E padukshme

12 Korrik, 2022 - 3:08 pm

(Fragment nga libri me tregime “Mjegulla”)

U çudit kur u zgjua prej gjumit pa ankth. Filloi shpejt e shpejt të rikujtonte ngjarjet e një dite më parë që zakonisht i vinin në mendje vetë, në sekondat e para pasi që zgjohej. Gabimet, dështimet, fillimisht gjëra negative, pastaj ndonjë ndodhi e mirë. Ditën e kaluar, pas një takimi me regjisorin e kishte lënë punën. Ishte puna e tretë brenda këtij muaji. Nuk po ndihej aq keq sa e kishte pritur për këtë gjë, ndaj ishte disi e habitur. Pika tjetër, kishte shkuar në lokalin ku rrinte zakonisht, ku kishte takuar mbesën e ish të dashurit. Ajo ia porositi një tekilla, të cilën Ilda e pranoi me mëdyshje. Tekillat e tjera bashkë me birra i pranoi me shumë kënaqësi. Përfundoi shumë e dehur para orës 8 të mbrëmjes. U kthye në shtëpi dhe e përfundoi një serial në Netflix. Ra të flinte rreth orës 11.

Nuk kishte as hangover. Ndoshta do të vinte më vonë, i kishte ndodhur edhe më herët. Nuk zgjohej me dhimbje koke, por i fillonte pasi kalonin nja 2 a 3 orë pas gjumit. U ngrit prej shtratit, shkoi te dritarja, e hapi. Ishte kohë pranvere në muajin shkurt. Ngrohja globale si hakmarrje e natyrës ndaj shkurtëpamësisë e kompleksit të superioritetit njerëzor iu fanit si macja ngërdheshëse e Lizës në botën e çudirave. Megjithatë, nuk ndjente dhimbje, prej miteve e historisë dukej se bota atë proces kishte, të krijohej dhe shkaktërrohej pafundësisht. Shkoi në kuzhinë e përgatiti një lëng frutash me spinaç, mollë, kivi dhe limon, u ul dhe e piu ngadalë. Ajo zakonisht sapo zgjohej duhej të dilte prej banesës të bënte ecjen e shpejtë 40 minutëshe, gjatë së cilës tentonte të qetësonte ankthin e mëngjesit. Ndonjëherë funksionte e ndonjëherë jo, por gjithsesi kishte efekt për të mirë.

Veshi pantollona ngjyrë mjalti me katrorë e me një prerje të gjërë, që i kishte blerë para disa ditësh, një bluzë të zezë, vathë ngjyrë ari dhe pallton e madhe të zezë prej kashmiri. I pëlqente edhe fjala, kashmir. Mori syzet dhe çantën dhe doli prej banesës. I pëlqente kur njerëzit e shikonin. Njërëzit kanë dëshirë të shohin gjëra të bukura. Edhe ajo vetë. U ndal në ëmbëltoren e lagjes, porositi një kafe dhe një ëmbëlsirë, por shitësja nuk reagoi. E përsëriti disa herë si dhe e pyeti shitësen nëse ishte mirë, por ajo vazhdoi të mos jepte asnjë shenjë. Doli jashtë duke i ardhur keq për shitësen që e njihte prej se punonte në atë dyqan. Me siguri është duke kaluar ndonjë peripeti të rëndë, mendoi me vete dhe nëpër mendje i shkuan shumë ide se çka mund t’i kishte ndodhur. Mendoi se sa pak dinte për të edhe pse e takonte çdo ditë tashmë.

