Familje me qira

15 Shkurt, 2020 - 6:00 pm

Tregim nga Régis Jauffret

Mora me qira dy fëmijë të vegjël afrikanë dhe një grua turke. Pas disa vitesh, ajo deshi të kthehej në vendlindjen e saj për të krijuar një familje.
– Familje me lidhje gjaku.
Për t’u hakmarrë ndaj kurrnacërisë sime, ajo mund të më akuzonte për përdhunim, kështu që për t’i dalë të keqes përpara i dhashë një sasi parash.
– Nuk m’i ke borxh këto para.
– Kështu ndjehem më i qetë.
Detyrimi për të ndarë të njëjtin shtrat qe i shënuar në kontratë, por kishte një saktësim: çdo përpjekje për marrëdhënie seksuale nga ana e klientit do të denoncohej e zgjidhej në gjykatë. Për t’i bërë ballë mungesës së kënaqësisë seksuale, më duhej të vizitoja vajza trotuaresh, ose t’i bija me dorë në banjo, pak para se të shtrihesha pranë saj.
Pas largimit të saj vendosa të shkoja tek zyra që ma kishte gjetur. S’kishin asnjë gjë më të mirë të propozonin se sa disa gra nga Subsaharaja, të rrënuara e të rrudhura.
– Është thatësira që i ka rrudhur.
– Jo, preferoj më tepër të mbetem prind i vetëm.
Pa një nënë që t’i drejtonte, fëmijët u bënë shpejt të rrëmujshëm dhe e bënë lëmsh gjithë apartamentin. Kur kjo gjë o mor vesh nga agjencia që na e kishte dhënë me qira, na e mori menjëherë.
Tashmë jam beqar. Kam filluar të bëhem tapë, të paktën tri herë në javë, herë me shokë të punës e herë me miq të gjimnazit. Por nga që m’u dukën egoistë, mendjemëdhenj, të gatshëm të talleshin, u largova shpejt prej tyre. Mora me qira një shok. Një djalë me inteligjencë pak më të ulët se e imja, por që të mund t’i kuptonte arsyetimet e mia bukur të vështira, por jo aq sa të kishte zotësi të m’i rrënonte ato.
Desha që të ishte tërheqës aq sa për t’i bërë vajzat e dehura t’i afroheshin tavolinës sonë. E zgjodhi një nga tufa e vajzave që po dilnin nga zyrat, e hipnotizoi si të ishte gjarpër, e bëri të na ndiqte në restorant e po flet me të gjatë gjithë drekës, ndërsa unë i nxis të pijnë sa më shumë, me qëllim që t’i deh. Pasi paguajmë, i jap çelësin e apartamentit tim, e bëj sikur zhdukem. Pas njëzet minutash kthehem si hajdut, zhvishem në mesoren e errët e futem në dhomë. Ai largohet pak nga trupi i vajzës dhe unë zë vendin e tij drejt e mbi këmbët e hapura. Akti vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Kur kënaqem, nuk e ndez dritën, as që shqiptoj ndonjë fjalë, nga frika se ajo mund ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Pasi hedh rrobat e saj jashtë derës i jap udhët, si të ishte një fundërrinë.
Kam marrë me qira shumë familje gjatë jetës sime, por pa qenë i lumtur asnjëherë. Do kisha dashur të martohesha me dashuri e të kisha fëmijë. S’jam aq i hijshëm, kështu që kjo ëndrrër ndoshta s’do të më realizohet kurrë. Nëse pas zhgënjimeve të mundshme profesionale do të gjendem pas të gjashtëdhjetave pa ndonjë mundësi jetese, do të bie në pozitën e trishtueshme të jepem me qira si gjysh, të duroj talljet e fëmijëve e shpërthimet e dhunshme  të të rriturve, të kënaqur t’i shfryjnë nervat mbi një të punësuar, krejtësisht të paaftë për t’ua thyer turinjtë.

Shqipëroi nga frëngjishtja: Arbër Ahmetaj /KultPlus.com

Të ngjajshme