Emil Lafe, akademiku që ‘unifikoi’ gjuhën shqipe

28 Janar, 2020 - 11:14 pm

“Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit mbetet edhe sot akti më i rëndësishëm përfaqësues kombëtar, që shpall dhe sanksionon unitetin e kulturës shqiptare dhe shtetin kulturor shqiptar, përtej kufijve, mbi bazën e një gjuhe letrare kombëtare të njësuar ose të shqipes standarde. Ajo Rezolutë me moton “Një komb – një gjuhë letrare kombëtare”, i sfidoi kufijtë e imponuar dhe gjendjen politike, duke shprehur vullnetin e përbashkimit të shqiptarëve rreth flamurit të një gjuhe letrare të përbashkët për shkollën, për letërsinë, për shkencën dhe kulturën shqiptare. Ky është kuptimi i vërtetë i veprës së Kongresit të Drejtshkrimit, këtu qëndron rëndësia e tij historike kombëtare e kulturore. Njëkohësisht këtu qëndron edhe arsyeja e kundërshtimeve që i janë bërë e i bëhen. Kongresi i Drejtshkrimit, i organizuar nga Universiteti i Tiranës, ishte vepër kolektive e shkollës shqipe dhe e inteligjencës shqiptare këtej e andej kufijve shtetërorë. Në përgatitjen dhe suksesin e tij morën pjesë dhe kanë merita studiuesit më në zë të gjuhës shqipe dhe krahas tyre edhe mjaft studiues të rinj, njerëz të letrave, veteranë e veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar”.

Profesor Emil Lafe në konferencën përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Related image

(Foto nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe)

Vepra e profesor Emil Lafes i përngjan një yllësie për nga misioni, forca e ndikimit dhe vlerat shkencore. Kjo yllësi e ka ndriçuar mbarë arealin shqiptar dhe e ka mbrojtur nga terri përndarës dialektor, që nxit përçarje e kokëçarje të panevojshme. Gjuha është simboli më i qenësishëm i identitetit dhe i lashtësisë së një kombi, andaj sfida e formimit të gjuhës letrare të njësuar ka qenë një ndër pikat më të rëndësishme të programit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, si kusht dhe shenjë vendimtare e pavarësisë së vendit.

Përgjatë viteve u bënë përpjekje të ndryshme për zgjidhjen e çështjes gjuhësore, por angazhimi vendimtar nisi pas çlirimit të vendit, ku u ndërmor puna konkrete për hartimin e rregullave drejtshkrimore (1948, 1951, 1956) dhe u hartua për herë të parë fjalori shpjegues, i mbështetur në dy variantet letrare, Fjalori i gjuhës shqipe (1954), i hartuar nga Instituti i Shkencave.

Profesor Emil Lafe është një ndër pasuesit dhe përçuesit më të denjë të ideve iluministe në Shqipëri. Ai, së bashku me prof. Eqrem Çabejn, prof. Mahir Domin dhe prof. Androkli Kostallarin, dhe me kontributin e shumë delegatëve të tjerë anë e kënd shqiptarisë, i dolën në krye sfidës më të madhe kombëtare, pikërisht njësimit të shqipes letrare përmes hartimit të rregullave të drejtshkrimit të saj.

I pasionuar pas punës shkencore, i dashuruar pas gjuhës shqipe, njohës i mirë i dialekteve të shqipes, profesor Emili mbetet shëmbëlltyra e gjuhëtarit serioz, me kompetencë shkencore dhe konsekuent në pikëpamjet e veta, në harkun kohor të gjashtë dekadave. Qysh në moshën 21-vjeçare kur u emërua asistent pedagog në katedrën e gjuhës shqipe, ai i ngjiti shkallaret e suksesit falë përkushtimit dhe aftësisë së tij.

