займ на карту онлайн потребительский кредит

“E gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja”

Gusht 9, 2019 - 10:30 am

Alber Kamy, pjesë nga Miti i Sizifit

Për cilin dhe çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes, unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prekë dhe të them se ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” time, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta. Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjithë dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Kjo zemër që është e imja do të mbesë përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem që ti jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Un do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten. Në psikologji si në logjikë gjithmonë ka të vërteta, por kjo nuk është aspak e vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe “Ji i virtytshëm” i rrëfeve tanë. Ata dëshmojnë për nostalgjinë dhe në të njëjtën kohë për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha. Ato janë të përligjura vetëm në atë masë që ato janë të përafërta. Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marrim ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra ç’tendoset. Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, Ju më numëroni logjet e saj dhe unë, i etur për dije i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome dhe vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjithë këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoi më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë që nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë që të zemërohem? Ndërkohë ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhet të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse mu deshën aq shumë përpjekje? Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mëson shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dukuritë dhe t’i numëroj, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta. I huaj për vetveten dhe për botën. I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që mohon vetveten sapo ta pohojë atë. Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj, i qetë duke mos pranuar të mësoj e të jetoj ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj. Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lind kjo paqe e helmatisur që sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse. / KultPlus.com

Të ngjajshme