Edhe një herë: Optimizmi i mirë apo i keq

17 Maj, 2021 - 1:18 pm

Nga Ibrahim Berisha

Optimizmi nuk është as i mirë as i keq. Është edhe i mirë edhe i keq. Optimizmi i shprehur i shqiptarëve në Kosovë në fillim të shekullit XXI, së paku në anketa, do parë në kontekstin e tendencës së largimit nga e kaluara dhe nga e tashmja dhe jo si vizion e besim i qartë për të ardhmen. Po, sot ?

Nuk ishte gjithaq befasi kur në krye të piramidës së optimizmit botëror, menjëherë mbas luftës (2000), u ngjit “populli” i Kosovës. Cili ishte ky “popull”? Një popull, të cilit po i hapej dritarja e lirisë së shpresuar, kësaj mungese të përhershme. Por, kuptohet se edhe atëherë nuk do të thotë se e gjitha ishte një vlerësim i përpiktë, apo se të gjithë e kuptonin se çfarë do të thoshte optimizmi dhe çfarë pesimizmi. Apo e tëra ishte vetëm një lojë përqindjesh bërë nga hulumtues e metodologjistë, siç bëhet shpesh me nxjerrjen e rezultateve të vlerësimit të opinionit. Rezultati atëherë u përpi nga shumica “entuziaste” si një realitet frymëzues që korrespondonte aktivisht me të ardhmen “më të bukur në këtë rruzull”.

Mbas pak vitesh, populli më optimist i botës, ia lëshoi vendin një lideri tjetër dhe ra në të dytin vend duke befasuar edhe të gjithë ata që dinë çfarë është habia, sepse ende provonte krenarinë post-robëri edhe në këtë dimension kaq ekzistencial. Thënë shkurt: nuk kishte shumë faktorë që e bënin një shqiptar në Kosovë të jetë më optimist se një amerikan, një gjerman apo një japonez, madje as menjëherë mbas luftës dhe nuk ka as sot njëzetë vjet mbas saj. Kuptohet, sociometria e amerikanit për optimizmin është diç tjetër nga ajo e shqiptarit, por jo aq e ndryshkur sa të përziej kaq shumë idealitetin me realitetin.

Botëkuptimi i dikurshëm folkloriko-patriotik i njerëzve që ishin të lidhur aq shumë për vendin dhe i besonin tepër të ardhmes së tyre në te, ka ndryshuar. Aq sa sot nga Kosova qytetarët çdo minutë në të gjitha format provojnë të ikin nga kryet këmbët në Perëndim, Amerikë, Australi, Kanadë… Çfarë do të thotë kjo?

Para pandemisë, mbi 70 mijë kërkesa për vizë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, mbi 30 mijë në Ambasadën Zvicerane-këta numra tregojnë gjendjen e pritjes për të lëvizur. Është i freskët kujtimi: Nga tetori 2014 deri

në mars 2015, shifrat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të BE-së, Eurostat, kanë shënuar se rreth 75,000 qytetarë nga Kosova kanë migruar në BE. Në vitin 2020, 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës ishin të gatshëm të largohen nga vendi, bazuar në një anketë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Ky Grup kishte treguar se “gatishmëria për të migruar është rritur 23% dhe 30% në vitin 2020, krahasuar me 2015 dhe 2019, respektivisht”, thuhet në njoftim të GLPS-së, ku bëhet e ditur se tash gatishmëria e lartë për të migruar nuk përkthehet në migracion të paligjshëm.

Optimizmi, pra, ka edhe një përbërës, dhe ai është ardhja e çastit për të ikur nga ai, për t iu kthyer realiteti. Edhe, në këtë kthim të domosdoshëm, edhe frymës së ikjes nga vendi. Është optimizmi specifik apo keqkuptimi i kuptimit të drejtë të fjalës për të cilën lidhet ky përcaktim?

Po, çfarë në të vërtetë është optimizmi? Ua ka sqaruar të intervistuarve dikush përpara se t’ua kërkojë përgjigjen? Të mos rrahesh, të mos burgosesh kot, të ecësh i lirë, a është kjo masë e vlerësimit për optimizmin? Natyrisht, jo. Studiuesja Lauren Berlant në librin Cruel Optimism, e përkufizion optimizmin si ambicie, edhe pritje, diçka që njeriu e dëshiron. Kjo dëshirë lehtë mund të bëhet pengesë për perspektivën e optimistit. Këto lloje të marrëdhënieve optimiste, sipas saj, në thelb nuk janë të poshtra. Ato bëhen të poshtra vetëm atëherë kur objekti që ju tërheq aktivisht kthehet në pengesë. Optimizmi mund të përjetohet si gjithçka, përfshirë edhe si asgjë.

