займ на карту онлайн потребительский кредит

Eqrem Basha: Nuk ka krijues që nuk e mendon lexuesin

25 Mars, 2019 - 4:03 pm

Jeta Zymberi

Do të duhej të ishte i pranishëm në programin e Salon du livre në Paris, në kuadër të programit Europe, por shkrimtari dhe poeti jonë i njohur Eqrem Basha, zgjodhi të ishte sot afër publikut të tij në Prishtinë, për të diskutuar kështu rreth librit të tij dhe për të ndarë me ta gjithçka që atyre ju intereson rreth shkrimtarit dhe librit të tij, shkruan KultPlus.

Ky bashkëbisedim erdhi në kuadër të edicionit të 19 – të të programit të Javëve të Frankofonisë në Kosovë, ku Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Universitare Frankofone në këtë organizim kishin ftuar edhe përkthyesin e njohur të romanit “Lakorja eik’sit”, Sebastian Gricourt.

Fakulteti Filologjik i Prishtinës ishte nikoqir i kësaj ngjarje kulturore-letrare e cila kishte mbledhur rreth vetës njohës të letërsisë si dhe studentë të interesuar për të bashkëbiseduar me shkrimtarin dhe për të dëgjuar diçka nga përvoja e tij.

Profesoresha Nerimane Kamberi në hapje të këtij organizimi u shpreh e nderuar që në kuadër të Javëve të Frankofonisë kanë shkrimtarin frankofon, shkrimtar i përkthyer në frëngjisht dhe i cili përkthen nga frëngjishtja, Eqrem Bashën.

Të mos harrojmë se shumë poezi, tregime e ese të shkrimtarit Eqrem Basha janë botuar në revista prestigjioze frënge si dhe ka qenë i ftuar të marr pjesë në takime letrare në Paris, Strasbourg, Lyou, Avignon, Grenoble, Caen, Die etj.

Shkrimtari Eqrem Basha, fillimisht u shpreh falënderues për këtë takim, sipas tij të veçantë. Ai u shpreh se për të është e rëndësishme gjithashtu që me këtë rast shënohet edhe botimi në Francë i romanit “La ligne de fuite” (“Lakorja e Ik’sit”), tek Editions Non Lieu, përkthyer nga miku i tij Sebastien Gricourt, i cili sot ishte i pranishëm.

“Prezantimi im në gjuhën frënge ka qenë reprezentativ, gjë që më bën të ndjehem i lumtur. Lidhjet e mia me frëngjishten dhe me frankofoninë megjithatë janë më të gjëra se kaq. Jam marrë tash e dyzet vjet me përkthimin e letërsisë frënge në gjuhën shqipe, para së gjithash me teatrin frëng, që mbetet në qendër të interesimeve, duke sjellë në shqip Sartre-in, Camus-n, Beckeet-in dhe të tjetër dramaturg të rëndësishëm në antologjinë “Teatri frëng i shekullit XX””, u shpreh Basha.

Ai tutje foli për aventurën e krijimit dhe vështirësitë e sfidat e përkthimit.

“Aventura e krijimit është herë rrugë e kthjellët dhe e drejtë, herë e turbullt, një rrugë parajse e ferri njëkohësisht, në të cilën ecet herë me lehtësi, herë me mundime e djersë. Nuk ka krijues që nuk e mendon lexuesin, bile edhe ata që thuhet se shkruajnë për vete. Në këtë jam bindur duke u marrë kaq vite me përkthime edhe të autorëve të konsideruar hermetikë. Harmonia e tekstit dhe leximi i rrjedhshëm ndonjëherë të habit. Prandaj po kaq është e vështirë dhe sfiduese aventura e përkthimit”, tha tutje Basha.

Shkrimtari më pas ndau me të pranishmit një fragment nga vepra e tij “Lakorja e Ik’sit”.

Ndërsa përkthyesi i romanit “Lakorja eik’sit”, Sebastian Gricourt duke folur në gjuhën shqipe, tregoi se qysh në vitin 1990  vendosi ta mësoj gjuhën shqipe. Ai tregoi që prej fillimit ka dashur ta përkthejë letërsinë, ndërsa shkrimtari Eqrem Basha nuk është i pari që ai e ka përkthyer, por është i pari që e ka botuar.

“Për të përkthyer një vepër duhet ta kesh mik shkrimtarin sepse kur e nis një përkthim ti futesh në botën e brendshme të shkrimtarit dhe është një punë që duhet bërë në vetmi të plotë. Duke e lexuar romanin unë e kam kuptuar edhe Eqremin edhe pse jemi miq shumë moti”, është shprehur Gricourt, i cili pastaj lexoi në frëngjisht fragmentin e njëjtë të cilin fillimisht e lexoi Basha në gjuhën shqipe.

Tutje, ishin studentët ata të cilët e morën fjalën, por për të sjellë para të pranishmëve dy poezi të poetit Basha në të dyja gjuhët.

E pas këtyre vargjeve, të pranishmit ishin të lirë të bashkëbisedonin me shkrimtarin dhe përkthyesin dhe të bënin pyetjet që ju interesonin duke bërë kështu edhe përmbylljen e kësaj ngjarje kulturore-letrare.

Gjatë muajit mars, Javët e Frankofonisë do të jenë të pasura me një shumëllojshmëri të gjerë të ngjarjeve: koncerte, konferanca, filma të metrazhit të gjatë, dhe filma të metrazhit të shkurtë, ekspozita dhe takime me artistë dhe realizator të filmave.

Të gjitha informatat mbi aktivitetet dhe vendet tregohen në programin e detajuar të cilin e keni të bashkangjitur dhe në faqet e facebook-ut të Frankofonisë në Kosovë:

https://www.facebook.com/francophoniekosovo/

Hyrja për të gjitha aktivitetet është falas. / KultPlus.com

Të ngjajshme