Enkel Demi: Do doja të ftoja në darkë Kutelin dhe Markezin

28 Janar, 2020 - 10:24 pm

Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018, Tom Kuka (Enkel Demi) fitoi sivjet çmimin e “Romanit më të mirë” me librin me titull “Gurët e Vetmisë”

Tom Kuka vjen në një rrëfim mbi librat i vendosur në rolin e lexuesit.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Me gjasë “100 vjet vetmi”, por pse jo “Jeta sipas Garbit”, “Autostrada e Jugut” dhe nuk e lë dot jashtë “Pedro Paramar”. Qenka ora e torturës me këtë intervistë…

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet e Çehovit, Mopasanit, Migjenit, Enerst Koliqit dhe e shumë e shumë të tjerëve që nuk më vijnë në mendje tani.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Edhe këtu kam një listë të gjatë emrash, por do të veçoj:

Liridon Mulaj, Elvira Dones, Mira Meksi, Andreas Dushin, Ledia Dushin, Mimoza Hysën, Virgjil Muçi, Blendi Fevziun, Ben Blushin, Diana Çuli, Preç Zogajn, Besnik Mustafaj, Bashkim Hoxha, Entela Tabaku – Sorman, Arbër Ahmetaj, Agron Tufa dhe plot e plot të tjerë. Kjo është një listë e shkruar me vrik, por nuk është një klasifikim nga i pari tek i fundit.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Roman, tregimi, poezi, më rrallë kujtime dhe letërsi politike. Më tërheqin librat e verdhë, por jo gjinia thriller. Jam shumë i interesuar për romanin historik dhe letërsinë që e ka bazën aty si fjala vjen “Çifutka e Toledos” apo “Bota e djeshme”.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk e di sa do ju befasonte një botim i vjetër i Patër Fishtës që nis me poezinë “I Dbuemi” apo “Kanunet e Drishtit”?

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Jam në dilemë mes Kostandinit dhe Mujit, por heroina ime tragjike është Ajkuna.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Kam qenë një lexues shumë më i mirë se jam sot, kur ankohem më së shumti për kohën që më marrin gjërat e tjera. Me ëndje lexoja letërsinë e llojit Zhyl Vern apo nja dy romane si “Vrasje në anije” dhe “Gjuetarët e gorillave”.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Po, kur kam lexuar “Gjeniun” e Teodor Drajzerit. Ishte i ndaluar, por edhe në shtëpi i kishte dalë fjala se ishte libër erotik. Nuk e di se ku ia gjenin erotizmin, por një arsye më shumë për ta lexuar ishte. E mbaja të fshehur në furrën e shporetit që nuk ndizej, sepse ishte pranverë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Frymë të vdekura” dhe Gogoli në përgjithësi ka ndikuar shumë tek unë.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Nuk e di sinqerisht kë duhet të ndaj. “Ora e ligë” teknikisht është sipas mendjes sime libër shumë më i arrirë. Në këndvështrimin artistik i kam për zemër të gjithë.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Presidentit tonë do i rekomandoja “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, kurse kryeministrit pa asnjë hezitim “Apokalipsin” në Bibël.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të ftoja Markez dhe Kutelin që t’i njihja bashkë. Të tretin Heminguejin që ta njihja vetë.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Mendoj se “Banda e fëmijëve” e Savianos mund të ishte pak a shumë kështu. Ka një subjekt dhe linja të arrira, por letërsi jo shumë të lartë, gati-gati kronikë gazetareske.

Unë po e nisa një libër e lexoj deri në fund dhe kjo nganjëherë më revolton, sidomos kur më japin ndonjë shkrimtar limonatë.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nuk jam aq megalloman. Pastaj, mendoj se jeta ime nuk ka ndonjë gjë kaq të veçantë sa ia vlen të shkruhet.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Tek shkrimtarët shqiptarë dhe realizmi magjik.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Shumë të këtillë, veçanërisht nobelistë të viteve të fundit, të cilët shpesh nuk gjej kohën e duhur.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Kjo është koha që po e shpenzoj me autorët shqiptarë të ditëve tona. Dëshiroj t’i lexoj të gjithë./ Gazeta Liberale / KultPlus.com

Të ngjajshme