Fatos Baxhaku pas vdekjes vlerësohet me çmimin “Autori i vitit 2020”

15 Nëntor, 2020 - 5:28 pm

Fatos Baxhaku me librin “Në emër të Noes” është vlerësuar pas vdekjes, me çmimin e Panairit të Librit Tiranë 2020, “Autori i vitit”. Agim Doksani, ‘Përkthyesi i vitit’ dhe Adelina Mamaqi është vlerësuar për “Letërsinë për fëmijë”. Ndërsa Primo Shllaku, si “Përkthyesi më i mirë” nga gjuha frënge.

Ndahen çmimet e Panairit online “Tirana 2020”. Juria e kryesuar nga përkthyesja Diana Kastrati, gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi, kritikja letrare Arta Marku, përkthyesi Erion Kristo dhe poetja Ledia Dushi në këtë edicion të 23-të kanë përzgjedhur, që me çmimin  “Autori i Vitit” të vlerësojnë Fatos Baxhakun pas vdekjes me motivacionin: “Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, ‘Në emër të Noes’, vet shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit”.

“Jam shumë i prekur nga ky vlerësim”, thotë vëllai i Fatos Baxhakut, Artur Baxhaku.

Çmimi i “Përkthyesit më të mirë” për Agim Doksanin për librin “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” e Elena Ferrantes me motivacionin “Për prurjen shumë cilësore në shqip të romanit, për respektimin e stilit, të sintaksës dhe pasurisë gjuhësore në përshkrimin e karaktereve”.

“Këtë çmim u’a kushtoj të gjithë përkthyesve, veçmas nga gjuha italiane”, thotë Agim Doksani.

Çmimi i ‘Letërsisë për Fëmijë’ për Adelina Mamaqin me librin “Ne tani lexojmë vet”, me motivacionin: “Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë, eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet”.

 “Ky vlerësim nuk më përket mua, por letërsisë për fëmijë, që duhet quajtur pjesë integrale e letërsisë për të rritur, se këtu nisin bazat integrale e të vegjëlve, që nesër do të bëhen përfaqësues të letërsisë shqipe”, shprehet Mamaqi.

Çmimi për përkthimin me të mirë nga frëngjishtja, poeti Primo Shllaku për përkthimin e “Shën Mëria e Parisit” e Viktor Hygosë, me motivacionin “Përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore edhe kanonike përmes një veri elegant edhe të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri.

“Është çmimi i parë që marrë në jetën time, edhe pse ndodhem prej 50 vitesh në fushëbetejën e letrave shqipe. Mbase s’kam ditur aq mirë që të meritoj një çmim për letërsinë origjinale, por diçka e kam ditur dhe unë, se kam ditur që të pres mirë, edhe do të pres prapë. Këtu më kanë”, thotë Primo Shllaku.

Çmimi ‘Lexuesi i bibliotekës” i jepet 9-vjeçarit Jamarbër Hoxhës me motivacionin “ Për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ai ka për librin edhe letërsinë”. /v.d./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme