Don Kishoti te shqiptarët

23 Mars, 2020 - 10:03 pm

Tregim nga Binak Kelmendi

A. dhe B., mbaheshin për shkrimtarë të mëdhenj, madje për shkrimtarë shumë të mëdhenj.

Pinin verë të kuqe dhe bënin muhabet të zjarrtë. Ishin skuqur në fytyrë dhe pothuaj i kishin shtrëmbëruar hundët nga hidhërimi gjatë bisedës.

Asnjëri nuk ia lëshonte rrugën tjetrit, me gjeste dhe me fjalë.

“Jo unë më i madh shkrimtar nga ti … , jo unë më shkrimtar”, …“për mua ka shkrime këtu, atje, kudo”, thoshin me radhë dhe pa radhë  A dhe B. 

Në vazhdim vinte gëlltitja e pështymës, pastaj heshtja dhe vonë, pas tre e më shumë minutash, thonjëzat sipër veshëve: 

“E ka thënë kritika, s’e ka thënë kritika”.

“E kam thënë vetë, s’e ke thënë ti. Jo është tjetra e vërteta”.

”Aq më bën kritika, aq më bën mendimi i tjetrit”.  

”E ke lexuar ti tregimin tim të fundit?.

“Jo, s’e kam lexuar”.

“E ti, e ke lexuar tregimin tim të fundit.

“Jo, s’e kam lexuar?”

“Atëherë, ç’ne?”

“Atëherë, ç’ne, pra?”

Nganjëherë, në mes të fjalëve dhe tymit të duhanit, iu hynte kamerieri.

Kjo ndodhte rëndom kur ata nuk kishin shkrepëz për të ndezur cigaren ose dhe atëherë kur ata nuk kishin fare cigare.

Kamerieri, pasi thirri me zë të lartë cigareshitësin, u kthye te banaku dhe aty, fshehtas,  numëroi monedhat e qerasjes. Cigareshitësi shkoi te tavolina e tyre dhe pasi u mor veshë me mimikë me kamerierin, ua la  pakon e cigareve në tavolinë, u tha “ditën e mirë” dhe doli nga kafeneja duke bërtitur më zë: “Cigare, shkrepësa, mbushje, cigare shkrepësa, mbushje”. Pastaj kamerieri, me këmishën e bardhë të hapur në gjoks e me mëngë të shkurtra, shkoi me plot gjentilencë te dy shkrimtarët që tashmë kishin lënë fjalët. Kamerieri, pastaj, tek ua ndezi me përkulje nderimi cigaren, këmisha iu palos për trupin e bëshëm ndërsa dy shkrimtarët mezi e afruan gojën me cigare në buzë te flaka e vdirur e  shkrepësës. Pastaj, pasi buzëqeshi paksa, ata s’e përshkruanin dot ç’buzëqeshje ishte ajo, “ndoshta jo e mllefit”, menduan, dëshiruan, ose shtirën  kamerieri la shkrepësën në tavolinën e tyre, mori porosinë, pothuajse gjithmonë të njëjtë nga ta dhe iku duke e tundur tabakenë në ajër.

“Po, po, edhe nga një verë të kuqe, të shtëpisë, na e sill me atë gotën e përthyer në majë, e  di ti”, përsërisnin të dy me një zë të prridhur duke thithur cigaret, mendimet  dhe fjalët.

Kamerieri qeshi, sa nuk tha, “e di, gjithmonë porositë dhe fjalët e njëjta i keni ju”.

Edhe ata qeshen, vetëm për ta larguar qeshjen e kamerierit 

“Kam filluar të shkruaj një tregim për Miguel de Servantesin”, bëri me zë të ulët dhe me shumë siguri shkrimtari A. duke shtypur duqin e cigares në shpuzoren e qelibartë dhe mendimet e veta në kokë.

Shkrimtari B. qeshi. Qeshi me zë të lartë, e shikoi me shumë habi shkrimtarin A. Madje, nga habia e shikimit, i ndriti sytë sikur bishti i cigares që kishte filluar të fikej me pak përshkëndijim në shpuzoren e qelibabartë.

Kamerieri erdhi ta ndërronte shpuzoren.

“Doni ndonjë gjë tjetër”, iu tha.

“Jo”, u përgjigjen njëzëri duke pritur largimin e tij e për t’i  vazhduar fjalët e veta nervoze të kundërshtisë e të mospajtimit.

Kamerieri iku me hapa që atyre iu dukën shumë të ngadalshëm.

“Ti të shkruash tregim për Miguel de Servantesin?”, pyeti i hakërruar shkrimtari B, duke dridhur me shumë hidhërim këmbën e majtë. E dridhte aq shumë këmbën sa që nga dridhja zuri të lëkundej edhe tavolina me shpuzoren nga e cila ngrihej lart hiri i cigares.

“Unë, u përgjigj me zërin shumë të ngritur shkrimtari A duke e shikuar me hidhërim reagimin e shkrimtarit B pasi gjithë tymin e cigares që e kishte thithur po ia hidhte në fytyrë.

Shkrimtari B. përpiqej ta largonte tymin e cigares me tundje duarsh.

“Po. Unë vetë do të shkruaj një tregim për Miguel de Servantesin, për ardhjen e tij në Detin Tonë, për qëndrimin e tij në Kështjellën Tonë të Detit Tonë, për takimin e tij me Njerëzit Tanë në Kështjellën Tonë të Detit Tonë. Dhe unë e kam filluar shkrimin e tregimit”,  tha me zë të lartë e të sigurt shkrimtari A duke bërë të ngrihej në këmbë.

“O Zot”, lëshoi klithmën shkrimtari B. Pastaj iu drejtua kamerierit i cili se si u gjend aty: “Më sill diçka ta vras veten, aman”, bëri ai me zë më të ulët. 

“Vraje, mbyte veten, kush të ndalon”, tha shkrimtari A.

Kamerieri u hyri në mes.

Shkrimtarërt vazhduan bisedën:

A: Je xheloz, ndaj thua se unë nuk mund të bëj një tregim për Miguel de Servantesin. 

B: Jo, por ma ke vjedhur idenë!

A: Si more ta kam vjedhur idenë?   

B: Po, ma ke vjedhur. Unë e kam pasur ndër mend të shkruaj një tregim për Miguel de Servantesin qëkur dështuan të shkruanin për të Agolli dhe Kadare. Nëse nuk ke harruar, ata kishin premtuar publikisht se do të shkruanin një tregim për Miguel de Servantesin i cili ishte mbajtur i burgosur nga Njerëzit tanë në Kështjellën Tonë të Detit Tonë.  

A: E pse nuk e shkrove?

B: Sepse, pasi vdiq Agolli, prisja që tregimin ta shkruante Kadare. Duke e pritur atë, nuk e shkrova ende.

A: E unë nuk do të pres më, nuk kam kohë të pres. Dhe pikërisht pse nuk e ka shkruar Kadare, këtë tregim do ta shkruaj unë!

Shkrimtari B qeshi.

Shkrimtari A u ngrys.

Pastaj ndezën edhe nga një cigare, dhe dikut, të dy, si me komandë, e dërguan shkimin nga kamerieri.

Ai edhi me vrap.

“Edhe nga një verë”, thanë njëzëri.

I cakërruan gota me “gëzuar” dhe filluan sërish t’i cakërrojnë fjalët.

B: E çfarë do të shkruash në atë tregim për Servantesin?

A: Do të shkruaj se si është zënë rob Servantesi nga Njerëzit Tanë në Detin Tonë dhe si e kanë sjellë atë në Kështjellën Tonë të Detit Tonë.

B: E si është zënë rob Servantesi?

A: Në luftë, gjatë luftimeve. I forti të zë rob, të lidhë duarsh e këmbësh, të hedhë në burg dhe aty mund të ta bëjë edhe atë punën.

B: Në cilën luftë kanë marrë pjesë Njerëzit Tanë?. 

A: Ti nuk e di historinë.

B: Në cilën luftë ka marrë pjesë Servantesi?  

A: Ti nuk e di historinë.

B: Ku është zhvilluar ajo luftë?

A: Në Detin Tonë. 

B: E pse u gjend aty Servantesi?

A: Servantesi ishte në mision.

B: Në ç’mision?

A: Ishte në një mision shumë të thjeshtë, madje humanitar ishet ai mision.   

B: Në ç’mision, të lutëm, ma thuaj?

A: Servantesi këtej, te Deti Ynë, në Kështjellën Tonë, në mesin e Njerëzve Tanë, mu në mesin e tyre, kërkonte një shokun e vet.

B: Cilin shok, mo?

DON KISHOTIN, bërtiti me tërë zërin shkrimtari A.

Shkrimtari B u ngrit më ngadalë në këmbë, “më fal”, i tha, “kam nevojë të shkoj në tualet”.    

Shkrimtari A qeshi: “Pritmë, pritmë do ta dëgjosh deri në fund tregimin tim për Servantesin”.

Shkrimtari B u ndal: “Jo, nuk ke nevojë, e kuptova, por më thuaj në e gjeti Servantesi këtu, te Njerëzit Tanë, në mesin e tyre, Don Kishotin.

Shkrimtari A qeshi prapë: “Po si jo. E gjeti këtu Don Koshoti. Dhe  Don Kishoti mbeti përgjithmonë këtu”.

Shkrimtari B foli me fajësi: “Ndoshta, për këtë arsye Spanja nuk po i njeh Njerëzit Tanë, Kështjellën Tonë, Detin Tonë”.

Shkrimtari A nuk foli më.

As shkrimtari B. 

Të nesërmen shkrimtari A dhe shkrimtari B po pinin kafe në pijetoren “Servantes”. Shikonin valët e detit që vinin njëra pas tjetrës duke sjellë një fllad të këndshëm në fytyrat e tyre. Shikonin edhe Kështjellën që ngrihej lart dhe që dikur bëhej bashkë me qiellin e detin. Nuk flisnin për asgjë, vetëm përsërisnin: Don Kishoti, Servantesi, Kështjella, Deti, Njerëzit.

Dhe nuk e shihnin asnjërin nga këta. /KultPlus.com

Të ngjajshme