Ende: Politikan mit, intelektual mit

21 Maj, 2022 - 5:41 pm

Ibrahim Berisha

Mitet aktuale të disejnuara apo të futura dhunshëm në “memorien kolektive” institucionale, në fakt, janë surrogate të miteve, por që ushqehen nga një frikësim rinovues nga e kaluara ideologjike. Duan largim nga sistemi i vlerave me mundësi të barabarta konkurruese. Në vend të punës, fjalë, arrogancë dhe dhunë publike. Prandaj, në horizontin e tillë kaotik, folk-romantik, kanë shumë peshë: Fjalë pa vlerë, arrogancë dhe dhunë publike.

Prirja të fitohet e të merret dhe jo të humbet e të jepet është më se njerëzore. Për të krijuar baraspeshë për marrjen dhe dhënien, është ndërtuar rendi, norma, ligji dhe sistemi ligjor. Pastaj edhe sistemi i vlerave etike. Por, po kështu, sistemi jo rrallë mund të jetë burim taitjesh fatkeqe, mbasi krijohet jo mbi mundësi dhe liri të barabartë të qytetarit, intelektualit, por mbi abuzimin dhe pushtetin e pakufizuar të individit a grupit të interesit. Abuzimi  rehatohet në monopolet që mund të jenë qeveritare apo për-qeveritarë, po edhe për opozitën klienteliste, por në këtë rast,  koston e kësaj rehatie e paguan qytetari nga fëmija parashkollor e deri tek hulumtuesi dhe intelektuali kritik e kreativ. 

Një shembull: Kur për-qeveria ka monopol mbi institucionet atëherë është fare e natyrshme të ketë kudo emra pro qeveritarësh në ballë të privilegjeve. Kështu ka ndodhur me të gjitha qeveritë e deritashme. Kështu, barazia në tregun e dijes nuk u përket të gjithë njerëzve dhe për këtë ka një arsyetim popullist, estetizues, ishte  edhe në komunizëm është edhe në demokraci: Populli, sovrani! Në të dy sistemet populli është sovrani i pakontestueshëm. Natyrisht, në letër. Çdo gjë bëhet në emër të tij. Por, sa e bënë krenar kjo popullin që i përmendet kaq shpesh emri?

 E vërteta, sa më shumë dhe e thellë të jetë pabarazia intelektuale, e stimuluar gjatë, aq më shumë njerëz do të jenë të barabartë politikanët dhe intelektualët politikë, do të ketë më pak mendime që nuk janë sikur të tjerëve. Pra, shumica janë të barabartë në pabarazi.

Estetizimi në shoqërinë komuniste niste nga kjo pikë: Të gjithë janë të barabartë, të gjithë janë popull. Lumturia dhe kënaqësia ishte popullore, sikur edhe dështimet dhe ndëshkimet ishin gravurë në lëkurë të popullit. Statusi përcaktohej nga shumë indikatorë, shumë prej tyre të padukshëm.

Po në demokraci: cilësia e mendimit nuk e përcakton cilësinë e statusit. Barazia e popullit është e garantuar. Privilegjet janë kënaqësi demokratike. 

Pra, estetizimi publik ka një subjekt moral të pashtershëm, në thelb shterp,  dhe ai është heroi politikan e intelektual. Secili i bën heronjtë e vet dhe nuk i pranon të tjetrit. Heronjtë e familjes, të lagjes, të fshatit, të provincës, të Akademisë, të fakulteteve, institucioneve etj, por se ka heronjtë të vlerave intelektuale, se ato edhe kur janë, nuk do t’i vërejë askush, sepse hapësira është zënë nga shkuma e publikëve politikë dhe klientelistëve institucionalë. Prandaj, nuk gjen në këto hapësira evropiane kaq shumë heronj të kulltukëzuar, mistikë e të lumtur që arsyetojnë profilin e këtyre pseudoheronjve të privilegjuar sa në këtë vend. 

 Në fund: Estetizimi publik për të qenë më efektiv duhet të jetë sa më enigmatik. Sa më i padukshëm, dhe sa më pak ofertues. Këto forma të mistifikimi kanë koston, pasi pengojnë krijimin e sistemeve reale konkurruese, tregun funksional të dijes, ambientin real të të rinjve, krijues të vlerave përmbajtësore, përkatësisht, kjo bën që surrogatet intelektuale të menaxhojnë plotfuqishëm amullinë dhe të varfërinë institucionale publike. /KultPlus.com

Të ngjajshme