‘Enigma e poezisë’, libri më i ri nga Sabri Hamiti

17 Qershor, 2021 - 3:00 pm

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka botuar veprën më të re letrare të akademik Sabri Hamitit, “Enigma e poezisë”. Libri është i ndarë në dy pjesë dhe trajton poezinë e autorëve klasikë shqiptarë të shekullit XX dhe autorë përfaqësues dhe veprat e tyre poetike të krijuara në shekullin XXI, përcjellë KultPlus.

Në pjesën e parë të veprës më të re të Sabri Hamitit, “Enigma e poezisë”, trajtohen fenomene të poezisë shqipe të shekullit XX, në pesë kaptina. 1. Gjergj Fishta me Lahutën e Malcís, eposin e përthyer në imagjinatën lirike të zanave. 2. Lazër Shantoja me Për nji puthje të vetme, lirikë pasionante, që skandalizon norma e forma me licencia poetica-n e vet. 3. Ernest Koliqi me “Shêjzat” e veta, që me thelbin e artit poetik projekton kanonin letrar shqiptar integral. 4. Martin Camaj, me kenën e gjuhës shqipe shfaq kenën e rrënjës shqipe, për të pagëzuar Palimpsestin poetik të Unit. 5. Rexhep Ismajli, me përkthimin e poezisë ballafaqon e lidh kulturat, me fuqinë shpirtërore të kumtit poetik.

Në pjesën e dytë të këtij libri trajtohet poezia shqipe e shekulli XXI, në trembëdhjetë kaptina, duke synuar rrjetin poetik të krijuesve. 1. Zef Zorba, Libri i jetës. 2. Frederik Rreshpja, Marrëzia e Itakës. 3. Rrahman Dedaj, Migrimi i shpirtit. 4. Ali Podrimja, Elipsa e Eklipsit. 5. Fatos Arapi, Trishtimi i lamtumirës. 6. Romeo Çollaku, Poezia e mendimit. 7. Luljeta Lleshanaku, Fundi i gjërave. 8. Abdullah Konushevci, Poezia: matanë dashunisë. 9. Demë Topalli, Poezia e heshtjes. 10. Mimoza Ahmeti, Diva/Dama qiellore. 11. Arben Idrizi, Heqakeqi meditant. 12. Agron Tufa, Gardërobë gramatike. 13. Eqrem Basha, Perla e zezë.

Poezia e re shqipe, me kumte e me forma poetike, niset kah kanonet e reja, mendon autori. / KultPlus.com

Të ngjajshme