Dy librat e rinj të Adriatik Kelmendit, me mendime e kritika për realitetin kosovar në dy dekada

4 Shkurt, 2020 - 7:00 pm

Së fundmi kanë dalë nga shtypi dy libra të Adriatik Kelmendit, gazetar e kolumnist i gazetës “Koha Ditore” dhe autor i emisionit “Rubikon” në KTV. Në dy librat e rinj, është përmbledhur pak a shumë historia e zhvillimeve të pasluftës së shikuar nga një prizëm gazetari e i një kritiku të pavarur.

Në Express Intervistën në KTV, Kelmendi ka dhënë detaje të tjera për librat që vijnë nën titujt “Smells Like Teen Spirit” dhe “Si mund të jetojmë diku tjetër kur në botë ekziston Parisi?”

Kelmendi ka bërë të ditur se titulli i librit të parë është simbolikë e fillimit të tij në Grupin Koha.

“‘Smells Like Teen Spirit’ është hiti i grupit Nirvana. Është titull simbolik. Fillimisht lidhet me fillimin tim në Koha. Kurt Cobain, frontmeni i grupit, që unë e kisha idhull, kishte bërë vetëvrasje. Gjithë bota po raportonte. Atëkohë s’kishte media shumë. Ishte Koha Javore para se të dilte Koha e përditshme. Vendosa pse të mos e shënojmë edhe ne. E shkrova një shkrim. E gjeta një faks të komshiut që kishte zyrë afaristi. E faksova. Ishte një shkrim për vetëvrasjen, krijimtarinë e natyrisht kënga më e popullarizuar, një hiti gjeneratës. Ishte një situatë okupimi edhe këtu. E dërgova shkrimin dhe e pash të mërkurën kur dilte Koha Javore se u botua. E bleva gjithë tirazhin e ia dërgova të gjithëve. E përdora në rast të shumtë si simbolikë për bashkëpunimin me Kohën. Fillova me shkrimin pastaj për muzikën e nuk e prita se do ta vazhdoja deri sot. Ishte viti 1994 atëkohë”, ka thënë ai fillimisht.

*

Në të dy përmbledhjet që botohen nga Botimet Koha, Kelmendi ka thënë se vazhdimisht është munduar të ketë shkrime “kontra rrymës” e të jetë origjinal.

“Roli i ‘intelektualit’ dhe gazetarit apo opinionistit e analistit është që të flasë, ta bëjë kritikën ndaj atyre në pushtet. Në çdo shoqëri kërkohet të ketë balance e jo rastësisht medias i thonë pushteti i katërt. Kushdo që të jetë duhet të jetë media kritike. Duhet të shohim nga ana kritike, por natyrisht jo vetëm nga negativizmi. Ka edhe të arritura”, ka shtuar ai.

Kelmendi ka kujtuar se në përmbledhje është edhe një kolumne e vitit 2000 kur kishte kërkuar lirimin e Albin Kurtit, që sot mori postin e kryeministrit.

“Kam shkruar atë kolumne më 2000 kur filluan të lirohen disa nga ato që quheshin pengje. Filluan disa të liroheshin e jo Kurti. Bëra apel duke përmendur edhe ish shokët e tij që s’po bëjmë as si shoqëri as si institucione që të lirohet Kurti të cilin e kam quajtur hero të gjeneratës. Tash po flasim për një kohë që pati rrugëtime ndër më interesantet dhe sot e kemi kryeministër. Realitet i ri e nëse do të flasim edhe për këtë qeveri që u bë besoj se ka ndodh tranzicioni më i mirë i mundshëm. Jo vetëm që opozita e deritashme erdhi në pushtet, por edhe se erdhi dikush që deri sot ka qenë në politikë por s’ka pasur pushtetin qendror e që ndoshta sjell ide e frymë të re. Të rinj, entuziastë e të shkolluar e bashkë me ta paralel është partia më e vjetër. Po besoj se duke pasur këtë bashkim të LDK-së së sotme me VV-në është momentum i ri që duhet dhënë shansin e të shohim çka i sjell Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi.

Të ngjajshme