Eqrem Çabej, ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare

7 Gusht, 2020 - 10:31 am

Në datën 07 Gusht përkujtojmë datëlindjen e gjuhëtarit, profesorit, akademikut dhe Mësuesit të Popullit Eqrem Çabej.

Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet “Doktor në filozofi”. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike.

Disa nga veprat e tij janë “Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, “Hyrja në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari” i Gjon Buzukut”, etj.

Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Vdiq në Romë më 1980. / KultPlus.com

Të ngjajshme