займ на карту онлайн потребительский кредит

“Është e rëndësishme të dish të dëgjosh”

Shkurt 10, 2019 - 1:30 pm


Jetojmë në një kohë, ku vlerësimi i tjetrit bëhet nga ajo çfarë ai thotë, nga ajo çfarë ai shkruan dhe nga ajo çfarë ai bën. Shpeshherë thuhet: Sa bukur flet ai! Sa bukur shkruan! Sa mirë i bën gjërat!

E pak ose aspak thuhet se sa dikush është i aftë të dëgjojë. Pra, sa pak vlerësohet pjesa më kryesore, DËGJIMI, që është shumë i rëndësishëm për formimin personal e gjithashtu edhe në marrëdhënie me tjetrin. Ai është çelësi i marrëdhënieve efektive.

Në realitet, dëgjimi nuk është më pak i rëndësishëm sesa fjala e shkrimi. Por, duket se nuk e kemi akoma të qartë se çfarë do të thotë të dish të dëgjosh?! E nuk po e vërejmë se njerëzit sot, më shumë se asnjëherë tjetër, kanë nevojë të dëgjohen, të kuptohen e jo të paragjykohen. Sepse paragjykimi vjen nga mosdëgjimi mirë e nga mosdëgjimi aktiv.

Shpesh  mendohet se dëgjimi është diçka e lehtë e pasive, por kjo është e gabuar e për këtë edhe njeriu gënjen veten duke thënë se di të dëgjojë, po në të vërtetë jo. Derisa ne paragjykojmë do të thotë se ende nuk kemi mësuar artin e dëgjimit. Të dëgjosh është të jesh tërësisht aktiv përballë tjetrit.

Të dëgjosh, është shprehje e dashurisë dhe e respektit që është shumë e rëndësishme në marrëdhënie me tjetrin, si në jetën në çift, ashtu në jetën familjare e gjithashtu në marrëdhënie pune e në marrëdhënie shoqërore. Goethe thotë: Të flasësh është e nevojshme, të dëgjosh është art. 

Do të thotë se të gjithë dinë të flasin, e të gjithë kanë nevojë të shprehen e të tregojnë për veten, për dhimbjet e kënaqësitë e veta  gjithashtu të flasin edhe për të tjerët. Por, a janë të gjithë të aftë të dëgjojnë, apo të praktikojnë artit e të dëgjuarit?!

Mjerisht pak vlerësohet e pak praktikohet e mjaft pak i jepet rëndësi, sidomos në këtë kohë ku jetohet në shpejtësi e zhurmë të paparë. Të dëgjosh nuk është e lehtë, nuk është natyrale, por të dish të dëgjosh është art që nevojitet të mësohet.

Dëgjimi i mirë  është shkathtësia themelore jo vetëm në këshillim psikologjik, por edhe në marrëdhënie të përditshme me tjetrin sepse na ndihmon ta njohim e ta kuptojmë më mirë atë e jo ta paragjykojmë. Sepse të dëgjosh të tjerët pa kaluar në paragjykim është një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë.

Njerëzit sot nuk kanë nevojë për këshilla apo përgjigje sepse ato mund t’i dinë edhe vetë, por ajo për të cilën kanë nevojë është thjesht një person që i dëgjon me durim e pa paragjykim. Të dëgjuarit e vërtetë ndaj personit tjetër padyshim është manifestim dashurie respekti e mirëkuptimi.

Scott Peck thotë: Të kuptuarit se dikush ju dëgjon me vëmendje, vetvetiu është veprim terapeutik.

Kjo do të thotë se, të dëgjuarit e vërtetë paraqet largim të përkohshëm nga vetvetja, nga nevojat personale e nga interesat e dëshirat e tua. Mundëson pranimin absolut të përkohshëm të tjetrit.  Të dëgjuarit e vërtetë bëhet i mundur vetëm atëherë kur i përkushtohet kohë e kujdes tjetrit.

Është i pamundur të realizohet dëgjimi kur njerëzit vetëm punojnë, përgatiten për aktivitete të së nesërmes dhe shpejtojnë  deri në rraskapitje dhe gjithmonë janë të zënë e pa kohë. Të tillët nuk janë në gjendje të dëgjojnë vetveten e aq më pak tjetrin. Sepse të dish ta dëgjosh tjetrin, në radhë të parë kërkohet të dish ta dëgjosh vetveten.

Të dëgjuarit është forma më e rëndësishme e kujdesit ndaj tjetrit që ka për bazë dashurinë. Të jesh dëgjues i mirë, jo vetëm do t’ju bëjë person më të dashur e më të durueshëm por do t’ju shtojë edhe shumë cilësi të mira në marrëdhënie me tjetrin. Do t’ju ndihmojë në formimin e personalitetit e do t’ju bëjë persona më paqësor.

Dëgjimi me kujdes i bashkëbiseduesit është njëri ndër komplimentet më të bukura që mund t’ia bëni tjetrit, personit. Charls W. Eliot thotë: Është shumë e rëndësishme që të dimë të dëgjojmë me kujdes bashkëbiseduesin, sepse kjo çdo njeriu i pëlqen.

Çdo njeri e ka të nevojshme këtë, sidomos në ditët e sotme. Sepse, duket se askush nuk ka kohë për askënd. E kjo vërehet shumë qartë në bisedat me njëri-tjetrin siështë shumë e shpeshtë shprehja “nuk kam kohë”, “jam shumë i zënë”, ndërprerja e tjetrit derisa flet, plotësimi i fjalisë së tjetrit, mungesë durimi, mungesa e kontaktit me sy ose edhe më e keqja që akoma pa përfunduar fjalinë  i thuhet tjetrit e di çfarë do të thuash, e plotësohet mendimi i tjetrit sipas dëshirës apo nevojës që unë kam. E harrojmë se gatishmëria për të dëgjuar tjetrin është elementi kryesor që e bën të mundur një takim të vërtetë, ndërpersonal.

