Dritëro Agolli, poeti i dashurisë

22 Maj, 2020 - 7:00 pm

Recension nga Antoneta Morina

Përmbledhjen poetike ʺPrit edhe pakʺ, të clin ia kushtoi gruas së tij, poeti  i mirënjohur i letërsisë shqipe, Dritëro Agolli, e botoi në 85- vjetorin e lindjes së tij. Ky vëllimi u botua një vit para së poeti të ikte në amshim.

Fakti që numri më i madh i veprave të tij është në poezi, tregon që Agolli , në radhë të parë, është një poet i lindur me një talent të jashtëzakonshëm, i cili tërë jetën i ka kushtuar  shkrimtarisë së tij, prandaj preokupimi krijues i Agollit, i lidhur me poezinë ishte deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Ky vëllim me poezi, i Dritëro Agollit, hapet me një shënim të autorit në hyrje të botimit, që titullohet ʺKullota e imagjinatësʺ dhe mban datën 16 janar 2014. Në fakt, shtë një parathënie kuptimplotë e Agollit, për ditët e fundit të pleqërisë,  ku i thur vargje vdekjes, duke i thënë ʺPrit edhe pakʺ.

Poeti e shqipton me këto fjalë situatën shpirtërore dhe situatën krijuese:

Aspak s´e kisha menduar se do të botoja tani edhe një libër tjetër me vjersha në një kohë, kur i kam kaluar të 80-të vitet dhe kur, siç i thotë Noli Milto Sotir Gurrës ʺata andej nga varrezat po na e bëjnë me syʺ.[1]

Kjo përmbledhje poetike, përveç se është e pasur me poezi të shkëlqyera, ajo sjell edhe përjetime të bashkëshortes Sadijes, ku parathënia e librit është e shkruar nga ajo, për të cilën duhet vlerësuar lart përkushtimin e saj që për 53 vite i qëndroi pranë Agollit, duke e ndihmuar dhe qëndruar pranë, në çdo rast.

Në këtë vëllim të gjerë poetik gjejmë filozofinë e Dritëroit për jetën në të gjitha aspektet e saj: herë e përshkruar me një fill emocioni, herë me sarkazëm therëse, me shpesh gjejm lirizmin muzikor, kur shkruan për natyrën mjedisore apo shoqërore.

Poezitë e këtij autori e nxisin lexuesin të meditojë për ato që ka shkruar poeti i frymëzuar apo i inatosur me shoqërinë njerëzore, me dukuritë negative, që poetit nuk i pëlqejnë, kur shkruan me dashuri për gratë, për natyrën e vendit tonë me lumenj, përrenj, detra, por edhe me tokë të begatë, me male të larta të gjelbëruara apo të thata, me lugina e lëndina, për kafshët, të buta apo të egra, për shpendët, për insektet etj.

Paralajmërimin se këtë vëllim poetik Agolli ia ka kushtuar gruas, e bën që në fillim të librit, ku mes tjerash, i thotë: ʺE dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë, dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh”.[2]

Agolli në kuptimin më të plotë të fjalës është poet i dashurisë. Ai e sheh gruan e tij në dritën e përkushtimit të saj, por edhe si një burim energjie dhe nxitje për vargjet e tij. Ai e bën të përjetshme dashurinë për të, nëpërmjet vargjeve të cilat kanë aftësinë të përshkojnë kohët.

Pothuajse e gjithë krijimtaria e tij letrare, e sidomos në fushën e poezisë, qoftë edhe kur ka ngjyra dhimbjeje a dëshpërimi ajo përmban ʺcopëzaʺ dashurie, të cilat e pasurojnë edhe më shumë vargun e tij poetik.

Leximi i poezisë së Dritëro Agollit, shkruar dhe botuar përreth një harku gjysmëshekullor, vazhdimisht të jep idenë e një udhëtimi të vazhdueshëm, gjatë të cilit, jo vetëm poeti, por edhe lexuesi duket sikur përjeton, në të njëjtat nivele, ndryshueshmërinë e gjendjeve shpirtërore, dhimbjet, vuajtjet, gëzimet dhe brengat e krijuesit.