Fjala ka prejardhje nga latinishtja (optimus- më i miri). Sqarimi i këtij qëndrimi jetësor d.m.th. se optimisti sheh me sy të mirë gjithçka që ndodh përreth tij dhe lidhur me të. I sheh dhe i konsumon të gjitha me syzet më të mira. Por, filozofët kanë ecur më tej duke kërkuar zvogëlimin e dhimbjes në botëkuptimin se struktura e jetës është në esencën e saj e mirë. Kundrejt tyre, filozofi Niçe shkruan se optimizmi psikologjik është “belbëzim i cekët”, është “shenjë e shkatërrimit”. A është vërtetë optimizmi i pabazuar “belbëzim i cekët” apo “shenjë e shkatërrimit”? Edhe shenjë e shkatërrimit gjithsesi, se të shikosh me optimizëm dhe të shkosh poshtë, kjo është e keqe. Ende më e keqe është kur ti e sheh se shkon teposhtë dhe ata në sociograme të thonë, jo, ti nuk je në rregull, se nuk shkon poshtë, por po ngritesh, ne e shohim ngritjen tënde të rrufeshme, madje je i pari ndër më të parët! Dhe mbahu se kështu është mirë-ti je optimist, je më i miri, në fakt. Këtu duket është problemi i kënaqjes së blerë me pak iluzion. Por, prapë pyetja pa përgjigje, thënë kaherë: Nëse është kaq e mirë, atëherë pse është kaq e keqe

Se, optimizmi do të bie nëpër vite kjo nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë befasi. Befasia është se çfarë do ta zëvendësojë optimizmin e popullit lider dikur. Kontradiktat për optimizmin ishin thënë që më 2004, kur: « Afro 33 % të njerëzve (në Kosovë) mendojnë se gjatë 6 muajve të ardhshëm, situata ekonomike e familjeve të tyre do të përkeqësohet, ndërsa vetëm 10% mendojnë se situata e tyre ekonomike do të përmirësohet. Vetëm 3 % të respondentëve mendojnë se mundësitë aktuale për punësim janë të kënaqshme, ndërsa 79 % mendojnë se ato nuk janë të kënaqshme ». Kjo është e mjaftueshme për të definuar dimensionin antropologjik të optimizmit shqiptar-kosovar. Nuk ka mundësi përcaktimi, nuk ka alternativë, ka vetëm një trend. Pritje për të ndryshuar, por si e çka? Pa ndonjë shenjë se diç shpejt mund të ndryshojë dhe e tëra në një çast të kthehet në pesimizëm dhe pesimizmi ka mbas revoltë dhe revolta ka mbas pasojën dhe pasoja ka mbas sërish obektin e fundit-optimizmin e pabazuaer. Kjo shprehet edhe në politikën elektorale.

Por, çfarë ka ndodhur ndërkohë. Në hulumtimin global lidhur me optimizmin e popujve për vitin 2008 përpara Kosovës ishte vetëm Hong-Kongu. Në vitin 2016 “Kosova nuk është askund ndër vendet më optimiste”. Ishin kinezët me rritje ekonomike 6.7 për qind, indonezianët me 4.9 për qind, pastaj saudarabët, tajlandezët etj, vende këto me shkallë shumë më të lartë të rritjes ekonomike se sa Kosova me 3.4. për qind. Rritja në Kosovë do të duhej të ishte dyshifrore për t’iu afruar shkallës së rritjes në këto shtete nënkuptueshëm, edhe optimizmit të tyre.

Në krahasim me mesataren e Europës Perëndimore, vitin e kaluar, bazur në statistika te FMN, të ardhurat e kosovarëve për frymë janë 4.2 herë më të poshtë se mesatarja e Europës Perëndimore. Kosova është vendi më i varfër i Europës, me 11.2 mijë dollarë amerikanë për frymë, e renditur në vendin e 108 në botë.

Informacioni e përcakton besueshmërinë e gjykimit. Pikërisht dimensionin antropologjik të optimizmit. Po kështu, edhe shkallën e besimit dhe të vlerësimit për vetveten-çfarë je dhe çfarë dëshiron të jesh: optimist-më i miri apo pesimist-më i keqi. Sa më pak përgjegjësi të kesh për të ardhmen tënde, aq më optimist mund të jesh. Kjo është një e thjeshtë sqaruese. Duke parë nga e kaluara “populli” flet për të ardhmen. Jemi më mirë seç kemi qenë dhe vetë ky krahasim, i bënë të trishtohen po menduan se bëhet më keq, d.m.th.

se bëhet më keq se tani. E kur më keq dihet çfarë mund të jetë, kurrsesi as nuk mund e paramendojnë.

Prandaj, mund të jetë një nga përgjigjet: Optimizmi nuk është as i mirë as i keq. Është edhe i mirë edhe i keq. Optimizmi i shprehur i shqiptarëve në Kosovë në fillim të shekullit XXI do parë në kontekstin e tendencës së largimit nga e kaluara dhe e tashmja dhe jo si vizion i qartë për të ardhmen. Mund të ndohmojë mendimi i Roy T. Bennett për të riorientuar optimizmin në kroniza reale: Në vend që të shqetësoheni për atë që nuk mund të kontrolloni, ridrejtoni energjinë tuaj në atë që mund të krijoni. Kjo, një mundje e ndrojtjes më shumë, se sa heqje dorë për të marrë gjithë përgjegjësinë e plotë për vete.

Është vështirë të sqarohet dimensioni politik, qytetar, antropologjik etj., i mos-optimizmit pasues, përkatësisht i lëvizjes kaq drastike, rënie kjo nga lartë-poshtë. Pse të jesh realist a pesimist? Pesimisti shikon nga dritarja e së sotmes të ardhmen (ky është populli pesimist i së ardhmes së Kosovës). Optimisti e shikon nga e sotmja të kaluarën, rri në afeksionin ceremonial më shumë. Nuk çanë shumë mendim për të ardhmen (ky duket është populli optimist i djeshëm i Kosovës) që po ia lë vendin “popullit realist“, i cili të ardhmen edhe e koncepton si përgjegjësi të plotë të vetvetes. / KultPlus.com

Të ngjajshme