Sa herë i dëgjojmë të tjerët, u tregojmë se i çmojmë dhe se ata na interesojnë, se ata janë të rëndësishëm për ne e kjo nxit te ata ndjenjën e kënaqësisë. E kështu njerëzit  ndihen të çmuar e të respektuar, persona me vlerë. Gjatë dëgjimit të tjetrit nuk do të thotë se është diçka e mirë vetëm për atë që dëgjohet, por një e mirë e padiskutueshme është edhe për atë që dëgjon sepse duke dëgjuar tjetrin ti mëson aq shumë për vete sa që do ta donit ta përsëritnit këtë.

Kur dëgjimi bëhet pa e mbyllur mendjen, zemrën ndaj të dashurve, kolegëve të punës, fëmijëve dhe ndaj personave që nuk janë shumë simpatik ose kujtdo tjetër, është e rëndësishme ta dëgjoni  se çfarë po thotë e kështu të dy palët do të përjetojnë një ndryshim të madh. Ndihesh mirë kur dëgjon, dhe ndihesh mirë kur të dëgjojnë.

Sipas Liggy Webb: Të dëgjuarit aktiv dhe reflektues është shprehja unike, më e dobishmja dhe më e rëndësishmja për të dëgjuar. Në të dëgjuarit aktiv, ne jemi sinqerisht të interesuar për të kuptuar çfarë po mendon, ndjen, dëshiron ose çfarë do të thotë mesazhi i personit tjetër dhe jemi aktivë në shqyrtimin e të kuptuarit tonë përpara se të përgjigjemi. 

E për këtë Zoti na ka dhuruar dy veshë e një gojë që të kemi mundësi të dëgjojmë mirë për t’u përgjigjur edhe më mirë. Ebu Derda thotë: të janë dhuruar dy veshë e një gojë që të dëgjosh më shumë se sa të flasësh. E gjithashtu për të kuptuar se jo gjithmonë kërkohet të përgjigjemi menjëherë. Nganjëherë e ndoshta shumë herë më e nevojshme është thjesht të dëgjojmë se sa të përgjigjemi se për këtë duket se njerëzit kanë nevojë më shumë.

Kur flasim për dëgjimin, nuk kemi parasysh vetëm dëgjimin me veshë, por dëgjimin me tërë  qenien tonë që bëhen aktive mendja, zemra, shpirti dhe sytë. Sepse kur dëgjojmë tjetrin ne dëgjojmë jo vetëm fjalët që thotë, por edhe gjestet e tij, edhe emocionet, të cilat japin një mesazh të rëndësishëm. Në aspektin psikologjik është shumë i rëndësishëm dëgjimi e sidomos dëgjimi aktiv e emfatik që ka si qëllim të kuptuarit e tjetrit në thellësi. Kërkohet energji e kërkohet të jemi përgjegjës si kur flasim ashtu edhe kur dëgjojmë.

Të dëgjuarit është një shprehje tejet e rëndësishme për të rritur vetëvlerësimin e personit tjetër. Të dëgjosh dhe të kuptosh se çfarë na komunikojnë të tjerët është pjesa më e rëndësishme e ndërveprimit të suksesshëm dhe anasjelltas. Ai ka si synim të kuptuarit e tjetrit dhe kërkon kontakt, kohë, vëmendje, respekt e mirëkuptim.

T’i japësh kohë tjetrit është një dhuratë e madhe që do të thotë jo vetëm t’i kushtoj kohë përmes aparateve teknologjike, telefonit, internetit, por që ta takojmë tjetrin në mënyrë direkte dhe personale. Sepse vetëm kështu mund të arrijmë të jemi dëgjues të mirë që arrijmë të dëgjojmë jo vetëm fjalët, por edhe gjuhën e trupit (gjestet) e gjithashtu edhe emocionet që japin mesazhe mjaft të qarta.

Imagjinoni se sa ndryshe do të ishte bota nëse miqtë, burrat, gratë, fëmijët, kolegët  madje edhe politikanët ta mësonin e ta praktikonin artin e të dëgjuarit. Gjithçka do të ishte ndryshe e gjithçka do të  kishte një aromë e një ngjyrë tjetër.

Pra, bëjeni provë e kaloni një ditë duke dëgjuar secilin që takoni në vend që të bisedoni me të. Një veprim i tillë do t’ju ndryshojë tërë fokusin e ditës suaj e do t’ju bëjë të dilni “jashtë vetes.” Të dëgjosh përvojat e njerëzve mund të jetë shumë e efektshme në formimin e personalitetit.

Kështu që të dish të dëgjosh nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Mësojeni e praktikojeni këtë art! Ta dëgjoni pa e paragjykuar e pa e gjykuar, është dhurata më e madhe që mund t’ia bëni tjetrit. Ta dëgjoni pa i mbajtur leksione, pa e kritikuar e pa i ndërhyrë në mendime e biseda.

Marianella Sclavi thotë: Gjatë dëgjimit mos nxitoni të nxirrni konkluzione sepse konkluzionet janë pjesa më jetëshkurtër e hulumtimeve.

Dëgjoni në mënyrë aktive sepse ky është çelësi i marrëdhënieve efektive ndërpersonale./filozofia.al /KultPlus.com

Autore: M.Franciska (Suzana) Lekaj/drita.info

Të ngjajshme