Do të merrte një kafe tjetërkund. Ose edhe më mirë ndoshta do të ulej diku te sheshi i qytetit. U ul në një takolinë përballë sheshit që i binte dielli. Zakonisht nuk e duronte diellin kur i binte në fytyrë, mirëpo sot po kënaqej. Priti gjatë për kamarierin. Po i pihej shumë një kafe. E pa kamarierin t’i kalonte para fytyrës, e thirri, ia bëri me dorë por ai as nuk e ktheu kokën ta shihte. U ngrit në këmbë, kaloi një tjetër kamarier, e njëjta gjë pothuajse. Në një moment iu duk se më në fund njëri po vinte drejt saj, por jo, u ndal në një prej tavolinave përpara. Iu duk si rreng që krejt bota kishte vendosur t’ia luante. Ose vetëm shiteset dhe kamarierët. U ngrit prej tavolinës dhe hyri brenda në kafene. Me zë të lartë kërkoi menaxherin. Askush nuk reagoi, e kafeneja ishte plot me njerëz, veç stafit. E ngriti zërin edhe më shumë. Asgjë. Filloi të bënte lëvizje të çuditshme, të bërtiste, të çirrej. Askush nuk lëvizi as sytë në drejtim të saj. Për pak çaste mbeti duke menduar. Kjo që po ndodhte ishte e çuditshme vërtet. Çka mund të kishte ndodhur? Sipas të gjitha gjasave ishte bërë e padukshme. U ndal edhe njëherë dhe rimendoi gjithçka që kishte bërë dje, dukej sikur dje kishte qenë dita e fundit që njerëzit e kishin parë. Doli në rrugë. Vazhdoi të thërriste, të bërtiste, të çirrej. Kaloi në një gjendje pothuaj transi prej gjithë asaj bërtime. Në fillim prej dhimbjes, e ndërkohë filloi të mendonte që tani që ishte e padukshme s’do merrte më komplimente për pamjen. As për asgjë tjetër. Atë jo vetëm që nuk e shihnin, por as nuk e dëgjonin. Mendoi nëse ishte dikush, ndonjë njeri me aftësi të veçantë që mund ta shihte. Duhej të kishte ndonjë domethënie fakti që përnjëherë ishte bërë e padukshme. Mendoi nëse ishte e aftë të bënte seks. Ajo e ndiente trupin e vet si mish, shqisat i kishte si zakonisht, por nuk ishte e sigurtë nëse mund të kishte marrëdhënie normale seksuale. Ndoshta ende të paktën mund të masturbonte. Sidoqoftë tani ishte tepër e alarmuar për t’u ndier e eksituar. Të gjithë ato gjëra që s’mund t’i bënte më, po e bënin të ndihej sikur kishte vdekur. Ose ndoshta kështu ishte jeta e pasvdekjes. Të bëheshe i padukshëm, asnjë veprim i yti të mos e ketë aftësinë të afektojë ndonjë ngjarje a person në planetin Tokë. Përderisa jeta vazhdon të ndodhë, njërëzit e tjerë vazhdojnë të jetojnë, të përjetojnë, e ti je aty duke i parë por pa qenë i zoti të bësh asgjë. Pak a shumë sikur kur je në depresion, mendoi. Nëse kjo gjendje vazhdonte gjatë, do të ishte e tmerrshme. Ndoshta ishte si një lloj ferri. Ose dënim i veçantë për të. Ndoshta ferri ndryshon sikurse ndryshojnë pëlqimet e mospëlqimet e njerëve. Për të, të qenit e padukshme ishte e barartë me djegien e ngadaltë në kazanët me llavë. Nuk e kishte shfrytëzuar sa duhej të qenit e dukshme, e gjallë. Edhe pse gjithmonë të paktën ishte përpjekur të dukej mirë. Edhe kur vishej me rroba shumë minimaliste ia dilte të merrte vëmendje, ishte si një lloj shenje dalluese e saj. Prandaj ky ishte ferri i saj personal. Të kalonte përjetësinë pa u vërejtur. Pa mundur t’i flasë askujt, të nxisë mllef a dëshirë vetëm përmes fjalëve dhe mendimeve të saj. Ndoshta do të kalonte, ishte vetëm fazë. Iu kujtua që ende nuk kishte asnjë shenjë hangover-i nga tekillat e ditës së kaluar. Tash edhe mungesa e ankthit kishte kuptim. Ndoshta natën e kaluar kishte ndodhur diçka që s’i kujtohej. E mori telefonin, shumë kureshtare nëse do të dilte vërtet imazhi i saj në fotografi. E drejtoi kamerën kah fytyra dhe shtypi butonin në mes. Për herë të parë nuk i interesoi a dukej bukur. Fotografia u shkrep. Po imazhi i saj kishte mbetur në telefon. Të paktën ajo po e shihte. E postoi në Instagram dhe priti. Nuk ndodhi asgjë. Asnjë reagim. Do të thotë as në social media nuk mund të mbante gjallë imazhin. U ul dhe ndezi një cigare. Të paktën ende mund të bënte shprehitë e veta të zakonshme. Veçse kuptimi i cigares ishte prej të vetmive që nuk kishte ndryshuar prej që ishte bërë e padukshme. Ushqimi tash kishte tjetër kuptim. Pse të brengosej për ushqim tash që ishte e padukshme? Nuk kishte asnjë lidhje nëse shëndoshej shumë apo kishte trupin më të bukur në botë, askush nuk do ta shihte. Në këtë moment filloi ta shihte anën pak më të mirë të gjithë kësaj punës së padukshmërisë. Kishte mundësinë të shihte gjëra që s’kishte parë kurrë më parë, të udhëtonte, askush nuk mund t’i kërkojë vizë një personi të padukshëm, të zbulonte sekrete të mëdha, të hynte nëpër vende që kurrë në jetën e saj nuk i kishte ëndërruar. Ndoshta duhej të kishte më shumë qasje pozitive.

Dhurata Hoti/ KultPlus.com

Të ngjajshme