Edhe një libër tjetër i Pal Ndrecaj

31 Gusht, 2019 - 8:00 pm

Nga: Margita Markaj

Edhe një libër tjetër i Pal Ndrecaj – romani “Lista e zezë”. U botua për herë të parë më 2010. Tirazhi prej 500 kopjesh u shit brenda vitit. I humbur në pyllin e dendur, te errët e të frikshëm të autocensurës së autorit të tij për nëntë vjet me radhë, ribotohet në saje të insistimit tim dhe përkrahjes së miqve, nën përkujdesjen e Om Publisher.

Një roman për Kosovën e pasluftës, në të cilin ziejnë vlimet politike, lufta për pushtet, shantazhe, prapaskena e vrasje makabre me motive politike dhe, herë-herë, skena të shkurtra dashurie, që provojnë se ajo (dashuria) është e mundur edhe brenda situatave tragjike.

Do të takoni njërin nga heronjtë më interesant te prozës sonë – Uran Budin, në personin e të cilit janë bashkë viktima dhe viktimizuesi; një hero me personalitet të dyzuar e me një botë psikologjike komplekse. Një patriot e idealist, që pasi i është shpërlarë truri, kthehet në një vrasës te tmerrshëm.

Dramat e tij shpirtërore e psikologjike do të ju ndjekin edhe pasi ta keni mbaruar leximin. Personazh i rrallë, që edhe kur bën krime gjen amnistinë e lexuesit dhe mëshirën e tij, për t’u bërë krejtësisht me të në fund të romanit. Roman qe, më një anë transmeton mesazhe te drejtërdrejta dhe, në anën tjetër, ndërton kuptime te fuqishme simbolike.

Pushteti në roman nuk është thjesht pushteti në kuptimin fizik, siç jemi mësuar ta kuptojmë; lufta për të vënë nën kontroll ambiciet pushtetore (në mënyrë që të mos shkaktohen viktima njerëzore) nuk është vetëm lufta në kuptimin fizik. Krejt këto ndërtojnë kuptime simbolike që, përmes një gjuhe të koduar, paraqesin përpjekjen e brendshme, luften e betejat shpirtërore për të mbizotëruar, kontrolluar e frenuar veset, për të ndaluar shfaqjet e dëmshme të karakterit.

Një roman me kod të dyfishtë kuptimor, që kënaq edhe lexuesin e rëndomtë edhe atë semiotik. Roman që e meriton kohën dhe vëmendjen tuaj! Gjendet në libraritë: “Dukagjini” e “Artini” në Prishtinë, “ Tomorri” në Gjakovë, “Dukagjini” në Pejë, “Evetare”, “Pena” dhe “Altera” në Prizren, në bibliotekat komunale të qyteteve kryesore të Kosovës dhe, deri në fund të javës, edhe në libraritë në Gjilan e Ferizaj. Për romanin kanë shkruar, pos tjerëve: Prend Ndue Buzhala, Besim Muhadri, Sami Hajra etj./KultPlus.com

Të ngjajshme