Facebook po bën ndryshime drastike për botuesit dhe mediat online

24 Tetor, 2017 - 1:21 pm

Facebook po teston një tjetër ndryshim madhor i cili do t’i zhdukë tërëisht postimet e papaguara nga kryefaqja e përdoruesit të zakonshëm. Një ndryshim i tillë do të ishte katastrofik për gjithë botuesit dhe mediat online që gjejnë audiencë nga rrjeti social.

Sistemi i ri po provohet në gjashtë shtete duke përfshirë Sllovaki, Serbi dhe Sri Lanka, përcjellë indo kosova. Pothuajse gjithë postimet e papaguara janë hequr nga kryefaqja normale, duke e lënë atë të populluar vetëm me postimet e miqve dhe reklama.

Pra, më thjeshtë, do të thotë që një përdorues i zakontë do të shohë fotot dhe statuset që postojnë miqtë e tij, do të shohë reklama dhe linqe të promovuar. Por, nuk do të shohë përmbajtjet e faqeve të ndryshme, pavarësisht se i ka pëlqyer ato. Një kryefaqe pa lajme, si të themi.

Brenda natës, nga e mërkura të enjten, 60 faqet me më shumë ndjekës në Sllovaki pësuan një rënie drastike të reach-it organik. Thuajse dy të tretat deri në tre të katërtat e reach-it ra menjëherë.
*Reach, numri i personave që kanë parë një postim specifik.

Provat filluan të enjten dhe që tani ndihen pasojat që do të kishte një ndryshim i tillë. Nëse një faqe web-i nuk ka diversitet në mënyrën si gjeneron vizituesit, dhe mbështetet kryesisht tek audienca e Facebook-ut, do të vërë re një rënie katastrofike klikimesh.

Në një deklaratë, Facebook pranoi se po testonte dy lloje të ndryshme kryefaqesh, një me postimet e miqve dhe një me postimet e faqeve të pëlqyera, pasi sipas tyre, kjo është kërkuar me kohë nga përdoruesit. Sidoqoftë, tani për tani, nuk kanë në plan ta bëjnë këtë ndryshim botëror.
Burimi: The Guardian

Të ngjajshme