Agolli vë në dukje se shumë pak flitet për gratë, shumë pak u këndohet atyre, cilësive që ato kanë. Forcës së tyre të pakrahasueshme për të dhuruar mirësi e dashuri të pakufishme, qoftë edhe kur jeta është shumë e vështirë. Një forcë që natyra ua ka dhuruar: ʺNëna me fenerʺ Andej qiellit ngrihet e del/ me fener e shkreta nënëza ime/ Duke kërkuar Nënën Terezë…[3]

Autori në poezinë e tij dashurinë e sheh si një dukuri të detyrueshme në jetën e njeriut. Dashuria ndaj gruas në vargun e Dritëro Agollit shfaqet përmes një ekspresionizmi të drejtpërdrejtë, gjuhë të thjeshtë pa komplikime, si dhe me një emocionalitet të veçantë. Dashuria në poezinë e këtij autori shfaqet në domene të ndryshme, herë-herë paraqitet si dashuri e pastër ndaj gruas, herë si dashuri rinore e ndonjëherë me motive tjera, ku dashuria ndoshta nuk është në plan të parë, mirëpo përmes vështrimit të subjektit lirik,arrin që elementin e dashurisë ta bëjë bosht të poezisë së tij. Këtë e shohim në vargjet e poezisë se bukur ʺ Për dashurinëʺ

“Dashuria fillimisht është e turbullt,

Dashuron, po cilin aspak s´është e qartë”…[4]

Një poezi, një lirikë e tillë e ndjeshme buron vetëm nga një shpirt i pastër, nga një zemër e gjerë e plot mirësi që ndien dhimbje e dashuri për njeriun.  Poeti përmes figuracionit arrin që temën e dashurisë ta bëjë mjet për ta paraqitur botën subjektive të tij, duke shkruar poezi për gruan, për dashurinë rinore, trishtimet, raporti mashkull-femër etj.

ʺNë fillim të majitʺ – është poezia e radhës që Agolli vë në pah ngjyrat e bukura që na jep natyra konkretisht ngjyrat që na jep stina e pranverës. Poeti përshkruan lojën e vajzave, ngrohtësinë që jep flladi pranveror, madje me pasion flet edhe për ushqimet. Pra, Agolli gjithçka që bënte, pa dyshim, e bënte me pasion.Veçanërisht bota e gruas për poetin ishte preokupim tematik e motivor i cili qe i pranishëm në krijimtarinë e tij poetike, në vijimësi. Ne themi sikur të na fliste vetëm për një grua, por jo, ai na fliste për gratë, ato ishin gjithçka dhe dashuria që ai jetonte e bënte jetën e tij të veçantë. Poeti na tregon se në ç´rrethana ka dashur gratë, përshkruan vendet, si në vargjet:

“Kam dashur çdo grua pa masë,

Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,

Madje dhe lart në tarracë,

Ku ndejnë rroba e fshijnë”.[5]

Poeti na bën të qartë edhe për sjelljet e tij, sikur ishte njeri i sjellshëm dhe i kulturuar. Ai thotë se asnjëherë nuk i kam sharë gratë, e për këtë ato do të thonë seʺ isha poet i vërtetëʺ.

Agolli na jepet edhe si pasionant në kuzhinë, sikur adhuronte ushqimin dhe atë e bënte me dashuri, madje ashtu edhe e përshkruan. Poezia ʺFrigoriferi dhe Tiganiʺ fillon si e tillë, por kur mbizotëron gjuha figurative, atëherë edhe merr konotacion tjetër. Një shfaqje shpirtërore si detyrim i përhershëm, apo mund të marrim edhe si mesazh se ushqimi dhe dashuria duhet bërë me pasion.

Autori jo gjithmonë di të jetë i lumtur, sepse kemi raste kur ai shfaq edhe pikëllimin, gjendja shpirtërore ndikohet nga dhimbja që i japin momentit. Ky moment na jipet tek ʺVdekja e Kalitʺ, shohim zemërimin, dhembjen, trishtimin. Kali është një nga kafshët më të dashura, di të jetë mirënjohes dhe shpesh herë mik i mirë.

ʺIkja e vjershaveʺ – poezia është ndjenjë, është diçka që vjen pa pritur, vjen brenda nesh dhe na lë të mbushur pavarësisht boshllëkut të formuar në ne. Agolli e titullon ashtu sepse në vargje ai edhe e arsyeton, si në vargjet:

“Natën në shtrat nën jorgan,

kur ikën vera dhe vjeshta

dhe dimri vjen me mural,

përgjumen dhe vdesën plot vjersha”.[6]

Vjersha nuk vdes, është ideja jonë ajo që merr kahje tjetër, nuk mund t´i japim gjallëri në varg. Ai vazhdon më tutje : “Përtojmë e dridhemi keq në acar/ të gjejmë pak letër/. Ndaj ëndrrat i nisën vjershat pa funeral/ në botën tjetër/, kur sytë tanë shuhen ngadalë”. Të jesh dembel do të thotë të humbasësh shumë, nga përtesa për të marrë një letër, fillojnë të sulmojnë ëndrrat dhe gjumi s´na lë në lojën e ndjenjave, fati mëshirohet me qetësinë që se ndjejmë më, por e përjetojmë me sy mbyllur.

