jetës që u shndërrua në sinonim të betimit klasik të dashurisë “deri sa vdekja të na ndajë”.

“Të gjithë sëmundjet që kaloi, qysh nga koha kur ishte i ri, unë kam qenë krah tij. Njëherë në socializëm kur mori një të ftohur ‘bronkopneumoni’, kërkoi edhe një shtrat për mua në spital pasi nuk rrinte dot vetëm. Edhe pse isha e pa sëmurur, u shtrova bashkë me të për t’i qëndruar pranë”, tregonte Sadija teksa kujtonte edhe një prej dedikimeve të veçanta që i ka bërë Dritëroi atëherë kur parkinsoni tregohej i pamëshirshëm dhe vdekja i shfaqej si një filmë para syve.

“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mija”, kujtonte Sadija.

Teksa më rrëfente, imagjinata ime vraponte në ato vite kur raporti i tyre u bë frymëzim për breza të tërë shqiptarësh. Ajo nuk ishte thjesht gruaja fisnike e një shkrimtari të madh, por edhe lexuesja e parë e veprave të tij, konsulentja e kujdesshme, redaktorja e mprehtë, por edhe nëna e përkryer për Artanin dhe Elonën. Emocionin e penës së saj e kam përjetuar edhe unë, ku në nëntorin e vitit të shkuar u ul për të lexuar dorëshkrimin e librit të parë dhe mes të tjerash më shkroi me shkrimin e saj një letër të gjatë që unë e prita me ankth të gjatë.

“Andrea, të falenderoj që në këtë kohë shumë e shumë të vështirë pas ndarjes me Dritëroin, me të cilin udhëtova në jetë nga mosha 22-vjeçare deri në moshën 74-vjeçare, më dhe librin tënd me poezi. Duke lexuar këtë libër të parë tëndin, ndjeva kënaqësi, më qetësove dhe më ule sërish në tavolinë për të shkruar“, shënonte mes të tjerash Sadija e dashur në disa fletë të bardha të cilat i kam mësuar përmendësh.

Atë pasdite folëm gjatë. Edhe pse shfaqej e lodhur nga e tashmja, kur tregonte  mbi projektet rreth dorëshkrimeve të Dritëroit, rrezatonte një lloj force që më habiste. Folëm për dashurinë ndaj nipave dhe mbesave, për projektin e shtëpisë muze, për rrëfimet e miqve të Dritëroit, për poezinë, për gazetarinë dje-sot, por edhe për copëza historish të njerëzve që ka pritur dhe përcjellë në apartamentin e tyre gjithnjë të hapur buzë Rrugës së Dibrës.  
E vetmja gjë që nuk folëm atë ditë, ishte vdekja. Të mallkuarën s’e përmendëm në asnjë fragment të bisedës sonë edhe pse ajo erdhi pa trokitur mesditën e 26 shkurtit.

Kur u largova, e përqafova fort dhe ndjeva pranë gushën plot aromë të gjyshes, krahët e lodhur të nënës, duart e rrudhura të gruas së rrallë dhe rrahjet e ngadalta të kraharorit që përcillnin vetëm impulse dashurie.

“Duhet të na premtosh që do të bëhesh e fortë pasi kemi shumë rrugë përpara. Thesarin letrar të Dritëroit duhet ta nxjerrim të gjithin pasi ai tashmë i takon të gjithë shqiptarëve”, i pëshpërita lehtë teksa kënaqesha kur e shihja të përcillte një buzëqeshje optimizmi. Ky mbase ishte i vetmi premtim në heshtje që nuk e mbajti dot edhe pse e kishte bindur veten që nuk do të dorëzohej lehtë.

Tani që kam ngrirë para lajmit të ftohtë të vdekjes, mu rishfaq edhe ky kujtim nga “dollia jonë e fundit” në apartamentin modest i cili gjithnjë më është dukur si ato vendet ku kthehesh për të gjetur forcë, për të marrë doza frymëzimi apo për të thithur pakëz dritë nga ajo që të ndriçon skutat e errëta të trurit.

Teksa lutem që të prehesh në paqe, po recitoj vetëm të njëjtat vargje që dikur i lexonim së bashku:

“Erdhe e re dhe mbete e bukur,
Hapi yt ish si rënia e fletës së panjës,
Dhe fytyra kish drojtjen e purpurt,
Unë isha nisur në një udhëtim të largët.

Erdhe e the:Ta bëjmë tok udhëtimin,
Isha i lodhur kur fjalët e tua,
Bashkë me fletët e vjeshtës mbi supe më binin ;
Heshtur dëgjoja , pastaj të mora për grua!”

Lamtumirë Sadije, pusho e qetë tani! Dritëroi është aty me ty!

Të ngjajshme