Ëndrra për Trëndafilin dhe Pemën

4 Janar, 2023 - 6:19 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Trëndafili që u shndërrua në Vajzë qante me zërin e saj të mbytur dhe më thirrte herë- herë: Më shpëto, po mbytem!

Nuk shihja njeri tjetër në breglum ku, për çudi, në një pemë mëndafshi pa gjethe vareshin shumë gurë xhevahiri e trëndafila roze. Vajza ende qante dhe kur unë me trishtim e frikë iu afrova mosbesues, duke u mbajtur për litarin që e kishte humbur ajo. Ndonjë peshkatar i vëmendshëm mund ta kishte gjetur para meje. Por, mua më ra hise.

Atëherë e njoha kush ishte vajza.

Ishte Pema, që po zhytej në dritën e lëngshme të baltës së gjallë.

Më shpëto, po mbytem!, vazhdonte me zërin e mbytur.

Kaq e mundimshme ishte sa nuk dija se një gotë ujë do të më ndihmonte. Më qe tharë fyti sikur të kisha përbi’ një grusht kripe deti.

Mbas kësaj storjeje ëndërruese, nuk më zinte gjumi, më merrte ankthi deri në pikën e skajshme të kotësisë, por përnjëherë, shkulesha nga kjo humbje kthyese.

Në mëngjes isha i dërrmuar, dhe tashti ende s’mund të mendoja, afër trëndafilit të porsa mugulluar, çfarë ka ndodhur me vajzën në natën e gjatë.

Sa pushova pak së menduari për natën e vështirë, ra zilja. E dëgjova fare pak në fillim, se ku isha nga ballkoni, kështu duhej të ndodhte.

Kur hapa derën, Mala, fqinji që, kuptohet, mendova kishte ardhur për një kafe mëngjesi, se ishte e dielë, të mos harroj, e diela e tretë e qershorit, më tha: Nuk jam mirë. Krejt natën nuk kam fjetur, na ka qarë Pema, Qika e Vogël.

Kur tha Pema, u befasova, aq sa edhe ndjeva se ende në gojë kisha avullin e kripës së natës. Goja e tharë!

Isha te mjeku, në emergjencë, mbeta gjatë, tha Mala. Të shtunave pediatri punon me orar të shkurtër. Mbas kontrollit, mjeku kujdestar më tha: Ashtë alergji, jo nga poleni i luleve të pemëve, por na poleni i trëndafilave.

Aroma e trëndafilave që prehej në oborr, sa shikova kah dritarja, më dukej tashmë si një vaj i trishtuar.

Po, ia prita.

Preku Pemën me infeksione, dhe nuk është e lehtë të përcaktohet drejt diagnoza. Pema kishte infeksion goje, veshi, kokëdhembje, temperaturë, më tha fqinji.

Nga trëndafilat, pyeta krejt kot. Ju as nuk keni në oborrin tuaj trëndafila, pëshpërita.

Jo, ma ktheu Mala, ne nuk kemi.

Kaq të bukur janë, mendova me vete duke shikuar kopshtin.

Jam krejt i trullosur, pa gjumë dhe i trishtuar, dhe një kafe do t’më kthejë përsëri në jetën e zakonshme, mbylli ai rrëfimin.

Në jetën normale, e plotësova, pa hequr mendimin nga trëndafilat rozë në dritën e parë të mëngjesit.

Ai nuk foli

Fqinjë jemi, i thashë duke miratuar kërkesën e pathënë. Duhet të ndajmë të mirën dhe të keqen mes vete.

Po, faleminderit, ma ktheu.

Pastaj, duke pirë kafe teksa rrezet e diellit thyheshin mbi sipërfaqet shumëngjyrëshe në kopsht, Malës, unë i rrëfeva ëndrrën për Trëndafilin dhe Pemën. / KultPlus.com

Të ngjajshme