Agolli është një ndër poetët tanë që më së shumti i ka kënduar vdekjes. Në vëllimet e botuara pas ´90 janë një sërë poezish lirike në të cilat poeti përshkruan ndjesitë kur përballet me vdekjen e pashmangshme. Edhe para ´90 ka shkruar poezi për vdekjen, mirëpo ajo është dhënë si një ndjenjë larg tij. Edhe atë, vdekjen e merr me një humor të lehtë.

Grija, e errëta do bëhën ngjyrat e tij, nata kohë e tij e preferuar për të cilën dhe gjatë së cilës shkruan. Janë një sërë poezish të cilat e kanë natën të shenjuar që në titull, për shembull, poezitë: ʺNjë zë nateʺ, ʺNëse netët janë të gjataʺ, ʺEcën ditët e netëtʺ, në këtë periudhë poeti do t’i këndojë viteve të rinisë që iku, të zhgënjimeve që i ofroi jeta, madje edhe vdekjes që e ndjente se po i ofrohet.

Poeti, madje shkruan edhe epitafin me katër vargje për vdekjen, duke deklaruar se nuk ka frikë nga ajo kur vjen natyrshëm, si për të gjitha qeniet njerëzore apo të natyrës, ku shprehet:

“Këtu po prehet Dritëroi në gjumë,

Nën dhé si mëkatar dhe si poet.

Mëkate ndofta nuk do bënte shumë,

Sikur mos kishte qenë deputet”.[7]

Marrëdhënia e jetës me vdekjen është një marrëdhënie që e shqetëson çdo shpirt poetik, por që e qetëson më pas ideja e mbijetesës përmes krijimit. Poeti e di se koha po i vjen të shkojë, por ai akoma s´është gati dhe këtij momenti i thur vargje në poezinë ʺPrit edhe pakʺ, si shprehje e dëshirës për të vazhduar të jetojë.

Vetë Agolli në parathënie shkruan: ʺPrit edhe pak që do të thotë se ende nuk e kam kullotur livadhinʺ,[8] pra dashuria e poetit për jetën është e madhe. Krijimi e bën të pavdekshëm shpirtin njerëzor dhe poezia të pavdekshëm poetin.

Aq universal është dashuria e Dritëroit për njerëzit dhe Tokën, si nën diktaturë, ashtu edhe në anarkinë e lirisë. Në këtë këndvështrim mund të lexohet poezia  ʺShpërblimi i Tokësʺ:

ʺTë gjithë i themi Tokës nënë,

 Se toka na mëkon;

 Dhe kur çdo gjë ia kemi ngrënë,

 E heshtur na mbulon”.[9]

Libri poetik ʺPrit edhe pakʺ është një prurje e re tekstuale në poezinë e sotme shqipe, e cila do të mbetet gjithmonë e freskët dhe vlera estetike në të ardhmen. Poezitë ʺPa ujëʺ dhe ʺNdjenja e frikësʺ përmbyllin në vetvete pikërisht këtë mevetësi poetike:

“Pa ujë shtëpitë e ngrata,

në fshat e qytet,

me ujë fjalimet e gjata,

ne parlament”.[10]

(Pa ujë)

Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore. Poezia e tij njohu një ringjallje poetike në tri dekadat e fundit. Më vëllimin poetik ʺPrit edhe pakʺ, autori shpalli sfidën e tij të re të mjeshtërisë krijuese në kohën e lirisë.

Ai ishte dhe do të mbetet protagonist parësor i zhvillimeve më të avancuara poetike të fjalës shqipe, gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe mendimit kombëtar.

Poetika agolliane është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore, plot thurje dhe oshtima, që vijnë sa nga realiteti i gjallë, i ngritur madhërishëm në art poetik, aq edhe nga fiksioni brilant dhe i papërsëritshëm në poezinë e sotme shqipe.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në nivelin e studimeve master, Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë) /KultPlus.com


[1] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 9.

[2] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 11.

[3] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 137.

[4] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 19.

[5] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 54.

[6] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 95.

[7] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 126.

[8] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 10.

[9] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 22.

[10] Agolli, Dritëro: Prit edhe pak , Tiranë, Dritëro, 2016, f. 87.

Të ngjajshme