Emri dhe veprimtaria e profesorit janë të lidhur pazgjidhshmërisht me problemet e zhvillimit të gjuhës shqipe letrare, me përvijimin dhe zbatimin e trajtave normative të saj dhe me qëndrimet parimore për ruajtjen e gjuhës letrare të njësuar shqipe. Për t’u thelluar në këto kahe zhvillimore, profesorit i janë dashur shumë vite pune për njohjen e dialekteve të ndryshme dhe tipareve e veçantive fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve bazë të shqipes: gegërishtes dhe toskërishtes. Në mënyrë sipërfaqësore, disa mendojnë se hartimi i rregullave të drejtshkrimit u diktua nga numri i përfaqësive krahinore dhe nuk marrin për bazë rrethanat e tjera kulturore e historike, si dhe diskutimet disavjeçare për projektet e rregullave drejtshkrimore të botuara në vitin 1967 apo Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, të mbajtur një vit më vonë, pikërisht në prill 1968.

Profesor Emili është anëtar i komisionit hartues të rregullave të drejtshkrimit (1967), delegat dhe njëherësh, sekretar i Komisionit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe një nga zërat më aktivë në fushën e gjuhësisë për problemet e sfidat me të cilat përballet gjuha shqipe sot.

Image result for kongresi i drejtshkrimit

Ai është njeri shumë i përpiktë si në shkencë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Në mënyrë kronometrike, organizon punën e çdo dite, duke programuar punën hulumtuese me atë organizative të revistës shkencore dhe konferencave që bashkërendon herë pas here. Për të, koha është aseti më i çmuar, ndërsa korrektësia është tipari më i dallueshëm i tij. Ai e çmon fjalën dhe kurrë nuk abuzon me të. Njeri i besës, fisnik e dinjitar, fjalëpak dhe përcaktues i prerë i çdolloj situate, ai vetvetiu i imponon respekt çdokujt, madje edhe atyre që nuk bien dakord me mendimet e tij.

Zëri i tij i qashtër e kumbues, i ngjyrosur me notat e intonacionit të shqipes ia përvijon më tej gjallërinë dhe ekspresivitetin e mendimit. Natyra e tij paqësore, qëndrimi i njerëzishëm dhe bashkëpunues, ia shtojnë më tepër hijeshinë e madhështinë profesorit, i cili është i gatshëm të të përgjigjet në çdo rast për problematikat që lidhen me gjuhën shqipe.

Numri i tij i telefonit dhe adresa e postës elektronike janë pika referuese e gazetarëve dhe studiuesve të rinj, të cilët e dinë gjithnjë se do të gjejnë një përgjigje të padiskutueshme nga profesori, i cili nuk bezdiset asnjëherë kur bëhet fjalë për çështje të gjuhës shqipe. Në shumë raste, ai ka marrë përsipër, vullnetarisht, organizimin e takimeve ndërgjegjësuese, sqaruese për problemet e gjuhës në media, por edhe në sfera të tjera shoqërore. Shumë herë i këshillon dashamirësisht të njohurit e vet për mënjanimin e gabimeve që shpërfaqen në komunikimet publike. Reagime të tilla i vijnë natyrshëm, sepse siç e përdor vetë në përcaktimin e kolegëve të vet të nderuar, ai nuk është nga ata që bëhen urë e vig të shkojë sipër i mirë e i lig.

Image result for emil lafe

Kontributi 60-vjeçar në fushën e gjuhësisë

Profesor Emil Lafe lindi në Vithkuq të Korçës më 27 qershor të vitit 1938, ku i ati gjendej me shërbim si kryetar i komunës. Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë me ndjenja atdhetare dhe arsimdashëse. Dashurinë për gjuhën shqipe dhe përkushtimin për punën i kultivoi qysh në vitet e para të jetës nga prindërit e tij. Ishte fëmijë shumë kureshtar dhe kërkues ndaj vetes. Për shkak të transferimeve të herëpashershme të të atit, fëmijëria dhe rinia e tij kalan nëpër qytete të ndryshme shqiptare: Kukës, Prizren, Berat, Lushnjë, Durrës, Vlorë, ku kreu gjimnazin (1955)

Më 1959 u diplomua në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Po atë vit, u emërua asistent në katedrën e gjuhës shqipe të këtij Fakulteti, e cila kishte si objektiv kryesor përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe për shkak të kërkesave të shumta që kishte vendi. Për përgatitjen e këtyre mësuesve u aktivizuan figurat më të dalluara të kohës, mes të cilëve edhe profesor Emili. Ndonëse i ri në moshë, ai spikati me formimin e tij. Prej emërimit në punë si pedagog, ai ka hartuar leksionet dhe ka lekturuar disa lëndë gjuhësore në Universitet. Për studentët, ai mbetet profesori serioz, kërkues, por tejet i drejtë në vlerësime.

