Dy fituesit e çmimit letrar “Kadare” u bënë bashkë dhe promovuan librat e tyre

12 Qershor, 2022 - 11:00 am

Në edicionin e 22-të të Panairit të Librit në Prishtinë, shtëpia botuese UET PRESS vendosi t’i paraqitet lexuesit me dy fituesit e Çmimit Letrar Kadare. Më 9 qershor, Gani Mehmetaj dhe Vera Bekteshi promovuan librat e tyre ‘Zogjtë e qyqes’ dhe ‘Pusulla të verdha’ në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku mes tjerash pati shumë emocione dhe fjalë të mira për librin, shkruan KultPlus.

Gani Mehmetaj nga Kosova i cili u nderua në vitin 2021 dhe Vera Bekteshi, e para grua fituese e këtij çmimi këtë vit, pas tri pjesëmarrjesh. Dy autorë si shembulli më përfaqësues i filozofisë së këtij çmimi me një traditë 7 vjeçare, i cili akordohet nga Instituti Europian Pashko, për një gjithëpërfshirje të konkurrentëve nga e gjithë bota shqipfolëse.

Përtej të qenit laureatë të Çmimit Kadare, një nga më prestigjiozët e letrave shqipe, dy shkrimtarët i bashkonte edhe historia e trojeve përtej kufijve.

Autorja Vera Bekteshi ndau me të pranishmit në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës prejardhjen e saj nga Plava dhe Gucia.

Ajo tha se i ati, gjenerali Sadik Bekteshi, kishte shërbyer si komandant i Forcave të Veriut, pat luftuar në Kosovë dhe ishte një prej nënshkruesve të Konferencës së Bujanit.

Ajo kujtoi se mes dy momenteve më të lumtura të të atit, gjeneralit që u dënua nga partia që themeloi dhe diktatori, përveç rënies së komunizmit ishte çlirimi i Kosovës. Para se të vdiste, ndau mes emocionesh autorja, Sadik Bekteshi ishte pjesë e delegacionit të atyre që patën luftuar në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore…

“Jam i lumtur që po dëgjoj rreth këtyre dy shkrimtarëve. Njërin që e kam lexuar dhe tjetrën që do ta lexoj”, u shpreh një nga të pranishmit në këtë takim të UET PRESS me lexuesin e Prishtinës.
Letërsia bëhet pikërisht ai dimension që rrëzon të gjitha barrierat kufitare, ndërsa botuesit e shohin komunitetin e lexuesve shqipfolës si një, të pandarë.

Këtë e ka treguar edhe pjesëmarrja e konkurrentëve në Çmimin Kadare, që kanë qenë jo vetëm nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, por edhe nga diaspora përtej Ballkanit.
E përbashkëta tjetër mes dy autorëve, Gani Mehmetaj dhe Vera Bekteshi, është edhe realiteti i përcjellë me sytë e tjetrit.

Në romanin “Zogjtë e Qyqes”, Gani Mehmetaj i rrëfen ngjarjet e Luftës në Kosovë përmes syrit të një koloni serb. Vera Bekteshi, në “Pusulla të Verdha” ka për hero një djalosh me aftësi ndryshe.

Gani Mehmetaj pranoi se lexues të shumtë i kishin rrëfyer se e kishin nisur me paragjykim leximin e romanit. “Çfarë do të thotë një kolon serb për marrëdhëniet shqiptaro-serbe? Si do ta shohë ai botën? Pastaj, e kanë pëlqyer”,u shpreh autori, i cili në këtë panair promovoi edhe librin e tij më të ri, “Rugovën, si e kam njohur”. Një libër që përmbledh ngjarje, takime e kujtime rreth një figure emblematike si ajo e Ibrahim Rugovēs, i cilësuar ndër burrështetasit më dinjitarë të shqiptarëve, pak i zbuluar deri më tash. Gani Mehmetaj, një ndër themeluesit e LDK- së dhe gazetar aktiv i kohës, sjell kronikën e një kohe historike qe nga vitet e para të rezistencës rugoviane e deri ditën kur Rogova mbylli sytë në 2006, për të mbetur amanet frymëzues për klasën e re politike të Kosovës.

