Ernest Hemingway: Francës i duhen ndërtuesit, jo luftëtarët

20 Qershor, 2019 - 2:30 pm

Toronto Star Weekly/18 shkurt 1922

Nuk ka asgjë më të vdekur se një tigër i ngordhur dhe Georges Clemenceau ishte një tigër i jashtëzakonshëm. Prandaj, është pak të thuhet se Georges Clemenceau është i vdekur.
Meqë po vija nga Kanadaja, ku një intervistë me Clemenceaun ende rrok ballinat e gazetave, ishte e habitshme ta gjesh Tigrin e dikurshëm të Francës, të vdekur politikisht, ish-liderin francez të cilit i doli nami i zi pasi doli në pizhame nga makina “Pullman”. Askush nuk e citon Clemenceaun, askush nuk kërkon mendimin e Clemenceaut. Kur ju thoni “Clemenceau”, njerëzit qeshen dhe, në fund të fundit, zoti Clemenceau është shtrënguar të hapë një gazetë të vogël që t’i shprehë mendimet para publikut, nëse ka publik që e lexon.
Nëse kërkoni një shpjegim për atrofinë e Clemenceaut si figurë politike, mund të shkoni në dy vende për ta marrë vesh më së miri. Mund të intervistoni politikanë të cilët flasin për Versajën, çështjen e reparacioneve, diplomacinë e hapur, Gjenovën, basenin Ruhr dhe kemalistët. Ose mund t’i mësyni kafenetë dhe ta merrni vesh të vërtetën. Asnjë politikan nuk do të mund të mbante një njeri larg syve të publikut nëse do ta donin njerëzit.
Në kafene francezët nuk kanë çka të humbin e të fitojnë teksa i thonë gjërat troç, kështu që lirisht i thonë gjërat që i besojnë. Afërmendsh, nëse kanë harruar se kur janë ulur në kafene, flasin edhe për gjëra që s’i besojnë as vetë. Por nëse ju bie puna të rrini me ndonjë francez që ka kaluar mjaftueshëm kohë në kafene sa të flasë pa dorëza, dhe para se të nisë t’i vlojë koka a t’i dalë tymi, pa dyshim se do ta merrni vesh se çka përnjëmend mendon për Clemenceaun dhe çfarëdo qoftë. Dhe nëse ju bie puna të rrini me disa francezë në pjesë të ndryshme të Francës, mund ta krijoni vetë opinionin kombëtar; opinionin e përnjëmendtë kombëtar, e jo hijen e opinionit kombëtar që reflektohet në zgjedhje e gazeta.
Gjërat që i thotë Clemenceau janë thartuar në gojën e njerëzve. Nuk kanë shijen e të vërtetave. Të vërteta mund të kenë qenë dikur, por s’e kanë shijen e të vërtetave tani”, më tha një francez“.
Por, a krejt keni harruar çfarë bëri ai në luftë?” – pyeta unë.
Lufta u kry dhe ai ishte alamet tigri në luftë, por deshi të bëhej tigër edhe pas luftës. Pas luftës, tigrat janë hendikep për një shtet. Ju duhen mushka dhe kuaj punëtorë, mbase, por jo tigra. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës Monsieur Clemenceau, dhe ai duhet të presë derisa të vdesë që të bëhet përsëri njeri i madh”.
Ky është rezultat i muhabetit me shumë francezë. Ky muhabet nuk lëshohet shumë në hollësi e nuk përmend rrethana, por Franca dëshiron një soj të ri burrështetasi dhe ai soj i duhet si kurrënjëherë. Francës i duhet një ndërtues në vend të një luftëtari dhe, meqë nuk do të ketë luftime, Franca me egërsinë e republikave i ka çuar duart prej Clemenceaut. Ai jetoi shumë gjatë pasi kishte kryer detyrën e vet dhe, sikurse tha një francez në kafene: “Ai duhet të presë derisa të vdesë që përsëri të bëhet i madh”.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)/ KultPlus.com

Të ngjajshme