Dy fjalë për fjalët Zot, Zoti, Zotëri

13 Mars, 2024 - 12:44 pm


Shkruan: Prof. Agim Vinca


1. Kuptimi i parë i fjalës Zot-i është: forca e mbinatyrshme që drejton botën, sipas besimit fetar. Perëndia, Hyu. Te myslimanët Allahu. Te jobesimtarët: Natyra. Themi: Besoj në Zot; I lutem Zotit; Zoti ju bekoftë!. Përdoret edhe shprehja: Zotat e tokës dhe të qiellit, në kuptimin “të fortët, ata që vendosin”.

 2. Përdoret për të thirrur me nderim një burrë. Zoti Hasan, zoti Hysen, zoti Hashim, zoti Pjetër.

 3. Për t’iu drejtuar në mënyrë zyrtare personave zyrtarë: Zoti Kryetar (ose President, siç ka hyrë në përdorim te ne); Zoti Kryeministër; Zoti Ministër; Zoti Ambasador etj. (Nga ky aspekt fjala
zot ka zëvendësuar fjalën e dikurshme shok).

Fjala zoti përdoret rëndom e shoqëruar me emrin, mbiemrin a funksionin e personit që i drejtohemi. P. sh. Zoti Eqrem, zoti Demiraj, Zoti Kryeministër etj., ndërsa kur nuk shoqërohet me emrin a mbiemrin ose funksionin e personit që i drejtohemi, përdoret trajta zotëri. (Në të folur përdoret edhe trajta gege: zotni).

Urdhëroni, zotëri!; Ç’dëshironi, zotëri?; Për se angazhoheni ju, zotëri?.

Te poetët e Rilindjes trajta zot përdoret edhe e pashoqëruar nga emri, njësoj sikurse edhe fjala zotëri.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
Me shtëpi të bardha si gjithmonë…
Portën miqve ne gjithmonë ua çelim
Se zakonet, zot, ne nuk i shkelim….

(Asdreni, “Letrë prej katundit tem”, Psallme murgu, Bukuresht 1937, f. 22-24).

Fjala “zotëri” (sikurse dhe trajta gege “zotni”) kur shquhet merr mbaresën –a: zotëria e jo zotëriu. Të thuash zotëriu është njësoj si të thuash Perëndiu. Non sens!

Fjala zotëri ka edhe kuptimin e njeriut të pasur ose me pushtet; pronar i një shtëpie a pasurie tjetër, i një biznesi a posti sot. Zotëria ka shumë para; Ky është djali i zotërisë etj.

Në shumës fjala zotëri bën zotërinj (trajta e pashquar), zotërinjtë (trajta e shquar), por jo zotërinjët!

Në gjininë femërore barasvlerës i fjalës zotëri është fjala zonjë (për vajzat e reja thuhet zonjushë, dikur edhe për gratë e pamartuara, por sot po përdoret gjithnjë e më dendur zonjë për çdo grua në moshë – dukuri e përhapur edhe në gjuhë të tjera). Në mbledhje a takime të tjera publike të pranishmëve u drejtohemi rëndom me fjalët: Zonja dhe zotërinj!

Fjala zotrote (nga zotëria jote) përdoret në shenjë nderimi, por edhe kur i drejtohemi dikujt me ironi. P. sh. Ç’punë bën, zotrote?” (ç’profesion ke?), por edhe: E paske kënaqur, zotrote! (kur personi në fjalë nuk ka punuar mirë).

Për sot kaq, zonja dhe zotërinj!

Ju falemnderit!

(Nxjerrë nga një fletore e shënimeve e viteve 2002-2004, kur në Kolegjin AAB mbaja lëndën Kulturë gjuhësore dhe letrare). / KultPlus.com

Të ngjajshme