Duke iu rikthyer “Zogjve të qyqes”, autori Mehmetaj tha se kishte nisur ta shkruante nga perspektiva e një shqiptari, por euforia rrezikonte ta dëmtonte librin. Ai e cilëson narrativën me sytë e kolonit serb si një qasje e matur.

“Disa më kanë kritikuar se kam ngrohtësi ndaj serbëve, cinik ndaj shqiptarëve, ose i ashpër…sepse serbi është shumë kritik, “Kemi vrarë në Kosovë, jemi sjellë vrazhdë, ata na kanë trajtuar si katundarë, por e meritonim se ishim primitivë””, zbulon më tej Mehmetaj, që e cilëson këtë roman si një sprovë.Ngasjen për të shkruar romanin me të cilin konkurroi dhe fitoi Çmimin Letrar Kadare për vitin 2021, e mori nga mjedisi ku u rrit. Një mjedis i përzier, tha Mehmetaj, me shqiptarë vendas dhe kolonë serbë. “Ishte marrëdhënie e komplikuar. Kishim rezerva, por edhe afri, edhe martesa të përziera. Jam përqendruar në këto raporte dhe kam menduar se është forma më e mirë të paraqes marrëdhëniet serbo-shqiptare nga prizmi i kolonit serb, i cili jeton këtu, zhgënjehet, kthehet në vendin e të parëve dhe as atje nuk pritet mirë”, shtoi më tej autori.

Kjo qasje e ndryshme e bën këtë roman një risi të letrave shqipe, cilësoi kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino. Ajo shtoi se shtëpia botuese paraqitet në këtë panair edhe me një tjetër autor nga Kosova, ish-ministrin e Jashtëm dhe nënkryetarin e Kuvendit Enver Hoxhaj. ““Përplasja e Madhe” e zotit Hoxhaj, është një fashë tjetër shkrimtarie; gjeopolitikë dhe leximi i kohës në nivel global, me fokus Kosovën dhe Ballkanin”, shtoi zonja Mino.

Ballsor Hoxha është një tjetër autor i Uetpress nga Kosova, që vjen me esenë studimore “Lexime të pafundme të Kadaresë” ndërsa ka në proces botimi një tjetër studim me naturë filozofike.

Autorja Vera Bekteshi, pas disa librave me natyrë biografike, nga ata që cilësohen si libra të kujtesës, me “Vila me Dy Porta”, “Ora me Rërë” dhe versioni i ripunuar “Vila me Tre Porta”, sjell një rrafsh tjetër rrëfimor, me romanin e ri “Pusulla të Verdha”.

“Një përballje tjetër e saj si shkrimtare me lexuesin, në një territor shumë më të ngjeshur letrar dhe ku kapërcen klishetë, sepse Vera Bekteshi ka zërin e një personazhi mashkull, një djalosh ndryshe nga të tjerët…”, zbuloi më tej për lexuesin e Kosovës, kryeredaktorja e shtëpisë botuese.

Me këtë libër, Bekteshi sjell një kumt për lexuesin dhe botën, për të tërhequr vëmendjen ndaj atij që është i ndryshëm dhe që ka nevojë për dashuri, institucione të forta dhe shoqëri që ta mbështesë.

Autorja Vera Bekteshi tha se kishte shkruar dy libra nga perspektiva mashkullore. I pari i kushtuar të atit, ndërsa i fundit ka personazh Marinin, personazhi me aftësi ndryshe, rrugëtimin e tij të vështirë në ruajtjen e ekuilibrave të shëndetit mendor dhe komunikimi me të ëmën, përmes pusullave të verdha, nga ku mori titullin edhe libri. Një roman që na kujton “sa të brishtë jemi” citon një varg të këngëtarit Sting, zonja Bekteshi.

Këta dy libra, që e bashkojnë lexuesin shqiptar nga të dy anët e kufirit, janë sipas kryeredaktores së UET PRESS, kumte që emancipojnë dhe trazojnë ujërat, duke dalë nga klishetë letrare. Duke iu bashkuar edhe motos së edicionit të këtij viti të Panairit të Prishtinës, se libri mbron mendjen. “Libri më mbrojti nga internimi dhe jeta e vështire në bllok, ku shihesha me përçmim se isha nga veriu”, siç kujtoi Vera Bekteshi, një shembull i gjallë i fuqisë së leximit. /KultPlus.com

Të ngjajshme