Në periudha të ndryshme përgjatë karrierës së tij akademike, ai ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Napolit, të Sant-Peterburgut, të Leçes, të Pekinit, të Beogradit etj.

Image result for emil lafe

(Profesor Emil Lafe në Universitetin e Pekinit)

Energjinë dhe kohën më të madhe ia mori puna në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, ku qe për periudha të ndryshme përgjegjës i sektorit të kulturës së gjuhës, të terminologjisë, të gramatikës dhe dialektologjisë, gjithashtu anëtar i këshillit shkencor, anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë” etj. Gjatë kësaj periudhe, ai u përfshi në veprën më madhore të kombit shqiptar, pikërisht në njësimin e gjuhës letrare shqipe. Ai ishte anëtar i komisionit që punoi për hartimin e projektit të ri të drejtshkrimit, duke u bërë pjesë e diskutimeve shkencore shumëvjeçare dhe duke studiuar në thellësi trajtat gjuhësore dhe shtrirjen e tyre. Përveçse si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, ai mori pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të Kongresit, në cilësinë e sekretarit të Këshillit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit.

Bashkautor në vepra themelore normative të gjuhës shqipe: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës shqipe” (1976, me disa ribotime), “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (1982).

Në vitet 1999-2008 ka qenë drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në Akademinë e Shkencave. Në këtë detyrë, ai la një tjetër gjurmë të ndritshme në sferën e kulturës së gjuhës shqipe, duke drejtuar projektin për “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tri vëllime. Ai është autor i shumë zërave dhe redaktor i përgjithshëm i tij (vëll. 1 e 2 – 2008, vëll. 3 -2009).

Është autor i një vargu punimesh dhe artikujsh të botuar në shtypin shkencor të vendit e të huaj, ku spikat kontributi i tij për probleme të kulturës së gjuhës, për leksikologjinë, për historinë e gjuhës dhe gjuhësinë krahasimtare, si dhe profile për personalitete të kombit shqiptar.

Opusi i shkrimeve dhe studimeve të tij nuk është vetëm gjuhësia, por edhe personalitetet kombëtare që kontribuuan për zhvillimin e saj, gjë që tregon karakterin e tij mirënjohës dhe fisnik, që nuk flet kurrë për sukseset e veta, por që nuk lë rast pa folur për sukseset e kolegëve, profesorëve dhe njerëzve të tjerë me vlera në fushën e shkencës.

Përgjatë viteve 1988-1989 ka kryer një kualifikim në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit e Bonit me bursën “Humboldt”. Më 1982 fitoi gradën shkencore “doktor”, ndërsa më 1994 titullin “profesor”. Profesori ka organizuar dhe ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca, simpoziume e kongrese shkencore brenda e jashtë vendit.

Ai është Kryetar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare, anëtar i kryesisë së Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave, anëtar i redaksisë së revistës “Perla” nga themelimi (1996) dhe kryeredaktor (2013 e në vijim).

Falë vlerave të spikatura profesionale, ai është lauruar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë, dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri” (i bronztë dhe i artë). Me përvojën e tij të pasur e të gjatë në çështjet e gjuhësisë, ai vijon të konsiderohet si një nga gjuhëtarët më kompetentë dhe si një mbrojtës parimor e i vendosur i gjuhës letrare kombëtare shqipe, një dhe e pandarë për gjithë shqiptarët, kudo që janë./redaktori.net// KultPlus.com

Të ngjajshme